Në thellësi të stadiumit San Nicola, pasi mposhti Betisin në atë miqësoren e fundit të çuditshme të mesit të gushtit në Bari, Manuel Akanji nuk bën gjë tjetër veçse përkëdhel kokën e saporruar: nuk ka më gërsheta, por në mendjen e tij rrjedhin një lumë mendimesh për sezonin e ri zikaltër.

Ky sezon do të jetë emocionalisht ndryshe, me John Stones pranë tij, vëllain e sapogjetur dhe që menjëherë gjeti rrugën e golit.

Akanji, si ndihesh pas këtyre 45 minutave të para të sezonit?

Pjesa e dytë ishte impenjative, por jam i kënaqur. Nuk besoj se do të më duhet shumë kohë për t’u rikthyer në 100%, edhe sepse kam qenë me pushime për tre javë dhe, siç bëj zakonisht, kam vazhduar gjithsesi të stërvitem. Në fillim kam vrapuar shumë dhe kam bërë palestër, ndërsa që kur shokët e skuadrës u kthyen nga turneu, po punojmë së bashku në fushë. Tani mezi pres të fillojmë seriozisht me Monzën: një tjetër sezon është një fillim i ri’.

Edhe për sa i përket pamjes është një fillim i ri. Pse vendosët për këtë model të ri të flokëve?

‘Po, duhej ta bëja. Kisha nevojë për një ndryshim. Ndihem mirë dhe shumica e njerëzve thonë se dukem pak më i ri, kështu që nuk është keq, duke qenë se jam 31 vjeç…’

A është i lumtur miku juaj 32-vjeçar, John, pas golit të parë këtu në Bari?

‘Jam unë vërtet i lumtur për të, për më tepër që Betisi është një skuadër shumë e mirë. Tani duhet ta përsërisë që në ndeshjen e ardhshme, nuk mund të mbarojë me kaq…’

Në përgjithësi, si të duket ai?

‘Ka qenë qesharake, sepse pikërisht ditën kur u konfirmua ardhja e tij, disa orë më parë, unë dhe gruaja ime takuam bashkëshorten e tij në plazhin e Ibizës. Një rastësi e pastër. Jemi miq dhe kemi bërë pushime së bashku, dhe ajo na tha: ‘Mesa duket, në fund do të vijmë…’. Pastaj, disa orë më vonë, kur isha në shtëpi, pashë mesazhin e Johnit. Tani po përpiqem ta njoh me Interin. I shpjegoj gjithçka, përpiqem t’i përkthej, ndërsa ditën tjetër e çova edhe në restorant. Por është një djalë fantastik, do të përshtatet shpejt.’

Interi po merr shumë lojtarë edhe nga Premier League: ty vitin e kaluar, tani Stones, Spence, pastaj kush e di… Sa e rëndësishme është ajo eksperiencë?

‘Sa i përket aspektit fizik, nga Premier League vjen shumë i përgatitur. Por nga ana taktike është ndryshe. Unë, te City, bashkë me Stones luaja në një mbrojtje me katër mbrojtës dhe m’u desh të përshtatesha. Për mua ndodhi mjaft shpejt dhe e njoh Johnin: ai di të bëjë gjithçka dhe as ai nuk do të ketë probleme. Sigurisht, do të ketë nevojë për ndihmën e shokëve të skuadrës dhe stafit, por ka përfunduar në vendin e duhur.’