Papa Leone XIV ka shprehur shqetësimin për situatën në Ceutë, duke bërë thirrje që të gjenden zgjidhje për paqe, stabilitet dhe drejtësi.

Në përfundim të lutjes së së dielës “Angelus”, nga dritarja e Pallatit Apostolik me pamje nga Sheshi i Shën Pjetrit, Papa foli në spanjisht dhe tha se po e ndjek me shqetësim zhvillimin e ngjarjeve.

“Po e ndjek me shqetësim situatën alarmante në Ceutë. Lutem Zotit, me ndërmjetësimin e Zojës së Afrikës, që të gjenden zgjidhje për paqe, stabilitet dhe drejtësi. Vazhdojmë të lutemi për paqen, që në botë të ndalen luftërat dhe konfliktet të zgjidhen me diplomaci. Kujtojmë të gjitha viktimat e armiqësive, veçanërisht më të dobëtit dhe më të pambrojturit: fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët. Zoti i ngushëlloftë ata që vuajnë dhe bekoftë punën e atyre që sjellin ndihmë dhe ngushëllim. Grumbullimi i tepruar dhe shpërdorimi janë dy anë të së njëjtës të keqe: grykësisë. Kjo sëmundje e shpirtit i bën njerëzit të harrojnë ata që qajnë nga uria dhe bërtasin nga etja. Përballë bollëkut të gjërave që kalben, janë duart e shtrira të atyre që nuk kanë ushqim dhe shtëpitë e djegura të atyre që nuk kanë paqe”, tha Papa.

Në fund, Papa Leone XIV theksoi se dhurata e Zotit është universale dhe u bëri thirrje besimtarëve që, “në shkretëtirën e luftës dhe arrogancës”, të ndjekin shembullin e Krishtit, duke ndarë me të tjerët atë që kanë dhe duke mos lejuar që asgjë të shpërdorohet.