Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, janë konfiskuar pasuri me vlerë rreth 3 milionë euro të Dasho Alikos, të cilat, sipas hetimeve, nuk justifikoheshin nga burime të ligjshme.

Sipas Prokurorisë, konfiskimi është kryer në kuadër të hetimit pasuror nr. 2 të vitit 2019, pas verifikimeve financiare dhe pasurore që treguan se subjekti nuk kishte të ardhura të ligjshme për krijimin e këtyre pasurive.

“Nga hetimet rezultoi se shtetasi D.A. nuk dispononte burime të ligjshme për krijimin e pasurive të tij, ndaj u kërkua dhe u vendos konfiskimi i tyre”, thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Gjirokastrës.

Pasuritë e konfiskuara përfshijnë truall, arë, banesa, karburant, biznese, magazina dhe objekte shërbimi, të shtrira kryesisht në zonat Gjirokastër, Lazarat, Grehot, Kordhocë dhe Arshi Lengo. Mes tyre janë disa sipërfaqe toke me mijëra metra katrorë, një pikë karburanti, ndërtesa zyrash, lokale dhe magazina industriale.

Prokuroria thekson se veprimet janë ndërmarrë në zbatim të ligjit nr. 10192, datë 03.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”.

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër shpreh angazhimin e plotë për hetimin me prioritet të procedimeve pasurore, si dhe për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të paligjshme”, nënvizohet më tej në deklaratë.

Në vijim, organi i akuzës bën me dije se do të vazhdojë hetimet ndaj grupeve dhe individëve të dyshuar për pasurim të paligjshëm, duke përdorur të gjitha mjetet ligjore për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtari kriminale.