I pyetur për non-gratan e Sali Berishës nga SHBA-ja, ish-ambasadori amerikan i Shqipërisë, Christopher Hill, u shpreh se personalisht nuk zgjidhte sanksionet si mjetin e parë.

Në një intervistë në “Exclusive” për gazetaren Kristi Gongo, ai u shpreh se do të ishte më mirë të mos komentonte non-gratën e ish-kryeministrit dhe nëse kjo e fundit ishte lobuar nga George Soros.

-Ju e keni njohur Berishën nga afër që në ’91, si ju duket fakti që ai është në krye të PD dhe faktor në politikën shqiptare edhe pas 35 vitesh?

Hill: Eh, e jashtëzakonshme, por unë qëndroj larg politikës suaj të brendshme. Ishte krejt një botë ndryshe 35 vjet më parë. Por unë nuk jam dikush që mendon se duhet të jem aktiv duke u thënë njerëzve kë të vazhdojnë të mbështesin dhe kë të mos mbështesin. Nuk është puna ime. Është puna e tyre.”

-A ishte shpallja e tij non-grata një lobim i Soros apo besoni që ka pasur arsye të qenësishme për këtë vendim të administratës Biden?

Hill: Unë punoja në Universitetin e Denverit në atë kohë. Jo, isha në Columbia në fakt. Shiko, kam mendime personale për këtë se a janë këto lloj sanksionesh të dobishme apo jo. Si rregull i përgjithshëm, për mua, unë jam një person që nuk zgjedh sanksionet si mjetin e parë. Zgjedh dialogun, që do të thotë të përpiqesh të zgjidhësh gjërat, por nuk jam në pozicion të komentoj ndonjë deklaratë për sanksione. Mendoj se do të ishte një gabim për një ish-diplomat amerikan të vinte e të bënte shumë komente për këtë. Nuk mendoj se ndihmon askënd./Top Channel