Ditë pas dite vihet re me sy të lirë rënia e ndjeshme e nivelit të ujit në liqenin e Kukësit. Ky nivel ka zbritur në rreth 280 metra mbi nivelin e detit, me tendencë rënieje të vazhdueshme.

Mungesa e reshjeve gjatë kësaj vere, e shoqëruar me temperatura të larta, është shkaku kryesor i uljes së prurjeve në të gjitha burimet hidrike që furnizojnë liqenin e Kukësit.

Në Drinin e Bardhë dhe Drinin e Zi prurjet kanë rënë në rreth 70 metra kub ujë në sekondë, një nga nivelet më të ulëta të kësaj periudhe 8-mujore.
Nisur nga kjo situatë hidrike dhe pakësimi i rezervës ujore në liqenin e Kukësit, hidrocentrali i Fierzës po punon me kapacitet të reduktuar për prodhimin e energjisë elektrike.

Sasia e nevojshme për konsum të brendshëm sigurohet përmes prodhimit në hidrocentralet e tjera, parqet fotovoltaike, si dhe përmes importit, sipas kontratave respektive me operatorët ndërkombëtarë.

Pavarësisht situatës aktuale, nuk mund të flitet për krizë, pasi menaxhimi i kaskadës ka qenë optimal gjatë gjithë periudhës, duke garantuar prodhim të kënaqshëm të energjisë dhe ruajtjen e rezervës ujore.

Jemi para periudhës së vjeshtës, e cila zakonisht shoqërohet me reshje shiu, të cilat pritet të përmirësojnë situatën hidrike dhe të mundësojnë akumulimin e rezervës ujore për vjeshtën, dimrin dhe pranverën.

Liqeni i Kukësit është ujëmbledhësi më i madh në vend, me një sipërfaqe prej rreth 81 hektarësh dhe një kapacitet bartës prej rreth 3 miliardë metra kub ujë.