Ekipi i mjekëve në repartin e ortopedisë në Spitalin Universitar të Traumës, ka kryer një ndërhyrje kirurgjikale të suksesshme te një pacient 23 vjeçar, pas një aksidenti automobilistik.

Përmes një postimi një postimi në rrjetet sociale Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, nënvizoi se falë reagimit të shpejtë dhe profesionalizmit të ekipit mjekësor, u shmangën komplikacionet te pacienti që kishte pësuar një aksident automobilistik.

Pacienti paraqiti një luksacion posterior sternoklavikular sinister, një dëmtim i rrallë dhe kompleks, me rrezik të lartë, por me ndërhyrjen kirurgjikale “Reponim i hapur me fiksim me FiberTape”, e realizuar sipas metodave bashkëkohore më të avancuara, u arrit duke shmangur komplikacionet dhe komprimimin e enëve të mëdha të gjakut që dalin nga zemra.

Prof. Dr. Vilson Ruci, Shef i Shërbimit Universitar të Ortopedisë, e cilësoi këtë ndërhyrje kirurgjikale si shumë të komplikuar që u arrit të realizohej me sukses dhe pacienti për më pak se dy muaj do t’i rikthehet jetës normale.

Ndërsa, Prof. Dr. Arben Zenelaj, shef i Shërbimit të Kirurgjisë së Këmbës Diabetike dhe Angiokirurgjisë, tha se “ky rast ishte i vështirë edhe për shkak të realizimit të sintezës së kockës së thyer, por edhe për shkak të komlikacioneve të larta që mund të ndodhnin si pasojë e dëmtimit të enëve kryesore të gjakut, të cilat ndodhen në zonën e gjoksit”.

“Rasti shkoi mirë, i pakomplikuar, në një kirurgji të kompletuar. Pacienti është mirë dhe ka dalë nga spitali”, tha Zenelaj.

MSHMS i shprehu mirënjohjen ekipit të mjekëve të SUT, Prof. Dr. Vilson Ruci Shef i Shërbimit Universitar të Ortopedisë, Prof. Dr. Arben Zenelaj, Shef i Shërbimit të Kirurgjisë së Këmbës Diabetike dhe Angiokirurgjisë, Dr. Lorenc Bode, Kirurg Ortoped, anestezistët Dr. Rexhina Sturçe dhe Dr. Ardit Kuqi, Dr. Kremantin Canaj, specializant Ortoped, instrumentare Mirushe Merja dhe infermiere Deonada Çoku.