Partia Socialiste nuk do të pranojë formulën e propozuar një ditë më parë nga Gazment Bardhi për zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit.

E gjithë lista e kandidatëve që ka marrë më shumë se 28 vota do kalojë për votim në seancë plenare, dhe jo një kandidat i vetëm siç propozon PD, mësoi gazetarja e Euronews Albania, Eksiola Shehu.

Euronews Albania mëson gjithashtu më 11 dhjetor parlamenti do te votojë Avokatin e ri të Popullit. Në këtë datë do të mbahet seanca për votimin e buxhetit nen për nen për vitin 2026.

Një ditë më parë, kreu i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla tha në një komunikim për mediat nga Kryesia e Kuvendit se PS nuk do propozojë asnjë emër për Avokatin e Popullit, por do mbështesë kandidatët e propozuar nga opozita.

Balla tha se mazhoranca do presë të mbarojë afati zyrtar për dorëzimin e kandidaturave për të thënë fjalën e saj të fundit.