Në postimet që qarkullojnë për Tiranën, mbështetja nga llogari që vetëidentifikohen si ANTIFA shprehet hapur. “Antifa Tirana” shpall solidaritet me studentët. Një tjetër postim mban emërtimin “TIRANA RIOTS – ANTIFASCIST” dhe parullën “Fashizmi shtypet në rrugë”. Identitetin politik e deklarojnë vetë publikuesit.
Mesazhet ndërkombëtare e vendosin Shqipërinë në hartën e një revolte kundër sistemit, nën refrenin se të rinjtë “nuk kanë më asgjë për të humbur”. Ka, pra, mbështetje dhe inkurajim publik nga llogari që deklarohen antifashiste. Kjo nuk dëshmon se ato drejtojnë sulmet, por e bën të dukshëm angazhimin e tyre politik.
Shqetësimi qëndron te gjuha që e vesh përplasjen me petkun e heroizmit. Nga siguria e ekranit është e lehtë të shpallësh se një brez nuk ka çfarë të humbasë. Në rrugë, çmimin e paguajnë të rinjtë, familjet e tyre dhe njerëzit që lëndohen. Për ta, pasojat vazhdojnë edhe pasi videoja pushon së qarkulluari.
Kërkesat studentore meritojnë përgjigje. Dhuna kërkon përgjegjësi. Kush mbështet protestën duhet të gjejë edhe kurajën të dënojë sulmet ndaj policëve dhe pronës. As zemërimi, as kauza dhe as etiketa “antifashist” nuk e kthejnë molotovin në argument.










