Kryeministri Edi Rama mori pjesë mbrëmjen e djeshme në edicionin e katërt të “Vajza Fest”, në fshatin Vajzë të Selenicës, në një aktivitet ku tradita, kultura dhe promovimi i zonës u ndërthurën me batutat politike.
Në qendër të vëmendjes ishte edhe kryebashkiaku i Selenicës, Nertil Bellaj, i cili prej kohësh ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj propozimit për reformën territoriale që parashikon shkrirjen e Bashkisë Selenicë dhe bashkimin e saj me Bashkinë e Vlorës.
Bellaj, gjatë fjalës së tij, foli për punën e bërë nga bashkia në drejtim të zhvillimit të turizmit malor dhe lumor. Por një prej deklaratave të tij i dha Ramës mundësinë për të reaguar me ironi.
“Kryeministër, këtu kemi edhe ujë deti, ujë të kripur. Këto na i ka falur natyra. Ashtu si Labëria e ka famëmadhe historinë, ne si bashki jemi munduar që për katër vite, famëmadhe do ta bëjmë edhe bashkinë tonë, duke e çuar bashkinë në një nivel tjetër të turizmit malor dhe lumor”, tha Bellaj.
Në vijim, ai shtoi se bashkia do të vazhdojë punën, duke lënë të hapur edhe pikëpyetjet mbi të ardhmen e saj.
Kur mori fjalën, Rama nuk e la pa komentuar pjesën për “ujin e detit” në Selenicë.
“Dua të përshëndes kryetarin e Bashkisë, Nertilin dhe ta falënderoj për promovimin, për vajtjen e detit në majë të malit, me ujin e kripur bashkë”, tha kryeministri, duke shkaktuar të qeshura dhe duartrokitje nga të pranishmit.
Por në fjalën e tij Rama u ndal edhe te një tjetër figurë e rëndësishme e pranishme në aktivitet, kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi.
Kryeministri e falënderoi Sadushin për ftesën e përsëritur në “Vajza Fest”, duke theksuar se ishte hera e katërt që merrte një ftesë të tillë.
“Dhe në radhë të parë dua të falënderoj Sokolin, i cili më dërgoi ftesën për të katërtin vit rresht. Dhe këtë herë nuk refuzova”, u shpreh Rama.
Ai tha se katër vite ishin të mjaftueshme për të parë nëse ideja e festivalit funksionon, duke e cilësuar praninë e tij si një mënyrë për të dëshmuar suksesin e kësaj nisme.
Rama vijoi me batuta edhe për personalitetet e tjera të pranishme. Ai përshëndeti ish-Presidentin Bamir Topi, Prefektin e Tiranës Shkëlqim Hajdari dhe kreun e Komitetit Olimpik, Fidel Ylli, ndërsa me humor pyeti se përse ndodhej në aktivitet Prefekti i Tiranës, duke thënë se ndoshta ishte “mik i Vajzës”.
Edhe ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, nuk shpëtoi nga batutat e kryeministrit.
“Dua të përshëndes edhe Ministrin e Pushtetit Vendor, zotin Demo, i cili është këtu i pranishëm për të kontrolluar si funksionon Bashkia e Selenicës”, tha Rama.
Fjala e kryeministrit vjen në një moment kur debati për reformën territoriale ka marrë një tjetër dimension në Selenicë. Këshilli Bashkiak ka votuar kundër propozimit të qeverisë për bashkimin e Selenicës me Vlorën.
Sipas projektit të propozuar nga Partia Socialiste, numri i bashkive në vend do të reduktohet nga 61 në 46. Mes bashkive që parashikohet të shkrihen është edhe Selenica.
Ndërkohë, “Vajza Fest” vijon të konsolidohet si një aktivitet me karakter kulturor dhe turistik, duke e kthyer fshatin Vajzë në një pikë takimi për figura publike, artistë dhe banorë të zonës.
Mbrëmja e djeshme solli kështu një kombinim mes festës, politikës dhe humorit, me batutat e Ramës ndaj kryebashkiakut Bellaj, ndërsa në krah të tij ishte kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, një prej figurave që kryeministri falënderoi posaçërisht për ftesën në festival.










