Pas normalizimit të situatës nga zjarri masiv që përfshiu Krujën, ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka falënderuar efektivët e angazhuar në operacionin për shuarjen e flakëve dhe evakuimin e banorëve.

Në një reagim në rrjetet sociale, Lamallari shpreh mirënjohje në emër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, qeverisë dhe Kryeministrit Edi Rama për rreth 300 punonjës të Policisë së Shtetit, të cilët, së bashku me zjarrfikësit dhe Forcat e Armatosura, morën pjesë në operacion.

Sipas ministrit, efektivët bënë të mundur evakuimin e banorëve në kushte të vështira, ndërsa në dispozicion të operacionit u vunë edhe forcat speciale, Forca e Ndërhyrjes së Shpejtë, autobotet dhe makinat ujëhedhëse të Policisë së Shtetit.

“Kruja sot është më e qetë dhe më krenare se mbase asnjëherë më parë për vajzat dhe djemtë, gratë dhe burrat me uniformë të cilët shërbyen me kurajë, përgjegjësi dhe empati përballë rrezikut kritik të zjarrit të favorizuar nga era e fortë. Respekt!”, shkruan Lamallari.