Pak ditë më parë, deklarata e Presidentit Zelensky nga Beogradi se Ukraina nuk ka ndryshuar qendrim për mosnjohjen e shtetit të Kosovës, shkaktoi reagime të forta në Prishtinë dhe Tiranë.

Një reagim i shpejtë erdhi nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, ku theksohej ndër të tjera se “çdo përpjekje për të vendosur një paralele ose për të krijuar një ekuacion midis Kosovës dhe çdo situate tjetër ndërkombëtare është e gabuar, oportuniste dhe thellësisht çorientuese”.

Ky qëndrim i diplomacisë shqiptare ka marrë një vëmendje të posaçme në rrjetin social X, ku analistë, aktivistë, politikanë, madje edhe ukrainas, vlerësojnë reagimin profesional të MEPJ, si një leksion për këdo që beson te fuqia e diplomacisë.

“Një masterklas i diplomacisë.
Kështu mund të shprehet qëndrimi mbi një çështje të ndjeshme dhe të diskutueshme”, shkroi në X, Sossi Tatikyan, Drejtore e Qendrës së Jerevanit për politikat e Jashtme.

Analisti Volodymyr Tretyak rishpërndau qëndrimin e Ministrisë së Jashtme duke e cilësuar atë “një deklaratë tejet solide”.

Sipas komentuesve, qasje të tilla janë të nevojshme për të trajtuar në mënyrë të arsyeshme çështje të ndjeshme të rajonit.

Edhe deputetja britanike Alicia Kearns i kushtoi vëmendje reagimit duke ripublikuar në llogarinë e saj qëndrimin e Shqipërisë. Më tej Kearns shkroi në X se “kjo është diplomaci”.