Presidenti amerikan Donald Trump u ka kërkuar kompanive të mëdha të naftës që të ndërmarrin hapa për uljen e çmimeve të karburanteve, duke i akuzuar se kanë fituar shumë nga rritja e çmimit të naftës gjatë luftës me Iranin.

Trump kritikoi veçanërisht kompanitë Chevron dhe ExxonMobil, duke thënë se ato kanë përfituar shumë nga rritja e çmimeve të naftës, pasi lufta ndikoi në furnizimet përmes Ngushticës së Hormuzit.

Ai tha se, nëse konflikti me Iranin përfundon, çmimet e naftës do të bien ndjeshëm.

“Kanë fituar shumë para, shumë para. Chevron shumë, ExxonMobil gjithashtu shumë”, deklaroi Trump, duke kërkuar që kompanitë të ulin çmimet për konsumatorët.

Çmimi ndërkombëtar i naftës Brent ra me më shumë se 4% të hënën, duke shkuar rreth 84 dollarë për fuçi, pas shpresave për përparim diplomatik në zgjidhjen e konfliktit. Megjithatë, çmimet mbeten më të larta se para nisjes së luftës.

Sipas një sondazhi të fundit të CBS News, rreth gjysma e amerikanëve deklarojnë se rritja e çmimeve të karburanteve po u shkakton vështirësi financiare.

Kompania ExxonMobil nuk pranoi të komentojë, ndërsa Chevron nuk ka dhënë ende një përgjigje zyrtare.

Sipas të dhënave të Administratës Amerikane të Informacionit për Energjinë (EIA), çmimi i naftës bruto përbën rreth 51% të kostos së një litri karburant, duke qenë faktori kryesor që ndikon në çmimin final për konsumatorët.