Turqia, Arabia Saudite dhe Pakistani pritet të nënshkruajnë këtë të premte një marrëveshje të përbashkët në fushën e mbrojtjes, gjatë një samiti trepalësh në Riad.

Lajmi është bërë i ditur nga Reuters, duke cituar dy burime rajonale me njohuri të drejtpërdrejta mbi takimin.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdo?an, do të zhvillojë një vizitë njëditore në Arabinë Saudite, ku do të takohet me Princin e Kurorës, Mohammed bin Salman, dhe Kryeministrin e Pakistanit, Shehbaz Sharif.

Sipas kreut të Komunikimit të Presidencës turke, Burhanettin Duran, në fokus të samitit do të jenë siguria rajonale, bashkëpunimi në mbrojtje, kërcënimet ndaj lundrimit detar dhe zhvillimet që lidhen me luftën mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.

Sharif mbërriti në Arabinë Saudite të enjten për një vizitë zyrtare treditore, i shoqëruar edhe nga shefi i ushtrisë pakistaneze, marshalli Asim Munir.

Sipas burimeve të Reuters, marrëveshja trepalëshe e mbrojtjes do të nënshkruhet gjatë takimeve të së premtes.

Nënshkrimi vjen në një periudhë kur Turqia po zgjeron bashkëpunimin ushtarak me Arabinë Saudite. Tregtia mes dy vendeve arriti në 8.5 miliardë dollarë deri në fund të vitit 2025, e nxitur kryesisht nga eksportet turke të industrisë së mbrojtjes.

Mes marrëveshjeve më të rëndësishme janë kontrata për furnizimin me dronë të prodhuesit turk Baykar, bashkëprodhimi i mjeteve ajrore pa pilot, transferimi i teknologjisë dhe trajnimi i personelit.

Në muajin shkurt, Ankaraja dhe Riadi finalizuan gjithashtu një marrëveshje për prodhimin e përbashkët të helikopterit turk Gökbey, ndërsa vijojnë diskutimet për pjesëmarrjen saudite në projektin e avionit luftarak të gjeneratës së pestë KAAN.

Takimi në Riad zhvillohet vetëm një javë pasi Arabia Saudite prezantoi një koalicion shumëkombësh detar për mbrojtjen e transportit tregtar në Detin e Kuq, ngushticën Bab el-Mandeb dhe Gjirin e Adenit nga sulmet e rebelëve Huthi.

Turqia dhe Pakistani kanë mbështetur zyrtarisht këtë iniciativë.