Numri i shtetasve të huaj që aplikojnë për leje qëndrimi dhe leje pune në Vlorë është në rritje. Sipas të dhënave nga Zyra e Emigracionit, fluksi është shtuar veçanërisht gjatë sezonit turistik, duke sjellë një rritje të ndjeshme të kërkesave. Për këtë arsye, janë shtuar edhe ditët e aplikimeve.

Të huajt që kanë ardhur në Vlorë tregojnë se arsyet kryesore janë punësimi, por edhe mundësia për të jetuar në Shqipëri për periudha më të gjata. Një prej tyre tregon se prej dy muajsh ndodhet në Shqipëri dhe punon në një hotel në Vlorë.

Një tjetër, i cili jeton prej një viti në Shqipëri dhe punon në kuzhinë, thotë se po mendon të zgjasë kontratën dhe të qëndrojë në vend, pasi i pëlqen shumë Vlora, të cilën e cilëson si një vend të qetë, me njerëz të thjeshtë dhe të komunikueshëm.

“Punoj si kameriere në Dhërmi dhe më pëlqen shumë këtu. Në shtator mendoj të zhvendosem në Tiranë”, shprehet një tjetër shtetase e huaj.

Një shtetase nga Filipinet tregon se ka vetëm 11 ditë në Shqipëri. Ajo ka ardhur për të punuar me një kontratë njëvjeçare, ndërsa familja e saj ndodhet në Filipine. Ajo punon në mirëmbajtjen e shtëpive dhe vilave.

Krahas punëtorëve të huaj, Vlora është kthyer edhe në një destinacion për shtetas të huaj që zgjedhin të jetojnë në Shqipëri pas daljes në pension.

“Po, unë jetoj prej katër vitesh këtu në Vlorë. Jam në pension. Kam gjetur këtu një territor shumë të pasur me mundësi, edhe në aspektin e punës dhe zhvillimit, shumë më të zhvilluar nga sa mund të mendohet. Ndoshta në Itali ka ende një lloj pengese apo hezitimi për t’u zhvendosur këtu, por gjithsesi, kush jeton këtu e di se është një vend që mund të ofrojë shumë mundësi. Mund të them se është krijuar thuajse një komunitet pensionistësh dhe duhet të them se secili prej tyre është lidhur me Vlorën në një mënyrë të jashtëzakonshme”, shprehet ai.

Sektori i Migracionit në Vlorë trajton kërkesat për leje qëndrimi edhe për qytetet e Fierit, Beratit dhe Sarandës.

Në total, 7500 shtetas të huaj kanë marrë leje qëndrimi, ndërsa numri më i lartë i tyre është i përqendruar në rajonet e Vlorës dhe Sarandës.

Lejet e qëndrimit janë lëshuar kryesisht për punëtorë nga Filipinet, India dhe Mianmari, duke reflektuar edhe rritjen e kërkesës për fuqi punëtore të huaj, veçanërisht gjatë sezonit turistik.