Disa institucione në qytete të ndryshme të vendit janë përfshirë këtë të enjte në një kërcënim me bombë përmes postës elektronike.

Sipas Policisë së Shtetit, mëngjesin e sotëm në adresat elektronike të disa institucioneve është dërguar një e-mail nga një adresë ende e paidentifikuar, me përmbajtje kërcënuese dhe terroriste. Në mesazh pretendohej se në ambientet e institucioneve ishte vendosur një bombë.

Pas marrjes së informacionit, strukturat e Policisë së Shtetit kanë nisur menjëherë kontrollet dhe verifikimet në institucionet e përfshira.

Nga kontrollet e kryera deri më tani nuk është konstatuar asnjë bombë apo material tjetër eksploziv.

Ndërkohë, çështja është marrë në ndjekje nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë e Antiterrorit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese.

Hetuesit po punojnë për identifikimin e autorit, si dhe për gjurmimin e adresës elektronike nga e cila janë dërguar kërcënimet.

Policia e Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve të mos krijojnë panik, duke theksuar se strukturat e saj janë të angazhuara për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Hetimet për identifikimin e personit ose personave përgjegjës vijojnë.