Me rastin e festave të fundvitit, Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, zhvilloi një vizitë në Institutin e të Miturve në Kavajë, duke zgjedhur të jetë pranë atyre që kanë më shumë nevojë për vëmendje, prani dhe ngrohtësi njerëzore.

Gjatë vizitës, ministri theksoi rëndësinë e këtij institucioni për sistemin e drejtësisë penale dhe për shoqërinë shqiptare në tërësi.

Instituti i të Miturve në Kavajë shërben si një strukturë kyçe ku të miturit që kanë kryer vepra penale nuk trajtohen vetëm në aspektin e sigurisë dhe mbikëqyrjes, por mbi të gjitha përfshihen në procese rehabilitimi, edukimi dhe formimi, me synim riintegrimin e tyre në shoqëri.

“Shtylla kryesore e këtij institucioni është t’u japë këtyre të rinjve mundësi reale për ndryshim, arsimim dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë, pa paragjykime dhe stigma,” u shpreh ministri Lamallari, duke nënvizuar se çdo i mitur meriton një shans të dytë.

Ministri vlerësoi gjithashtu punën e përkushtuar të stafit të institutit, i cili çdo ditë angazhohet për trajtimin me dinjitet të të miturve, përfshirjen e tyre në programe arsimore, psikosociale dhe profesionale, si dhe për forcimin e shpresës dhe përgjegjësisë personale tek ta.

Në mesazhin e tij, Lamallari riafirmoi angazhimin e Ministrisë së Drejtësisë për ndërtimin e një sistemi drejtësie që nuk kufizohet vetëm në ndëshkim, por që ka në qendër rehabilitimin, parandalimin e përsëritjes së krimit dhe investimin tek të miturit dhe të rinjtë, si garanci për një të ardhme më të sigurt dhe më të ndritur për Shqipërinë.

Vizita u shoqërua edhe me mesazhe solidariteti dhe humanizmi, duke e kthyer këtë takim në një moment reflektimi dhe shprese, në prag të festave të fundvitit.