Ministri i Mbrojtjes, Piro Vengu, deklaroi në një intervistë televizive se synimi strategjik i qeverisë shqiptare me projektin e Pashalimanit është krijimi i kapaciteteve për prodhimin e mjeteve luftarake detare në Shqipëri, duke e kthyer këtë bazë në një qendër të rëndësishme ushtarako-industriale në rajon.

Vengu theksoi se, Shqipëria ka firmosur pak javë më parë një marrëveshje bashkëpunimi ushtarak me Italinë, e cila është shoqëruar edhe me donacione konkrete për Forcën Detare shqiptare.

“Ne kemi bërë një marrëveshje me Italinë para pak javësh. Ishte momenti kur u miratua një kornizë bashkëpunimi ushtarak dhe u bënë disa donacione nga pala italiane për tre mjete: dy mjete patrulluese dhe një mjet detar më domethënës, një mjet komandimi”, u shpreh ministri.

Sipas tij, dy nga këto mjete tashmë kanë mbërritur dhe janë bërë pjesë e Forcës Detare, ndërsa mjeti i tretë pritet të vijë në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit të ardhshëm.

“Forcat tona po stërviten për ta përdorur dhe për ta manovruar. Këto mjete na sigurojnë që të kthehemi në një forcë detare me kapacitete manovrimi më të konsiderueshme dhe mjete luftimi”, theksoi Vengu.

Ministri i Mbrojtjes nënvizoi se këto zhvillime janë pjesë e përgatitjeve për projektin strategjik në Pashaliman, në bashkëpunim me kompaninë italiane Fincantieri.

“Në këtë mënyrë ne përgatitemi për atë që po bëjmë për Pashalimanin dhe Fincantierin, që të kemi prodhimin e mjeteve detare luftarake”, deklaroi ai.

Vengu sqaroi se projekti është pjesë e buxhetit afatmesëm të qeverisë shqiptare dhe se aktualisht po zhvillohen negociata me palën italiane, jo vetëm për mirëmbajtjen e flotës ekzistuese, por edhe për ndërtimin e anijeve të reja luftarake në Shqipëri.

“Jemi në një negociatë me Fincantierin që në Pashaliman jo vetëm të mirëmbahet flota jonë, por edhe të ndërtojmë anije luftarake dhe të kuptojmë pse po e bëjmë këtë gjë”, tha ministri.

Duke folur për rëndësinë gjeostrategjike të hapësirës detare shqiptare, Vengu theksoi se Adriatiku dhe Joni nuk duhen parë vetëm si destinacione turistike.

“Adriatiku dhe Joni nuk janë thjesht një horizont turistik, por janë infrastrukturë nënujore në ndërlidhje energjetike”, u shpreh ai.

Në këtë kontekst, ministri nënvizoi se investimet në mbrojtje duhet të sjellin përfitime edhe për ekonominë vendase.

“Përderisa qeveria shqiptare i kërkon Kuvendit dhe taksapaguesve shqiptarë të kontribuojnë në mënyrë domethënëse, detyra jonë është që kjo rritje buxhetesh të kontribuojë në zhvillimin ekonomik në vendin tonë dhe të prodhojë vlerë të shtuar në Shqipëri”, tha Vengu.