Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi ka reaguar pas kapjes në flagrancë që iu bë një zjarrvënësi në Mirditë. Ai thotë se kushdo që ndez zjarre me djashje, duhet të përballët me ligjin dhe të marrë dënimin më të ashpër që parashikon ligji.
Reagimi i ministrit Nufi:
Zjarrvënia e qëllimshme nuk mund të trajtohet si një veprim i zakonshëm apo si një shkelje e rëndomtë! Kush ndez zjarr me dashje, duke rrezikuar jetën e njerëzve dhe duke shkaktuar dëme të rënda në pasurinë publike e private dhe në mjedis, duhet të përballet me forcën e plotë të ligjit dhe me dënimin më të ashpër që parashikon ligji!
Arrestimi i personit në fjalë është vetëm hapi i parë! Hetimi duhet të jetë i plotë, motivet dhe përgjegjësitë duhet të zbardhen dhe drejtësia duhet të japë një përgjigje të fortë! Çdo zjarrvënës që provohet se ka vepruar me dashje duhet ta kuptojë se përballë tij ka një shtet që mbron qytetarët dhe pasurinë e përbashkët!
Prej ditësh, strukturat operacionale të Mbrojtjes Civile po angazhohen intensivisht për menaxhimin e situatës së zjarreve në vend.
Zjarrfikës, forca të armatosura, punonjës të shërbimeve publike, vullnetarë dhe qytetarë po përballen me flakët, duke rrezikuar jetën dhe duke bërë gjithçka për të mbrojtur njerëzit, banesat, pyjet dhe pasurinë e vendit.
Në të njëjtën kohë, apeli është për çdo qytetar: kujdes maksimal! Në këto ditë me temperatura të larta dhe rrezik të shtuar, një pakujdesi e vogël mund të kthehet brenda pak minutash në një tragjedi të madhe. Mos ndizni zjarre në ambiente të hapura, mos hidhni bishta cigaresh apo materiale të ndezshme dhe njoftoni menjëherë autoritetet për çdo vatër zjarri apo sjellje të dyshimtë.
Respekt dhe mirënjohje për të gjithë ata që po luftojnë me flakët!
Zero tolerancë ndaj zjarrvënësve!
Maksimumi i kujdesit nga të gjithë!










