Piku i sezonit turistik sjell fluks të shtuar në porte e pika kufitare. Në Portin e Vlorës vetëm këtë të diel pritet të mbërrijnë rreth 2700 pasagjerë përmes tre trageteve të linjës Brindisi-Vlorë.
Krahas tyre, në port pritet të hyjnë rreth 700 automjete. Për të përballuar numrin e lartë të udhëtarëve dhe për të shmangur radhët e gjata, Policia Kufitare ka shtuar sportelet e kontrollit nga 8 në 12.
Mes pasagjerëve ka edhe shumë turistë italianë, të cilët kanë zgjedhur Shqipërinë për pushimet verore. Një pjesë qëndrojnë në Vlorë, ndërsa të tjerë vijojnë drejt destinacioneve turistike të jugut.
Edhe në portin e Durrësit flukset janë të shtuara. Vetëm përgjatë paradites së të dielës mbërritën 4 tragete me 5359 pasagjerë dhe 1564 automjete. Ndërsa në mbrëmje pritet të mbërrijnë edhe 2 tragete të tjera.
Mbi 19 mijë udhëtarë dhe 4 mijë automjete u regjistruan në pikën e kalimit kufitar në Morinë, vetëm gjatë orëve të para të mëngjesit.
Në Kakavijë në 24 orët e fundit janë shënuar 12.273 kalime nga të cilët 8523 udhëtarë në hyrje dhe 3750 në dalje, si dhe 3735 mjete në total.
Fluksi i automjeteve që vijnë nga Greqia ka krijuar radhë të gjata në pjesën greke, ndërsa qytetarëve u duhet të presin mesatarisht dy orë për të kaluar pikën kufitare në Kakavijë.
Në pikën kufitare të Kapshticës janë regjistruar 8,630 hyrje dhe 3,769 dalje, ndërsa në Qafë Thanë kanë hyrë 6,174 shtetas dhe kanë dalë 5,070 të tjerë. Në total, vetëm përmes këtyre dy pikave kufitare janë regjistruar 14,804 hyrje dhe 8,839 dalje, ose 23,643 lëvizje në të dy drejtimet.










