Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) ka shënuar një rekord të ri sa i takon fluksit të pasagjerëve dhe lëvizjeve të avionëve.

TIA njoftoi sot se më 17 gusht 2026, TIA regjistroi ditën më të ngarkuar në historinë e tij, me 60 291 pasagjerë dhe 326 lëvizje avionësh (ATM) në vetëm 24 orë.

Sipas aeroportit, gjatë kësaj dite 32 kompani ajrore lidhën Tiranën me 79 destinacione në vende të ndryshme të botës. Italia, Mbretëria e Bashkuar, Polonia, Turqia dhe Belgjika ishin vendet kryesore sa i përket numrit të pasagjerëve.

“Një tjetër ditë rekord për TIA, që pasqyron rritjen e vazhdueshme të trafikut ajror dhe zgjerimin e lidhjeve të Shqipërisë me botën”, shkruan TIA.