Kosova shpreh gatishmëri për të ndihmuar Shqipërinë dhe Malin e Zi në përballjen me zjarret.

Kosova është e gatshme t’u dalë në ndihmë Shqipërisë dhe Malit të Zi, ku zjarre kanë përfshirë zona të ndryshme, ka njoftuar ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Ai bëri të ditur se u ka komunikuar homologëve të tij, ministrave të Mbrojtjes të Shqipërisë dhe Malit të Zi, se Ministria e Mbrojtjes e Kosovës mund të ofrojë mbështetje përmes kapaciteteve që vendi ka në dispozicion.

“Nëse autoritetet përkatëse e konsiderojnë të domosdoshme një ndihmë të tillë, Kosova është e gatshme të kontribuojë, duke vënë në dispozicion kapacitetet tona për përballimin e situatës së shkaktuar nga zjarret. Në rrethana të tilla, bashkëpunimi dhe solidariteti kanë rëndësi të posaçme. Ministria e Mbrojtjes, Forca e Sigurisë së Kosovës dhe institucionet e tjera të Republikës vazhdojnë të jenë të gatshme për të dhënë mbështetje dhe për të kontribuar kudo që kapacitetet tona mund të shërbejnë”, deklaroi Maqedonci.