Nis zbatimi i projektit për instalimin e një sistemi sigurie, përmes kamerave inteligjente. Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në aktivitetin “Smart city Albania”
Rama tha se ky projekt do ta rendisë Shqipërinë në nivelin më të lartë të teknologjisë edhe në këtë drejtim, duke sjellë standarde të larta monitorimi të rrugëve të qyteteve, shkollave dhe mjediseve të tjera publike.
Para pak kohësh isha për një vizitë në Jordani, një vend me përbërje heterogjene, me një numër të lartë refugjatësh , një vend jo me pasuri të krahasueshme gjëkundi me vende të tjera rreth e rrotull dhe njëri nga tre vendet më të sigurta të botës. Por ky i yni nuk është projekt kamerash apo mbikëqyrje me kamera dhe mbikëqyrje e trupave të policisë, përmes leximit të kamerës kur del nevoja. Ky është projekt që kur vihet në jetë rrit kapacitetin policor në kohë reale. Është projekt që i jep Policisë së Shtetit një sy magjik për herë të parë në kohë reale të gjithë territorin e interesit. Është projekt që ndihmon. Flitet për identifikimin në kohë reale të shkelësit, identifikim në kohë reale nga ky sy magjik që sheh, regjistron e shënon dhe e sjell para syve të punonjësve të policisë. Ndërkohë që punonjësi i policisë mund të jetë duke parë trafikun në rrugën e Kavajës dhe po në atë ekran i shfaqet veprimi i shkelësit. Pra syri i gjithë këtij sistemi shikon gjithandej në të njëjtën kohë. Nuk ka nevojë të presim nga drejtoria e përgjithshme e transportit rrugor të Shqipërisë, që të mbledhë taksat e papaguara të drejtuesve të automjeteve…”, tha Rama.




















