Kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj në ditën e 15-të para kryeministrisë tha se në protestën që partia demokratike do të zhvillojë sot të jetë përtej logove të partisë.

Lapaj theksoi në ‘Sot Live në Shqipëri’ se gjatë protestave partitë duhet lënë në seli në mënyrë që të protestojmë si qytetarë, teksa nga ana tjetër mbetet i distancuar nga protesat e organizuar nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

“Jemi këtu dhe pardje kemi organizuar një protestë të madhe. Nëse PD vjen me flamujt e partisë sigurisht që do të bëj protestën e vetë, unë s’jam zot i qytetit dhe as njeriu që vendos ku bëhen protestat, respektoj çdo protestë. Por uroj që demokratët të jenë në shesh përtej logove dhe flamujve partiakë sepse do të krijonte një bashkim më të madh të qytetarëve.

Ne këtu jemi pa logo. Besoj fortë që ne duhet të bashkohemi para autokracisë së Edi Ramës. Partitë duhet t’i lëmë në seli dhe t’i bëjmë gati kur të jenë zgjedhjet dhe në qytet të dalim si qytetarë. Këtu i vetmi flamur që duhet të ngrihet është flamuri kombëtar, pasi Shqipëria ka nevojë të rrëzojë regjimin e Ramës”, tha Lapaj.