Bashkimi Europian përmes një reagimi për Report Tv ka deklaruar se është në dijeni të rregullores së re të Gjykatës së Posaçme, e cila censuron punën e mediave.

BE ka theksuar se po e monitoron procesin, me qëllim gjetjen e një ekuilibri të drejtë ndërmjet masave të sigurisë dhe aksesit në informacion, si dhe transparencës së proceseve gjyqësore, në përputhje me standardet europiane.

Në reagim, BE nënvizon gjithashtu se janë të gatshëm që të vijojnë të ofrojnë ekspertisë të specializuar si për sistemin gjyqësor, ashtu edhe për komunitetin mediatik.

*Reagimi i BE për Report Tv:*

Bashkimi Europian është në dijeni të një rregulloreje të re të brendshme për sigurinë, rendin dhe rregullat e sjelljes në ambientet e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), e cila merr parasysh karakteristikat e veçanta organizative, operacionale dhe të sigurisë që lidhen me GJKKO-në dhe proceset gjyqësore të saj.

BE-ja është e gatshme të vijojë të ofrojë ekspertizë të specializuar si për sistemin gjyqësor, ashtu edhe për komunitetin mediatik, në mbështetje të gjetjes së një ekuilibri të drejtë ndërmjet masave të sigurisë dhe aksesit në informacion dhe transparencës së proceseve gjyqësore, në përputhje me standardet dhe parimet evropiane. BE-ja do të vijojë t’i monitorojë nga afër këto çështje në kuadër të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.