Plazhi publik është zgjeruar ndjeshëm këtë sezon veror. Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja ka publikuar shifrat e administrimit të hapësirave bregdetare për vitin 2026, duke deklaruar se numri i parcelave/stacioneve të plazhit në funksion publik ka arritur në 1,689, nga 1,014 që ishin një vit më parë.

Sipas Gonxhjes, kjo përkthehet në një rritje prej 67%, ose 675 parcela më shumë në dispozicion të publikut.

Edhe sipërfaqja e plazhit publik është zgjeruar. Nga 2.88 milionë metra katrorë në vitin 2025, këtë vit ajo ka arritur në 3.18 milionë m², duke u shtuar me rreth 303 mijë m² ose 10.5%.

Një prej risive të këtij sezoni është administrimi i drejtpërdrejtë nga bashkitë. Në vitin 2026 janë 124 parcela/stacione publike nën administrimin e njësive vendore, me një sipërfaqe totale prej rreth 475 mijë m².

Këto hapësira ofrojnë çadra dhe shezlongë me tarifa të miratuara nga këshillat bashkiakë, me synimin për të krijuar një alternativë më të përballueshme për pushuesit.

Në këtë kategori, Lezha kryeson me 49 parcela, e ndjekur nga Durrësi me 38, Shkodra me 16, Himara me 11 dhe Vlora me 10.

Për nga sipërfaqja, Durrësi është në krye me rreth 316 mijë m², ndërsa vijojnë Lezha me 75 mijë m², Himara me 51 mijë m², Vlora me 21 mijë m² dhe Shkodra me 13 mijë m².

665 parcela që ishin në duart e privatëve rikthehen në funksion publik

Një tjetër shifër e rëndësishme e bërë publike nga ministri është ajo e parcelave që më herët menaxhoheshin nga subjektet private.

Sipas Gonxhjes, 665 parcela/stacione plazhi janë rikthyer këtë vit në funksion publik, pas mosaplikimit ose refuzimit të aplikimeve.

Ky proces ka sjellë, sipas tij, një shtesë prej rreth 768 mijë m² sipërfaqe në dispozicion të plazhit publik.

11 herë më shumë plazhe përjashtimore

Ndryshimi i madh është vërejtur edhe te plazhet përjashtimore. Nga vetëm 2 të tilla në vitin 2025, numri ka shkuar në 22 në vitin 2026.

Pra, janë shtuar 20 stacione, ose rreth 11 herë më shumë krahasuar me një vit më parë.

Kjo kategori përfshin gjithsej 570 parcela dhe rreth 1.42 milionë m² sipërfaqe plazhi të menaxhuar dhe formalizuar.

Gonxhja e lidh këtë zgjerim të hapësirave publike me masat kundër abuzimit me çmimet, administrimin bashkiak të plazheve, tarifat e miratuara nga këshillat bashkiakë, formalizimin dhe fiskalizimin e pagesave.

Sipas ministrit, këto masa, së bashku me rritjen e ndërgjegjësimit dhe masat për sigurinë në det dhe vrojtim, kanë sjellë një rezultat pozitiv për qytetarët dhe pushuesit.

Megjithatë, ministri thekson se mbetet ende punë për t’u bërë sa i përket kontrollit dhe ligjshmërisë në plazhet liqenore e lumore, zonat e mbrojtura dhe ishujt, si dhe për vendosjen e standardeve të qëndrueshme për higjienën, sigurinë dhe aksesin e përballueshëm në plazhe.