Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka zhvilluar mbrëmjen e sotme një vizitë simbolike në zemrën e Shkupit të vjetër, ku vendosi një kurorë nderi pranë monumentit të Gjergj Kastriot Skënderbeut. Ceremonia u zhvillua në një atmosferë solemne, duke vënë në pah rëndësinë historike dhe simbolike të figurës së heroit kombëtar shqiptar.
Në këtë moment kujtese dhe respekti, ministrja Spiropali shoqërohej nga Zëvendëskryeministri Arben Fetai, Kryetari i Komunës së Çairit Izet Mexhiti, si edhe përfaqësues të tjerë të pushtetit lokal, të cilët theksuan vlerat e qëndresës, dinjitetit dhe shpirtit europian që përfaqëson Skënderbeu.
Pas ceremonisë zyrtare, aktivitetet vijuan me një shfaqje artistike festive, ku tingujt e tupanëve dhe prania e fëmijëve me veshje tradicionale dhe simbole kombëtare i dhanë ngjarjes një dimension kulturor dhe emocional.
Vizita u konsiderua si një kujtesë e përbashkët për rrënjët e forta historike dhe kulturore të shqiptarëve, si dhe për aspiratën e pandarë drejt Evropës, duke nënvizuar lidhjen mes trashëgimisë historike dhe të ardhmes europiane të rajonit.




















