Shërbimi onkologjik po afrohet gjithnjë e më shumë me pacientët. Në Spitalin Rajonal të Korçës është rikualifikuar njësia e kimioterapisë ditore, e rikonstruktuar dhe e pajisur sipas standardeve bashkëkohore për trajtimin e pacientëve me sëmundje tumorale.
Rreth 300 pacientë të qarkut të Korçës që marrin trajtim kimioterapeutik do të mund ta kryejnë atë pranë vendbanimit të tyre, në një mjedis të sigurt, modern dhe të përshtatur për nevojat e tyre.
Gjatë vizitës në njësinë e re, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Prof. Evis Sala, theksoi se decentralizimi i shërbimeve onkologjike është një nga drejtimet kryesore të transformimit të kujdesit ndaj pacientëve me kancer.
“Nuk mund të flasim për një sistem shëndetësor cilësor nëse një pacient me kancer duhet të udhëtojë qindra kilometra për të marrë trajtimin që i nevojitet. Objektivi ynë është që shërbimi të shkojë pranë pacientit dhe jo pacienti të udhëtojë për shërbimin. Korça është një hap konkret në këtë drejtim: standarde më të mira, kushte më të sigurta dhe kujdes më pranë qytetarëve.”
Njësia e re është rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe shoqatës amerikane Albania Fighting Cancer, duke mundësuar rikonstruksionin dhe krijimin e një mjedisi bashkëkohor për administrimin e trajtimeve kimioterapeutike.
Korça është pjesë e një transformimi më të gjerë të shërbimeve onkologjike në të gjithë vendin. Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale po vijon modernizimin e 8 pikave të tjera rajonale të kimioterapisë, me synim që pacientët të marrin trajtim cilësor sa më pranë vendbanimit dhe që shërbimet të funksionojnë me standarde të njëjta në të gjithë territorin.
Kjo qasje do të mbështetet edhe nga Rrjeti Kombëtar i Onkologjisë dhe Instituti Kombëtar i Tumoreve, të cilët do të krijojnë një model të integruar të kujdesit onkologjik, duke lidhur shërbimet rajonale me qendrën universitare dhe duke garantuar koordinim më të mirë të diagnostikimit, trajtimit dhe ndjekjes së pacientëve.
“Ne po ndërtojmë një sistem ku nuk ka rëndësi nëse pacienti jeton në Korçë, Shkodër, Vlorë apo Tiranë. Standardi i kujdesit duhet të jetë i njëjtë. Instituti Kombëtar i Tumoreve dhe Rrjeti Kombëtar i Onkologjisë do të na mundësojnë pikërisht këtë: një sistem të integruar, ku ekspertiza, protokollet dhe teknologjia lidhen me njëra-tjetrën dhe ku pacienti është në qendër të çdo vendimmarrjeje.”
Përveç kimioterapisë, Spitali Rajonal i Korçës po fuqizon edhe kapacitetet diagnostikuese. Shërbimi i radiologjisë është pajisur me teknologji moderne, ndërsa së shpejti do të instalohet edhe sistemi RIS/PACS, i cili do të mundësojë menaxhim dhe akses më efikas të informacionit radiologjik dhe do të krijojë mundësi për një diagnostikim më të shpejtë dhe më të koordinuar.
Investimet në Korçë dhe në pikat e tjera rajonale janë pjesë e një vizioni më të gjerë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale: nga një kujdes onkologjik i përqendruar, drejt një rrjeti kombëtar të integruar, ku infrastruktura, teknologjia, ekspertiza dhe protokollet e trajtimit bashkohen për t’i ofruar pacientit më shumë siguri, më shumë cilësi dhe më shumë mundësi për ta marrë kujdesin pranë shtëpisë.










