Italia është përfshirë këtë të mërkurë nga një valë e re të nxehti, duke detyruar autoritetet të vendosin 27 qytete në nivelin më të lartë të alarmit për temperaturat ekstreme. Sipas mediave italiane, 25 qytete janë nën alarm të kuq, ndërsa numri do të rritet në 27 të enjten, pasi temperaturat pritet të arrijnë nivele rekord, duke rritur rrezikun për shëndetin publik.

Si pasojë e temperaturave të larta, tre persona kanë humbur jetën. Një marangoz 40-vjeçar humbi jetën pasi u ndje keq teksa punonte mbi një çati, një roje sigurie 55-vjeçare vdiq pasi pësoi një urgjencë shëndetësore ndërsa ndodhej në makinë, ndërsa një grua 90-vjeçare ndërroi jetë teksa ishte në kopsht.

Parashikimet tregojnë se në disa zona të Italisë temperaturat do të kalojnë 40 gradë Celsius. Gjatë fundjavës pritet një rënie e lehtë, me temperatura që do të luhaten nga 36 deri në 39 gradë. Ndërkohë, shqetësimet për thatësirën dhe zjarret mbeten të larta. Po ashtu vatra zjarri janë raportuar edhe në zonën e Marsica, në rajonin e Abrucos, ndërsa zjarrfikësit vijojnë punën për vënien nën kontroll të një zjarri në zonën Karst, pranë Triestes.