Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, gjendet përballë presionit më të madh të karrierës së tij. UEFA e ka njoftuar zyrtarisht se ai duhet të japë dorëheqjen nga posti, përndryshe do të përballet me një votim mosbesimi që mund ta detyrojë të largohet.

Sipas gazetës britanike “The Telegraph”, 55 federatat anëtare të UEFA-s janë gati të votojnë kundër Infantinos nëse ai refuzon të japë dorëheqjen, ndërkohë që organit evropian i mjaftojnë vetëm 43 federata për të thirrur zyrtarisht një votim.

UEFA ka qenë e ashpër në deklaratën e saj: “Nuk mund të vazhdojmë kështu, me skema të fshehta dhe afate të përshpejtuara, të gatuara nga individë pa emër dhe me përfitim të dyshimtë për futbollin. Duhet të identifikojmë përgjegjësit dhe t’i mbajmë përgjegjës.” Organi evropian shton se udhëheqja aktuale e FIFA-s ka humbur jo vetëm besimin e UEFA-s, por edhe atë të pjesës tjetër të familjes së futbollit.