Presidenti amerikan Donald Trump nuk pritet të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore në “Ground Zero” më 11 shtator, në 25-vjetorin e sulmeve terroriste ndaj Kullave Binjake.

Sipas “New York Post”, Trump planifikon ta përkujtojë këtë përvjetor në Pentagon, i cili ishte një nga objektivat e sulmeve të 11 shtatorit 2001.

Sipas një burimi të informuar, presidenti nuk e ka në axhendë pjesëmarrjen në ceremoninë që zhvillohet çdo vit në Manhattan, në vendin ku dikur qëndronin kullat e World Trade Center.

Megjithatë, deri më 14 gusht ishte parashikuar që Trump të merrte pjesë në ceremoninë e Ground Zero, ndërsa arsyeja e ndryshimit të planit nuk është bërë e qartë.

Një nga arsyet e raportuara mund të jetë fakti se organizatorët e ceremonisë nuk lejojnë politikanët të mbajnë fjalime në Ground Zero, rregull i vendosur që prej vitit 2012. Në ceremoninë e këtij viti pritet të marrë pjesë në vend të Trump zëvendëspresidenti amerikan JD Vance.

Përvjetori i 25-të i sulmeve, ku humbën jetën 2.977 persona, zhvillohet një ditë pas përfundimit të konventës dyditore të Partisë Republikane në Dallas, ku Trump pritet të marrë pjesë në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e nëntorit.

Pas ceremonisë në SHBA, Trump pritet të udhëtojë drejt Irlandës më 12 dhe 13 shtator, ku do të takohet me punonjës të ambasadës amerikane dhe drejtues biznesesh, si dhe do të ndjekë turneun Irish Open në fushën e tij të golfit në Doonbeg.