Komisioni i Etikës në Kuvendin e Shqipërisë u mblodh këtë të martë për të diskutuar mbi tensionet dhe ngjarjet e seancës së së enjtes së kaluar. Pas mbledhjes së Sekretariatit të Etikës, Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, dha një deklaratë për mediat.
Ulsi Manja theksoi rëndësinë e procedurave dhe respektimin e rregullores:
“Në respekt të opinionit publik por edhe të mediave, duke qenë se Sekretariati për Etikën sipas Rregullores në mënyrë taksative i zhvillon me dyer të mbyllura mbledhjet, sepse është organ pune i Kuvendit, pavarësisht se nga deputetët e opozitës që unë kam kërkuar të jenë të pranishëm, sepse janë deputetë ndaj të cilëve kërkohet masë, si rregull duhet të dëgjohen. Sot pamë pamjet nga seanca jo normale, me veprime të dhunshme, ju ishit dëshmitarë dhe prezentë.”
Pas vendimit për përjashtimin e deputetëve të PD nga seancat plenare për 30 ditë, reagoi edhe deputeti i PD-së, Flamur Noka:
“Urdhrat e Suelit dhe Agasit nuk na trembin. Me vërshimin e qytetarëve dje në bulevard këta e kanë marrë mesazhin ndaj janë të tërbuar. Nuk ndalemi deri në çmontimin e tyre. Po u rrëshqet dheu nën këmbë, jemi të vendosur të çojmë deri në fund misionin tonë. Gysi urdhëron dhe ne e dimë, flet me kapon ai, me atë ndan tenderat dhe urdhrat kush do të shpallet armik i pushtetit. Ikin të gjithë si lepuj në zyrën e Gysit dhe marrin urdhrat për rrëmbime, inkuizicion dhe përjashtime për opozitën. Nuk ndalemi deri në një qeveri teknike pa Belinda, Linda dhe Mirlinda.”
Ky vendim vjen në një kohë të tensionuar në Kuvend, pas një seance ku u shfaqën veprime të dhunshme dhe debate të ashpra mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës.




















