Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se politika e Ukrainës nuk ka ndryshuar sa i përket mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës.
“Ne respektojmë integritetin territorial të partnerëve tanë dhe të drejtën ndërkombëtare. Sa i përket Kosovës, qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar. Jemi mirënjohës ndaj Serbisë për respektimin e integritetit territorial të Ukrainës, përfshirë Krimenë”, tha Zelensky gjatë një konference për media në Beograd së bashku me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç.
Pavarësisht se Kievi nuk e njeh pavarësinë e shpallur më 2008, Kosova i është bashkuar sanksioneve evropiane dhe të Shteteve të Bashkuara kundër Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë. Prishtina po ashtu ka strehuar gazetarë ukrainas, që janë larguar nga vendi i tyre për shkak të luftës.
Ndërkaq, Vuçiç tha se me udhëheqësin ukrainas, shteti i të cilit po përballet me pushtimin e nisur nga Rusia në shkurt të vitit 2022, ka biseduar për bashkëpunimin ushtarak.
“Çfarë do të ndodhë kur të përfundojë lufta, kjo është çështje tjetër”, tha Vuçiç, i cili e mirëpriti Zelenskyn në vizitën e parë zyrtare në Serbi.










