Ministria e Mbrojtjes informon se deri në orën 17:00 janë regjistruar 24 vatra zjarri, nga të cilat 8 mbeten aktive, 4 nën mbikëqyrje dhe 1 nën kontroll.
Për përballimin e situatës janë angazhuar në nivel kombëtar të paktën 369 forca të strukturave vendore dhe rajonale, të mbështetura nga 270 efektivë të Forcave të Armatosura. Në total, angazhimi arrin në të paktën 639 forca, ndërsa FA mbështesin operacionet edhe me 5 automjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Në Gojan–Gjegjan–Tërbun, Pukë, vijon një angazhim i përforcuar me 255 forca dhe 11 mjete zjarrfikëse. Konkretisht, janë angazhuar 50 efektivë MZSH nga Puka, Fushë-Arrëzi, Kamza, Kukësi, Hasi dhe Shkodra, 14 punonjës të Shërbimit Pyjor, 68 punonjës të shërbimeve vendore, 70 vullnetarë dhe banorë të zonës, si dhe 53 efektivë të FA-së. Operacioni mbështetet nga 2 helikopterë të FA-së. Situata paraqitet e përmirësuar në sipërfaqet pyjore të Gojanit, në lagjen Meshursh, Gojan i Vogël dhe Gjegjan, ndërsa zjarri vijon të jetë aktiv në drejtim të Gojanit të Vogël dhe zonës së Prozhemit. Situata paraqitet më e rënduar në lagjen Pepaj, Gojan i Madh, ku vatra është afruar pranë banesave. Deri tani raportohen 4 banesa të pabanuara të djegura, ndërsa një banesë e banuar që ishte në rrezik është shpëtuar. Për mbrojtjen e banesave janë dislokuar 5 mjete zjarrfikëse dhe 30 forca ushtarake, ndërsa aktualisht vijon ndërhyrja nga ajri me 1 helikopter.










