Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim me homologun e tij slloven, Tone Kajzer, në kuadër të Forumit Strategjik të Bledit. Në fokus të diskutimeve ishte procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, e ardhmja e Evropës dhe rëndësia strategjike e Ballkanit Perëndimor.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Hoxha u shpreh se takimi me ministrin e Jashtëm të Sllovenisë ishte një mundësi për të diskutuar edhe mbi forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike dhe kontakteve mes qytetarëve të dy vendeve.

Sipas Hoxhës, lidhjet ekonomike dhe njerëzore mes Shqipërisë dhe Sllovenisë duhet të jenë në të njëjtin nivel me dialogun e mirë politik që ekziston mes dy vendeve.

Një pjesë e rëndësishme e bisedës i është kushtuar procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian. Hoxha theksoi se Shqipëria dhe Sllovenia ndajnë të njëjtin qëndrim se zgjerimi duhet të mbetet një proces i bazuar në meritë, i mbështetur te reformat, rezultatet dhe besimi i ndërsjellë.

Ministri shqiptar e cilësoi gjithashtu zgjerimin e BE-së si një imperativ gjeopolitik dhe një investim për një Evropë më të fortë, më të sigurt dhe më të qëndrueshme.

Hoxha deklaroi se Shqipëria mbetet e angazhuar për të ruajtur ritmin e reformave dhe për të përmbushur detyrimet e saj, me synimin për të avancuar drejt përfundimit të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian brenda kësaj dekade.

Takimi u zhvillua në kuadër të pjesëmarrjes së ministrit Hoxha në Forumin Strategjik të Bledit, në Slloveni.