Rasti i parë i Etheve të Nilit Perëndimor është konfirmuar në Shqipëri, ndërsa autoritetet shëndetësore bëjnë thirrje për qetësi, pasi virusi nuk transmetohet nga një person te tjetri.
Bëhet fjalë për një 72-vjeçar nga Korça, i cili ndodhet i shtruar në Spitalin Rajonal të qytetit dhe po merr trajtimin mjekësor. Sipas epidemiologes së Institutit të Shëndetit Publik, Adela Vasili, deri në këtë moment nuk janë evidentuar raste të tjera të konfirmuara apo persona të dyshuar për infektim.
Sipas saj, analizat e kryera te personat që kanë pasur kontakt të afërt me pacientin kanë rezultuar negative.
“Ethet e Nilit është një sëmundje që transmetohet përmes mushkonjave bartëse të virusit, të cilat e marrin atë nga zogjtë apo kuajt e infektuar”, deklaroi Vasili.
72-vjeçari kishte shfaqur shqetësime shëndetësore dhe iu drejtua sistemit spitalor. Gjendja e tij kërkoi shtrim në spital, ku aktualisht vijon të marrë mjekimin përkatës.
“Nuk kemi raste të tjera të konfirmuara apo të dyshuara me Ethet e Nilit Perëndimor. Ethet e Nilit është një sëmundje që transmetohet përmes mushkonjave bartëse të virusit që e marrin nga zogjtë apo kuajt e infektuar. Dje është konfirmuar rasti i parë me Ethet e Nilit në Shqipëri. Pacienti i prekur është një 72-vjeçar nga Korça, i cili ndodhet aktualisht i izoluar në karantinë në Spitalin Rajonal të Korçës, ku po merr edhe mjekimin përkatës. Pasi ka shfaqur shqetësime shëndetësore, ai i është drejtuar spitalit ku analizat konfirmuan praninë e virusit. Deri më tani ky mbetet i vetmi rast i identifikuar, pasi testet e kryera te personat e tij të afërt kanë dalë negative. Sëmundja transmetohet vetëm nëpërmjet mushkonjave, jo nga njeriu te njeriu. Nuk ka rrezikshmëri për vendin, prania e rasteve në Greqi e “etheve të nilit perëndimor”. -tha Vasili
Pacienti i është drejtuar sistemit shëndetësor shqiptar dhe duke parë që gjendja është rënduar, është shtruar në spital. Shenjat fillimisht është ajo si e një gripi të lehtë, ndërsa në raste pak me të ndryshme apo persona që e shfaqin klinikisht në mënyrën më të rëndë janë ata mbi moshën 60 vjec, persona që kanë imunitet të ulët apo persona që mund të kenë bërë transplante apo ndërhyrje të rënda
Nga informacionet e bëra publike, i moshuari kishte kaluar një pjesë të konsiderueshme të kohës në një lulishte, ku dyshohet se është pickuar nga një mushkonjë.
Autoritetet theksojnë se transmetimi i virusit ndodh përmes pickimit të mushkonjave të infektuara dhe jo përmes kontaktit mes njerëzve. Për këtë arsye, prania e një rasti të vetëm nuk konsiderohet si një situatë që paraqet rrezik të gjerë për popullatën.
Vasili sqaroi gjithashtu se simptomat mund të jenë fillimisht të ngjashme me ato të një gripi të lehtë. Megjithatë, forma më të rënda të sëmundjes mund të shfaqen veçanërisht te personat mbi 60 vjeç, te individët me imunitet të dobësuar apo te persona që kanë kryer transplante ose ndërhyrje të rënda shëndetësore.
Ndërkohë, autoritetet vijojnë monitorimin epidemiologjik, ndërsa rasti i Korçës mbetet deri tani i vetmi i identifikuar në vend.










