Një grabitje e armatosur ka tronditur Paskuqanin këtë të mërkurë, ku një argjendari është bërë objekt i një sulmi nga dy persona të maskuar, të cilët kanë arritur të marrin sende me vlerë dhe të largohen pa lënë gjurmë.

Burime paraprake bëjnë me dije se autorët kanë hyrë në argjendari duke kërcënuar me armë zjarri, duke krijuar panik te personat që ndodheshin në ambientet e biznesit. Nën presionin e armës, ata kanë marrë bizhuteritë dhe më pas janë larguar me shpejtësi me një motor.

Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet, ndërsa po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa rrethanat e plota të grabitjes janë ende objekt hetimi.