Irani i është drejtuar Kombeve të Bashkuara me një letër ku i cilëson kërcënimet e Shteteve të Bashkuara për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Teheranit si një akt “terrorizmi shtetëror dhe ekonomik”.
Letra është publikuar nga ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, në Telegram dhe është transmetuar nga agjencitë iraniane të lajmeve. Ajo i drejtohet Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, Këshillit të Sigurimit dhe shteteve anëtare.
Sipas Araghchit, SHBA-ja nuk ka arritur objektivat e saj ndaj Iranit dhe tani po përpiqet të pengojë transaksionet e ligjshme ekonomike të vendit me shtetet e tjera.
Ministri iranian pretendon se masat amerikane do të dëmtojnë drejtpërdrejt popullsinë civile, duke kufizuar aksesin në ushqime, ilaçe, pajisje mjekësore, energji dhe mallra të tjera thelbësore.
Araghchi i ka bërë thirrje Këshillit të Sigurimit dhe vendeve anëtare të OKB-së të dënojnë dhe refuzojnë “masat shtrënguese unilaterale dhe sanksionet dytësore”. Ai gjithashtu u ka kërkuar qeverive të mos zbatojnë vendimet e Uashingtonit dhe SHBA-së të ndalojë presionin ndaj vendeve të treta për të ndërprerë marrëdhëniet tregtare me Iranin.
Ndërkohë, Kina ka kritikuar sanksionet e paralajmëruara nga SHBA-ja, duke i cilësuar ato si pjesë e një “lufte ekonomike të paprecedentë” ndaj Iranit. Pekini argumenton se kjo qasje nuk do të sjellë zgjidhje, por rrezikon të përkeqësojë konfliktin dhe të dëmtojë rendin ekonomik global.










