Sistemi i kujdesit shëndetësor parësor në Shqipëri do të vijojë funksionimin pa ndërprerje gjatë periudhës së festave të fundvitit, me qëllim garantimin e shërbimeve të menjëhershme dhe të sigurta për qytetarët, njoftuan të dielën autoritetet shëndetësore.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, zhvilloi një takim me drejtues dhe përfaqësues të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH), ku u diskutuan masat e koordinimit dhe rritja e gatishmërisë së shërbimeve gjatë ditëve festive.
Sipas Ministrisë, OSHKSH administron një rrjet kombëtar që përfshin katër drejtori rajonale, 36 njësi vendore, spitale rajonale, bashkiake dhe ditore, si dhe 362 qendra shëndetësore, duke luajtur një rol qendror në ofrimin e kujdesit shëndetësor në të gjithë vendin. Autoritetet theksuan se strukturat shëndetësore do të jenë në gatishmëri të shtuar për të përballuar çdo urgjencë dhe për të garantuar sigurinë shëndetësore të popullatës gjatë festave.




















