Kreu i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash u takua me drejtues të Listës Serbe, pas kundërshtimeve të kësaj partie ndaj tërheqjes graduale të pranisë së misionit paqeruajtës të NATOs nga ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Gjatë takimit, palët diskutuan situatën e sigurisë në veri të Kosovës dhe procesin e riorganizimit të trupave të KFOR-it atje.
Ulutash tha se ky proces ka nisur për shkak të përmirësimit të situatës së sigurisë, por do të zhvillohet gradualisht dhe në varësi të gjendjes në terren. Ai theksoi se trupat mund të rikthehen ose të shtohen nëse zhvillimet e ardhshme rrezikojnë sigurinë e qëndrueshme në Kosovë apo stabilitetin rajonal.

KFOR-i bëri të ditur se, edhe pas përfundimit të këtij procesi, do të ruajë prani të fuqishme në Mitrovicën e Veriut dhe në pjesën veriore të Kosovës, ndërsa do të jetë i gatshëm t’i përgjigjet çdo zhvillimi të ri të sigurisë.
Lista Serbe kishte kërkuar ndalimin e tërheqjes graduale nga ura, duke argumentuar se prania e KFOR-it përbën një faktor të rëndësishëm stabiliteti dhe se ndryshimet në siguri duhet të bëhen me kujdes për shkak të tensioneve të së kaluarës.

Ura kryesore mbi lumin Ibër, e cila lidh Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare me atë të Veriut me shumicë serbe, është ruajtur nga KFOR-i që nga përfundimi i luftës në vitin 1999. Aktualisht, ajo është e hapur vetëm për këmbësorë.