Nga Fatos Çoçoli
Është mëse e sigurt se sipërmarrësi kosovar Behxhet Pacolli, pronar i kompanisë “Mabco”, me seli në Zvicër, po përgatitet të hedhë në gjyq ndërkombëtar shtetin shqiptar, për ndërprerjen nga qeveria të koncesionit të ndërtimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, për shkak të mosrealizimit të detyrimeve kontraktuale nga koncesionari.
Kompania “Mabco” mund të ankohet dhe të kërkojë arbitrazh ndërkombëtar pranë Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID), institucioni më i njohur në botë për arbitrazhin ndërmjet investuesve privatë dhe shteteve, pjesë e Grupit të Bankës Botërore, ose mund të zgjedhë arbitrazhe të tjera ndërkombëtare, si Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë (ICC), me seli në Paris, apo Gjykatën e Londrës për Arbitrazhin Ndërkombëtar (LCIA), një tjetër institucion i njohur ndërkombëtar i arbitrazhit.
Çështja e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës po shkon drejt një prej përplasjeve më të rëndësishme kontraktore ndërmjet shtetit shqiptar dhe një investitori privat. Pas nisjes më 4 gusht 2026 të procedurave nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zgjidhjen e kontratës koncesionare me konsorciumin e përbërë nga shoqëria “Mabco”, e sipërmarrësit kosovar Behgjet Pacolli dhe shoqëria “2A Group” e sipërmarrësit tjetër kosovar Valon Ademi, pritet që shtetit tonë t’i vijë ftesa për në arbitrazh ndërkombëtar, ku kompania “Mabco” përgatitet të kërkojë një dëmshpërblim prej disa qindra milionë euro, për kontratën e ndërtimit të Aeroportit, me vlerë 103.9 milionë euro.
Pika më e fortë e Shqipërisë: detyrimet kontraktore
Në çdo koncesion të një infrastrukture strategjike, veçanërisht në një aeroport ndërkombëtar, investitori nuk merr vetëm të drejta; ai merr edhe një paketë të qartë detyrimesh.
Kontrata koncesionare për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës përcaktonte afate konkrete për kohëzgjatjen dhe përfundimin e punimeve. Kohëzgjatja e përcaktuar në kontratë ishte 36 muaj, pra tre vjet. Punimet për ndërtimin e Aeroportit nisën zyrtarisht më 20 shkurt 2023. Sipas kontratës, aeroporti duhej të përfundonte brenda 36 muajve, pra deri më 20 shkurt 2026. Ky afat ishte përcaktuar edhe në lejen e ndërtimit.
Kontrata parashikonte gjithashtu një periudhë shtesë prej 90 ditësh. Nëse aeroporti nuk bëhej operacional as brenda këtij afati, shteti shqiptar fitonte të drejtën të zgjidhte kontratën, për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve.
Edhe ky afat skadoi më 20 maj 2026, ndërsa aeroporti nuk ishte ende funksional. Madje, raporti i inxhinierit të pavarur i datës 20 maj 2026 evidentonte se rreth 70 për qind e punimeve ishin realizuar, por vetëm 57 për qind e tyre ishin çertifikuar. Në një kohë, kur, sipas kontratës koncesionare, aeroporti më 20 maj 2026 duhej të ishte ndërtuar 100 përqind dhe gati për aktivitetin e çertifikimit të fluturimeve.
Për Avokatin e Shtetit shqiptar dhe studjon ligjore që ai do të zgjedhë të na përfaqësojë, janë të gjitha dokumentat e plotë për të përcaktuar qartë në arbitrazh cilat detyrime ishin marrë përsipër nga koncesionari, cilat afate ishin shkelur prej tij, cilat njoftime ishin bërë nga shteti shqiptar dhe në çfarë mase këto shkelje përbënin shkelje thelbësore të kontratës.
Vonesat në ndërtimin e një aseti strategjik si një aeroport ndërkombëtare mund të jenë vendimtare.
Këtu Avokati i Shtetit mund të ngrejë pyetjn thelbësore: a kishte koncesionari një pengesë madhore dhe të paparashikueshme nga kontrata, apo thjesht nuk arriti të siguronte kushtet financiare dhe operacionale(bashkëpunimi mes dy ortakëve) të nevojshme dhe të domosdoshme për zbatimin e kontratës? Konflikti i rëndë i lindur mes dy ortakëve në koncesion, qe për muaj me rradhë gati paralizoi grafikun e punimeve në Aeroport, nuk është faj i shtetit shqiptar!
Financimi problematik i koncesionarit është një nga nyjet kryesore të çështjes.
Një projekt aeroportual nuk mund të mbështetet vetëm mbi deklaratat për investimin. Ai kërkon financim të mbyllur, garanci, kontrata huaje dhe mekanizma të qartë për disbursimin e kapitalit.
Në rastin e Aeroportit të Vlorës, çështja e financimit merr rëndësi të veçantë, për shkak të kredisë së raportuar prej rreth 100 milionë eurosh nga kompania “Delphos Securities”, marrë nga kompania “Mabco”, pa dijeninë dhe autorizimin e shtetit shqiptar, edhe pse kushtet e kontratës së koncesionit të Aeroportit e kërkojnë imperativisht këtë.
Në mars 2025, kompania “Mabco” nënshkroi një marrëveshje huaje me shoqërinë financiare “Delphos Securities”, me vlerë 100 milionë euro. Sipas informacionit të bërë publik, fondet do të përdoreshin për dy qëllime kryesore: përfundimin e ndërtimit të Aeroportit të Vlorës dhe shlyerjen e një kredie ekzistuese bankare të kompanisë “Mabco”.
Shqetësimi themelor i Shtetit shqiptar nuk lidhet me shumën e huasë, por me garancitë e dhëna në favor të huadhënësit “Delphos Securities”dhe pasojat që ato mund të kishin mbi të ardhurat, administrimin dhe të ardhmen financiare të një infrastrukture strategjike, si Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës.
Këto elemente provohen qartë në arbitrazh si një tjetër shkelje serioze e kontratës koncesionare, si dhe si një ndër arsyet madhore, që e çuan shtetin shqiptar në nisjen e procedurave për zgjidhjen e kontratës.










