1
FIGURA DHE ORIGJINA E SKËNDERBEUT NË LITERATURËN GREKE

Dr. LUAN ZYKA

Kërkimet për origjinën etnike të figurave të mëdha historike mund të shërbejnë për qëllime të ndryshme; si për zbardhjen e së vërtetës historike kur jetoi dhe veproi një figurë, ashtu edhe për studimin e kushteve konkrete gjeopolitike, të etnive dhe grupeve etnike, aleatëve dhe armiqve (dhe anasjelltas), karakteristikat kulturore dhe aftësia organizuese politike e një etnie, etj.

Në rast të kundërt, kur referimet e një kërkimi të tillë bëhen me lupën e koncepteve të sotme për kombet dhe shtetformimin, kur mungon thellimi në evolucionin e tyre shpirtëror, gjuhësor dhe fetar, etj., dhe kur burimet arkivore janë të cunguara dhe jo shteruese, të qëmtuara dhe jo gjithëpërfshirëse, atëhere ato sjellin përfundime sipërfaqsore, të cilat nuk i shërbejnë së vërtetës shkencore historike, por përkundrazi e instrumentalizojnë historinë.

Në këto ujëra, sipas mendimit tim, lundron edhe një shkrim me titull: «Sa “shqiptar” ishte Gjergj Kastrioti ose Skënderbeu dhe çfarë fsheh varri në Manastirin e Hilandarit në Malin Athos ?», botuar në gazetën greke «Proto Thema», më 14 dhjetor 2025.

Në shekullin e 19-të, në kohën e zgjimit kombëtar, çdo komb ballkanik iu drejtua kujtesës së tij historike si pikë referimi, frymëzimi, fermenti dhe simbol njehsimi për homogjenizimin e kombit përkatës dhe formimin e shtetit-komb. Ashtu veproi edhe inteligjenca shqiptare e shekullit të 19-të, dhe më vonë shteti shqiptar, në trajtimin e figurës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, me të vërtetat dhe hiperbolizimet e saj, por që nuk cënojnë thelbin.

Ky nuk ishte fenomen i ri në Ballkan, por e veçanta me figurën e Skënderbeut është fakti se figura e tij, para se të bëhej temë e literaturës shqiptare, së pari “vërshoi” në letrat greke të shekullit 19-të kur bota grekë ishte në vorbullën e përpjekjeve të saj së saj për pavarsinë e vendit nga pushtuesi shekullor otoman, që u kurorëzua me Revolucionin e vitit 1821 dhe shpalljen e pavarsisë së shtetit grek në vitin 1830.

Përmendja e figurës së Skënderbeut zë fill qysh prej shekullit të 15-të, dhe këtë bibliografi të pasur trajton ky shkrim i bazuar në burime të shumta të vetë historianëve bizantinë dhe modernë grekë, të kronikanëve fetarë dhe laikë, të studjuesve, përkthyesve dhe shkrimtarëve grekë, të cilët prej shekullit të 15-të e sot, shkruajnë e dëshmojnë për luftën e tij, vendin, luftëtarë, si edhe për origjinën shqiptare të Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Burimet historike bizantine dhe pasbizantine

Historianët bizantinë edhe pse pak e përshkruajnë figurën e Skënderbeut, dhe në ato kohë përkatësia e etnike nuk trajtohej nga këndvështrimi i sotëm, përsëri në to përmenden linjat prinëdrërore të Skënderbeut, vendi ku luftoi – Alvania, dhe luftëtarët e tij -alvan(o)i.
1. Laonikos Halkokondhilis
Një nga katër historianët e famshëm bizantinë të shekullit të 15-të, në veprën e tij
“Apodheikseis Historion” – Dëshmi historike”, Vol. i 8-të, i referohet qartësisht
Skënderbeut si sundimtar i shqiptarëve:
2
«Γεώργιος ὁ Καστριώτης, Ἀλβανῶν ἡγεμών, ἀνὴρ πολεμικώτατος καὶ τοῖς Τούρκοις
φοβερός»¹.
«Gjergj Kastrioti, sundimtar i shqiptarëve, burrë jashtëzakonisht luftarak dhe i
tmerrshëm për turqit.»
Gjithashtu Laonikos shkruan;
Σκενδέρης μὲν οὖν ἐπὶ τὴν ἐς τὸν Ἰόνιον παράλιον χώραν τῶν Οὐενετῶν ὑπεξέθετο,
αὐτός τε καὶ οἱ Ἀλβανῶν,
«Skënderi atëherë u drejtua për në bregdetin jonian, në tokat e Venedikut, bashkë me
shqiptarët e tij.»
2. Sfrantzis (Frantzis) Georgios, i cili jetoi në ishullin e Korfuzit pas rënies së
Kostandinopojës më 1453, shkruan edhe për datën e vdekjes së heroit shqiptar, Gjergj
Kastriotit Skënderbeut.
Καὶ τὸν Ἰαννουάριον τοῦ αὐτοῦ ἔτους καὶ ὁ τῆς Ἀλβανιτίας αὐθέντης Σκαντάρης τέθνηκε
φυσικῷ θανάτῳ·
Në janar të atij viti (1468), vdiq zoti i Shqipërisë Skandari nga shkaqe natyrore.
3. Dhositheos – Patriarku ι Jeruzalemit në fillim të shekullit të 18-të shkruan në
dorëshkrimin e tij të famshëm historik;
Γεώργιος Καστριωτης Σκανδερμπέγγη της Αρβανιτίας.
Gjergj Kastriot Skanderbegun e Arvanitias (Arbërisë)
4. Dapontes murgu i famshem grek i shek. 18 që shkruan poezi për Skënderbeun trimin
e Shqipërisë dhe bile shkruan i shqetësuar që nuk mund të botojë një biografi të
Skënderbeut që e kishte në dorëshkrim (nga autor tjetër).
Του Καστριώτου δεύτερο του Κρόια Γεωργίου
Του ανικήτου νικητού εκείνου του αξίου.
Λέγεται και Σκεντέρμπεης ο ίδιος τούτος
Της Αλβανίας ηγεμών και της Ηπείρου πλούτος
“Kastrioti i dytë, Gjergji i Krujës,
ai fitimtari i pathyeshëm, trimi ngadhnjmtar.
Skënderbe i thotë vetes ky trim legjendar
prijës i Shqipërisë dhe i Epirit visar.
5. Georgios Dhimitriu nga Gjirokastra, në librin e tij botuar më 1785 “Gramatikë
grekolatine”, përmend luftrat e heroit shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeun.
Shkrimet greke të shekullit të 18-të dhe në vazhdim
Një pjesë e madhe e shkrimeve në greqisht për Skënderbeun janë përkthimeve të
historianëve të njohur si Paganel, Duponcet, Lamartin etj, ku në të gjitha këto shkruhet
në këtë trajtë, Georgios Kastriotis Skënderbeu, mbreti i shqiptarëve ose i Shqipërisë.
1. Karatzas, i cili konsderohet historiani i parë grek i kohës së re, në shekullin e 18-të
ka shkruajtur një përkthim të biografisë së Skënderbeut.
2. Miliarakis, profesor historian në Universitetin e Athinës, dhe sekretar i Parlamentit
grek në shekullin e 19-të shkuan një ese me titull «Ολίγες λέξεις περι της καταγωγής
του Σκεντερμπεη» (Pak fjalë për origjinën e Skënderbeut), fundin e së cilës e mbyll
më një ditiramb (si shfryerje ndaj përqasjes së kundërt)
Τέλος. Ότι ο Γεώργιος Καστριώτης Σκεντερμπέης είναι Αλβανός !
Përfundimisht. Gjergj Kastrioti Skënderbeu është shqiptar !
3
3. Paparigopulos, themeluesi i historiografisë moderne greke, në shekullin e 19-të, në
fillim ishte shprehur se Skënderbeu ishte me origjinë sllave, duke përcjell mendimin e
Karl Hopf.
Por shpejt, historiani serioz grek, ndryshon mendimin e tij, duke shkruajtur;
Ο Σκεντέρμπεης …κοινώς λογίζεται Αλβανός ουχί Έλλην
Skënderbeu… është shqiptar, dhe jo grek.
4. Palamas, poet kombëtar grek i shekullit të 19, në poezinë e tij «Vajza e Limnos»
përmend Skënderbeun,
ανίκητε Αρβανήτη
Shqiptar i pamposhtur.
5. Sathas, studiues i burimeve mesjetare, e përfshin qartë Skënderbeun në familjet
feudale shqiptare:
“Familja e Kastriotëve bën pjesë ndër dinastitë më të shquara shqiptare të shekullit të
15-të”
6. Spiridon Lambros shkruan;
Skënderbeu ishte hero kombëtar i shqiptarëve
7. Dhimitsas – intelektuar i shquar grek me origjinë nga Ohri, ish drejtor gjimnazi në
Athinë dhe Selanik, ka botuar në vitin 1887 një studim tërësor prej 180 faqesh për
origjinën e Skënderbeut me titull «Kërkime kritike për prejardhjen dhe kombësinë e
Gjergj Kastriotit Skënderbeut», ku me argumenta të dokumentuara historike dhe me
një analizë shteruese thekson se Skënderbeu ështe e origjinë shqiptare.
8. Leons Leontiou, publicist i njohur grek shkruan më 1897;
…μέγιστος τῶν ἡρώων τῆς ᾿Αλβανίας, ὁ γενικὸς αὐτῆς ἀρχηγός Γεώργιος Καστριώτης ὁ
Σκεντέρμπεης»
I madhërishmi i heronjëve shqiptarë udhëheqësi i saj Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Origjina e Nënës së Skënderbeut, Vojsavës

Lidhur me origjinën e nënës së Skëndërbeut, mund të themi se kemi të bëjmë me rastin
klasik të shprehjes së gjeografit të madh të shek 1-rë Strabonit, i cili shkruan për vështirësitë me të cilat iu desh të përballej në përshkrimin e popujve të Ballkanit. Sepse, sipas tij, aq shumë janë përzier midis tyre racat atje.

Megjithatë për Vojsavën burimet historike janë të dy anshme, ka nga ato që e konsiderojnë nga familje serbe, por pa asnjë dokument, përveç faktit se Vojsava ishte nga fisi i Triballëve që jetonte në zonën e Tetovës.

Ndërsa për fisin e Triballëve mendimet janë të ndryshme në kohë të ndryshme, që nga
Staraboni që i konsideronte Thrakë, Stefani shkruan se triballet janë Ilirianë (Τρίβαλλοι
έθνος Ιλλιρικό, dhe Halkokondili shkruan se janë sllavë.

Për prejardhjen e Vojsëvës theksohet se ishte me lidhje gjaku të afërta me derën e madhe të Muzakajve. Dy të dhëna interesanta jepen në librin e Gjon Muzakës «Kujtim i shkurtër mbi pasardhësit e familjes sonë të Muzakajve» (Breve memoria de li discendenti de nostra casa Musachi), të shkruajtur më 1510 dhe të botuar në Chroniques gréco-romaines në vitin 1873 në Paris nga Karl Hopf. Vetë Gjon Muzaka shkruan se Muzakajt e kishin prejardhjen nga Mollosët e Epirt, dhe paraardhësi i tyre, Andrea Muzaka, mundi mbretin e Bullgarisë, Vukashin. Ndërsa i biri i tij, Kostandin Muzaka, thekson se Triballët, sot quhen serbë. Gjithashtu, lidhur me përkatësinë racore apo etnike të Triballenjve kemi një dëshmi me shkrim në një Shërbesë për Gjon Vladimirin (Shën Gjoni i Shijonit në Elbasan) e shekullit të 18-të ku shkruhet;
4
… τα μέρη τούτα των Τριβαλλών της Αλβανίας
…këto vende të Triballenjve të Shqipërisë.
Megjithatë, martesat midis sundimtarëve të ndryshëm të asaj kohe kryesisht mbështetesin tek forcimi i aleancave midis tyre pa prëfillur prejardhjen racore, të ciln pasardhësi e merrte nga linja mashkullore e familjes.

E çfarë mund të themi për perandorin e fundit të Bizantit Kostandin Paleologun, i cili përveç mbiemrit si romios (grek), njihet edhe me mbiemrin Dragaçi, sepse e ëma e tij ishte me origjinë serbe ?!

Mati i Skënderbeut dhe Imathia e Maqedonisë

Autori i shkrimit në gazetë i referohet Papa Pius II, të shek të 15-të, i cili shkruan se Skënderbeu ishte me prejardhja nga Imathia e Maqedonisë. Kjo tezë e Papës është hedhur poshtë që para 2 shekujsh nga Fallmerayer, i cili i bëri një leksion gjeografie Papës, duke theksuar se tjetër është Imathia e Shqipërisë së Mesme, dhe tjetër Imathia e Maqedonisë në Greqinë Veriore.

Bile lidhur me kuptimet e zonave të mëdha gjeografike, ato duhen shikuar në kontekstin konkret të kohës. Meletiu (Mitro i thoshin në vendlindjen e tij në Epir), një nga gjeografët e
mëdhenj grek, peshkopi i Athinës më 1703 shkruan për pozcionin gjeografik të
Shqipërisë;
…Αλβανία ήτοι Αρβανιτία…το δυτικό μέρος της Μακεδονίας
Shqipëria, dmth, Arvanitia…pjesa jugore e Makedonisë. Dhe pastaj çuditemi pse Skënderbeu e quante veten edhe pasardhës i Aleksandrit të Madh të Maqedonisë ! Kaq të ndërthurura ishin lidhjet, përzierjet dhe paqartësitë gjeografike dhe racore në ato kohë.

Skëndërbeu në kujtesën historike të shqiptarëve

Pavarsisht ndërprerjes së ngjizjes së kombfomrimit shqiptar pas vdekjes së Skënderbeut dhe pushtimit otoman, me pasojë tjetërsimin fetar dhe social të racës shqiptare, dhe shkatërrimi i cdo dëshmie për Skënderbeun, deri tek eshtrat e tij, përsëri kujtimet për Skënderbut nuk u shuan tërësisht në folklorin e shqiptarëve. Sado që dëshmitë janë të rralla, ato përbëjnë vërtetime të ngulitura ne gjenetikën kulturore të kujtimit të epokës Skënderbiane.

Këto dëshmi gjenden edhe në shkrimet greke. Në fillim të shekullit të 19-të, studjuesi grek me banim në Austri, Stagjeritis në një botim të tij përmend se, populli i Himarës akoma sot e kësaj dite (fillim i shekullit 18-të), këndon këngë trimërie për Skënderbeun.

Studjuesi grek Vamvas, në një studim për arbëreshët në vitin 1877 përshkruan një histori që e tregonin arbëreshët e Italisë për Skënderbeun dhe djalin e tij Gjonin. Ka dëshmi me shkrim se sunduesi shqiptar i Shkodrës, Kara Mahmut Bushatlliu, në shekullin e 18-të e quante veten si një Skëndërbe i dytë. Jani Vreto shkruan në mes të shekullit të 19-të se ishte njohur me hostorinë e
Skënderbeut nga shokët e tij në gjimnazin e famshëm Zosimea të Janinës, ku ishte nxënës. Që në fillim të shekullit të 19-të në letërsinë grek shkruhen e botohen poezi, drama dhe tregime për mbretin e shqiptarëve, Skënderbeun. Nuk janë pak ato që kemi gjetur deri tani, por janë mjaftueshëm për të dëshmuar praninë e Skënderbeut në kujtesën historike të shqiptarëve.

5

Kastriotët dhe lidhjet e tyre fetare

Ashtu si gjithë ballkani, edhe shqiptarët i përkisnin fesë së krishterë, ku pas sqizmës së 1054 u ndanë zonat e krishtërimit katolik me atë ortodoks. Përveç lidhjeve me kishën katolike në Veriun e Shqipërisë, shqiptarët, në pjesën më të madhe, u gjendën në qendër të vorbullës së dy kishave si edhe në presionin e madh të kishave bullgare dhe sidomos asaj serbe, që i dhanë karakter etnik organizimeve të tyre fetare. Sidomos në fundshekullin e 14-të dhe fillim shekullin e 15-të, me ardhjen e osmanëve, shqiptarët pësuan shndrime të mëdha fetare, bile edhe brenda familjeve të
tyre, ashtu siç përmend edhe prifti nga Voskopoja Nektar Terpo në shekullin e 18-të. Në këtë kuadër, duhet shikuar edhe përkatësia fetare e Kastriotëve dhe e Skëndërbeut, ku për të ruajtur status qup-n e tyre shfrytëzuan lidhjet e ndyshme fetare, si me faktorin katolik. Ashtu edhe me atë ortodoks. Të njëjtën gjë bën në atë kohë edhe perandorët bizantinë, për të bashkuar kishën ortodokse me kishen katolike, me qëllim politik për t’i përballuar kërcënimit otoman. Lidhur me praninë e Kastriotëve në Manastirin e Hilandarit, në Malin e Shenjtë, duhet të theksojmë se në kodikët e atij Manastiri janë të shkruajtur për tu përmendur në shërbesat fetare jo vetëm Gjon Kastrioti dhe një nga djemtë e tij, Reposhi, por edhe dy arvanitas, të quajtur Niqifor dhe Kostandin. Kështu që prania e shqiptarëve të rëndësishëm aty nuk ishte e vogël, fakt i cili hedh dritë se ai manastir ka qenë i banuar edhe nga murgjër të tjerë ortodoksë shqiptarë. Dihet që Kastriotët ishin ktitor (dhurues, ndërtues) të mëdhenj të këtij manastiri, ku ekzistojnë marrëveshjet midis Gjon Kastriotit dhe Igumenit të Manastirit, duke i dhuruar dy fshatra, Radonishtë dhe Trebishtë dhe duke i paguar 60 florina për të pasur të drejtën e përdorimit të katër adhalfateve, (truall me ndërtesën e kullës së shqiptarit “Arbanskij pirg” dhe me sipërfaqe bujqësore). Në shekujt 16 dhe 17 në këtët manstir vihet re prania e rumunëve, të cilët dhanë shuma të madha për mirëmbajtjen e tij. Për lidhjet fetare të Skënderbeut me botën ortodokse duhet të theksojmë pritjen e përzëmërt dhe qëndrimin për shumë kohë në oborrin e Skënderbut të Shën Nifonit, ish-patriarkut të Kostandinopojës bashkë me Kryepeshkopin e Ohrit Zaharia, i cili u bë nuni i Skënderbeut ndërsaa Shën Nifoni vëllami i tij.

Brenda kishës së Shën Gjergjit është edhe varri i Reposhit ku shkruhet «Duka i Ilirisë», ndërsa varret e zhupanëve serbë shkruajnë për përkatësinë e tyre serbe. Si edhe kulla që mori në shërbim Gjon Kastrioti vazhdon e quhet prej asaj kohe “arbanskij pirg”. Ҁfarë të dhënash të tjera duhen për të sqaruar përkatësinë etnike të Kastriotëve ?! Bile, duhet të shtojmë se në shekullin 15 -të ne Malin e Shenjtë kishte me dhjetra murgj shqiptarë, dhe në dokumentat e kohës shkruhet se dy manastire, ai i Karakallu-t dhe Filothei-t quheshin manastire shqiptare sepse murigjit ishin shqiptarë ortodoksë. Po ashtu theksojmë se perandori Joan Paleologu mbas Marrëveshjes së Firencë-Ferrarës në vitet 1438-39, lejoji ushtrimin e shërbesave në ritin katolik në kishat e ortodokse të Kostandinopojës.

Shqiponja dykrenore

Deri tani dihet se shqipnja dykrenore është përdorur për herë të parë nga fiset Hittite rreth 17 shekuj para erës së re. Qysh prej atëherë, emblema e shpendit të fuqishëm është përdorur si nga popujt e krishterë, ashtu edhe nga popujt arabë,6 selxhukët etj. Gjthashtu është përdorur në shekullin e 15-të si emblemë e Perandorisë së Shenjtë Romake.
Ndërsa në Bizant mendohet se është përdorur për herë të parë nga Dinastia e Komninos në shek e 11-të, si edhe më pas nga dinasti të ndryshme, por asnjëherë si emblemë zyrtare konstante e Bizantit sepse sipas studjesve grekë Svoronos etj. theksohet se
το Βυζάντιο ουδέποτε εγνώρισε τας σηματολογικάς συνηθείας της Δύσεως

Bizanti kurrë nuk ushtroi sistemin heraldik të Perëndimit. Shqiponja dykrenare që përdorte Skënderbeu në flamur tek vulat, tek stema etj., ishte një praktikë e njohur e shumë sunduesve të Bizantit, të Perëndimit, të Serbisë, Armenisë etj. Kështu që përdorimi i këtij simboli nga Skëndërbeu, ia lartëson më gjasa vlerën Skënderbeut dhe jo e kundërta, siç lihet të kputohet në shkrimin e përmendur të gazetës.

Në shekullin e 15-të bota bizantine ishte e drobitur dhe në shthurje administrative dhe e copëtuar gjeografikisht, serbët, kur para një shekulli ishin fuqi e madhe tashmë ishin në shthurje të plotë dhe të nënshtruar ndaj otomanëve, dhe kur bullgarët nuk po ndiheshin më, furia otomane po pushtonte gjithshka. Vetëm shqiptarët dhe popullsitë e tjera që jetonin në këtë pjesë të Ballkanit që kryesisht quhej Arbëri, po rezistonin akoma nën udhëheqjen e Skënderbeut, për jetë a
vdekje në emër të lirisë së tyre dhe të vendit ku jetonin. Dhe luftën për liri e bëjnë popullsitë me vetëdije të përbashkët gjeografike, shpirtërore dhe etnike. Studimi i burimeve në literaturën greke, i dëshmuar nga personalitetet më serioze greke; historianë, kronistë, studjues nga shkrimtarë që prej shekullit të 15-të e tëhu, na jep një përfundim të qartë se origjina shqiptare e Gjergj Kastriotit Skënderbeut është fakt historik i padiskutueshëm, dhe se vepra e tij në krye të shqiptarëve përbën një kërthizë lidhëse në formimit etnohistorik të kombit shqiptar.