Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës u ndërpre pas tensioneve të krijuara në sallë, ku deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj, tentoi të godiste me vezë kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Pak më parë, Kurti kishte kërkuar më shumë kohë për arritjen e një marrëveshjeje politike.

“Prandaj, që t’i evitojmë zgjedhjet e reja, ju lus për kohë shtesë”, tha Kurti.
Menjëherë pas fjalës së tij, Kadriaj u afrua dhe nisi të gjuante me vezë në drejtim të Kurtit. Pas incidentit, deputetë nga grupe të ndryshme parlamentare u ngritën në këmbë dhe pati shtyrje fizike në sallë.

Për shkak të tensioneve, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, vendosi të ndërpresë punimet e Kuvendit.