Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas situatës së rëndë të krijuar nga zjarri në malin e Krujës, duke bërë me dije se beteja me flakët është mbyllur pa viktima dhe pa dëme te banorët.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Rama deklaroi se zjarri përfundoi me vetëm një magazinë të shkrumbuar, ndërsa asnjë banor nuk është dëmtuar.

Kryeministri vlerësoi punën e forcave zjarrfikëse, ushtarake dhe policore, të cilat u përballën me flakët gjatë natës, në kushte të vështira për shkak të erës dhe pamundësisë për të përdorur mjetet ajrore për shuarjen e zjarrit.

Ai theksoi se forcat në terren u përballën me situatën me profesionalizëm, duke shmangur një bilanc që, sipas tij, mund të kishte qenë tragjik.

Rama shprehu mirënjohje për efektivët dhe punonjësit e angazhuar në operacion, duke i cilësuar si “heronjtë tanë të vijës së zjarreve” gjatë këtij gushti të vështirë.

Sipas Ramës, ndërhyrja e koordinuar e strukturave shtetërore bëri të mundur mbrojtjen e banorëve dhe shmangien e një tragjedie në Krujë.

Postimi i plotë:

Ka përfunduar me vetëm një magazinë të shkrumbuar dhe asnjë banor të dëmtuar, një betejë e jashtëzakonshme me zjarrin në malin e Krujës, ku në praninë e erës dhe në pamundësinë e natës për të përdorur mjete zjarrshuajtëse nga ajri, trupat tona zjarrfikëse, ushtarake e policore u përballën me heroizëm e me aftësi të spikatur profesionale, duke shmangur një bilanc që mund të kishte qenë tragjik siç fatkeqësisht po ndodh në vende të tjera të Europës në këtë verë përvëluese🔥🔥🔥

Respekt dhe mirënjohje për heronjtë tanë të vijës së zjarreve të këtij gushti sfidues, ku mbrëmë banorët e Krujës panë se nuk ishin vetën në orët e tyre tejet të vështira, siç dëshmon edhe ky mesazh ndër disa që më dërguan mbrëmë në orët e natës:

“Zoti Kryeminister ! Ju lutem zjarri po merr permasa te medha ne Kruje! Po punojne si heronj Zoti ia shperblefte …por era po e perhap me shume shpejtesi .ne eshte e mundur per perforcime te tjera ..shteti eshte ne kembe i teri 🙏”