Policia e Vlorës ka arrestuar mbrëmjen e së shtunës Renardo Nallbanin, i shpallur në kërkim në kuadër të hetimeve për dosjen e inceneratorit të Tiranës.

Sipas të dhënave paraprake, Nallbani është lokalizuar dhe arrestuar në vilën e tij në Palasë, pas veprimeve operative të kryera nga shërbimet e Policisë.

Ai akuzohet për disa vepra penale që lidhen me hetimet për inceneratorin e Tiranës, përfshirë “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim të veçantë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Nallbani ishte shpallur në kërkim prej rreth dy vitesh. Emri i tij është përmendur në kuadër të dosjes së inceneratorit të Tiranës, një nga hetimet më të mëdha të SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe përfitime të dyshuara nga fondet publike.

Nallbani rezulton gjithashtu i dënuar nga Gjykata e Apelit të Torinos në Itali për veprat penale “trafikim i lëndëve narkotike” dhe “drejtim i organizatave kriminale”. Renardo Nallbani pritet të transferohet në bllokun e sigurisë në Tiranë.