*Konferenca e plotë e kryeministrit Rama me gazetarët, ku bëri një bilanc të gjerë të arritjeve kryesore të vitit 2025, duke u ndalur në ekonomi, paga e pensione, arsim, shëndetësi, mbrojtje, digjitalizim dhe turizëm.
***
Kryeministri Edi Rama: Kjo është konferenca tradicionale e fundvitit! E dini si zhvillohet, do bëj një përmbledhje, do përpiqem të jem më i përmbledhur sesa zakonisht sepse ndërkohë kemi marrë dhe shumë pyetje nga publiku kështu që do t’i bëjmë të alternuara dhe secili prej jush do bëjë pyetjen e vet, ndërkohë që dhe publiku do bëjë pyetjet e veta.
Ju falënderoj në radhë të parë për gjithë vitin, për të gjitha punët, përpjekjet, pritjet tuaja të gjata në dyer të institucioneve apo të arenave të jetës politike dhe më lejoni ta nis këtë konferencë me një lajm që mora para pak nga Instituti Amerikan CATO, i cili është një institut i mirënjohur dhe që ndër të tjerra publikon edhe atë që quhet indeksi i indekseve, lidhur me lirinë njerëzore dhe lirinë ekonomike dhe më vjen shumë mirë që të ndaj me ju, që Shqipëria ka një pozicion shumë inkurajues, është renditur e 39-a në klasifikimin e përgjithshëm dhe vetëm e 9-ta në gjithë pjesën e Evropës lindore, sepse kështu e kanë të ndarë raportin, ku përsa i përket lirisë ekonomike, renditet përpara vendeve si Polonia apo Bullgaria, apo Kroacia, Hungaria, apo Greqia e kështu me radhe dhe po ashtu për lirinë njerëzore, ndërkohë që për lirinë ekonomike është në pozicion më të mirë, dy apo tre vende para saj.
Është një natyre pozitive, natyrisht raporte ka shumë, indekse ka shumë, po duke qenë se raportet pozitive dhe indekset pozitive nuk bëjnë lajm, shfrytëzova rastin për ta ndarë këtë më ju si një lajm të mirë, nga shumë lajme të mira për Shqipërinë, të cilat siç e thashë, nuk bëjnë lajm.
Po përpiqem të prek pak disa fusha kryesore duke filluar nga ekonomia.
Jemi në një vit ende që në aspektin e ekonomisë është ndër më të mirët, me të dhëna shumë pozitive dhe shumë inkurajuese dhe parashikohet që të mbyllet me një rritje ekonomike 3.9%. Pra, pothuajse 4% që është një rritje kuptimplotë dhe mbase më e larta në të gjithë këtë ‘’pellg’ ku gjendemi ne, në kontinentin tonë. Ndërkohë që bizneset e reja janë shtuar me afro 20%, në 11- mujorin e vitit sepse keni parasysh, nuk i kemi të dhënat e dhjetorit; investimet e huaja vetëm në 3-mujorin e tretë kanë pasur një rritje mbi 10% dhe stoku i investimeve të huaja është domethënës dhe më i lartë me mbi 10% krahasimisht me vitin e mëparshëm; paga mesatare në 3-mujorin e tretë ka rezultuar 833 euro, që është një rritje domethënëse; kemi për pak ditë edhe hyrjen në fuqi për pagën minimale që shkon në 500 euro dhe do të prekë një numër të konsiderueshëm punonjësish qoftë në sektorin privat, qoftë në sektorin shtetëror; ashtu siç e kemi thënë, kontributet për këta punonjës, për një periudhë 9-mujore do të paguhen nga punëdhënësit ndërkohë që duke filluar nga tetori i këtij viti është kryer dhe indeksimi i radhës i pensioneve, por ajo që është më e rëndësishme, është që me hyrjen e vitit të ri, nis edhe rritja e qëndrueshme e pensioneve përmes një mbështetje që do të shkojë duke u dyfishuar, trefishuar, katërfishuar, pesëfishuar vit pas viti dhe kjo është e gjitha e parashikuar në planet financiare të qeverisë.
Duke filluar nga janari, pensionet do të rriten siç e kam thënë dhe më parë dhe siç është shpjeguar gjerë e gjatë dhe nga ministrat përkatës, përtej indeksimit, pra indeksimi nuk është rritje e pensionit në kuptimin për të cilin flasim, por është një mekanizëm që lidhet me çmimet, ndërkohë që rritja që ne do bëjmë, do të jetë domethënëse vit pas viti. Dhe kështu pensioni urban me vite të plota pune, duke filluar nga janari do të rritet me 18 mijë lekë të vjetra në muaj, gjë që do të dyfishohet në janarin e 2027, trefishohet në janarin e 2028 dhe katërfishohet në janarin e 2029 dhe kështu me radhë dhe kjo vlen për të gjitha shifrat që do të jap;
Pensioni urban i pjesshëm do të rritet me 8 000 lekë në muaj, pensioni rural do të rritet me 1 000 lekë në muaj, pensioni familjar do të rritet me 700 lekë në muaj, pensioni i invaliditetit do të rritet me 600 lekë në muaj dhe kështu me radhë.
Ndërkohë kemi të dhëna shumë pozitive dhe në një fushë tjetër që ka të bëjë drejtpërdrejt me ekonominë, që është arsimi profesional ku kemi arritur në afro 20% të arsimit të mesëm të lartë, para universitar duke shënuar një rezultat të ri pozitiv, por ajo që është e rëndësishme të theksohet, është se punësueshmëria e nxënësve të arsimit profesional është shumë e lartë. Në vitin 2024, sepse 2025 del më pas, kemi pasur 63%, përqindjen e të punësuarve nga nxënësit që kryejnë arsimin profesional. Buxheti për arsimin profesional është rritur ndjeshëm këtë vit dhe do të rritet dhe më shumë në vitin e ardhshëm.
Përsa i përket politikave të strehimit social, ky vit ka pasur mbështetje për strehimin social për rreth 4 mijë familje dhe ndërkohë jemi duke përgatitur atë që e kemi bërë me dije qysh në fushatën elektorale, reformën e strehimit social për të hapur një epokë krejt të re dhe për të arritur në mënyrë shumë të ndjeshme numrin e përfituesve, jo vetëm për strehimin social, por edhe për atë që quhet strehim i përballueshëm në aspektin e çmimit.
Ndërkohë përsa i përket borxhit kemi vazhduar të kemi ulje të borxhit dhe faktikisht edhe këtë vit borxhi ulet, ndërkohë që vlerësimet e kreditit të Shqipërisë qoftë nga Standard & Poor’s, qoftë Moody’s janë pozitive dhe kanë rezultuar me rritje këtë vit, kur Shqipëria pas shumë vitesh në B+ ka kaluar në BB dhe në perspektivë të qëndrueshme për Standard & Poor’s, ndërkohë që Moody’s rriti vlerësimin nga B1 në BA3. Ka pasur për shkak të rritjes së ekonomisë një rritje kuptimplotë të të ardhurave nga tatimet dhe doganat, pa rritur taksat, kjo është shumë e rëndësishme por vetëm miradministrimin dhe rritja ekonomike kanë sjell 628 miliard lekë të ardhura të shtetit. Ndërkohë që siç e dini janë miratuar disa politika të reja qoftë sa i përket paketës fiskale me marrëveshjen e Paqes Fiskale dhe me projektligjin e faljes së detyrimeve të prapambetura tatimore dhe doganore, qoftë përsa i përket skemës së re të kompensimit të TVSH-së me 10 % për fermerët bazuar në praktikat më të mira të Bashkimit Europian.
Është po ashtu gati skema e garancisë shtetërore për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe për bujqësinë, e cila ka filluar të japi efektet e para. Ndërkohë që dua ta theksoj këtë, është e rëndësishme edhe sipas vlerësimit të SIGMA-s që është institucioni apo organizimi që bën këto vlerësime për llogari të Bashkimit Europian, krahasuar me vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria konsiderohet me shkrim, jo me gojë, – vend lider në funksionimin e administratës publike në rajon dhe në disa fusha specifike, siç është dhe menaxhimi i financave publike, shërbimet publike dhe menaxhimi i burimeve njerëzore.
Natyrisht, kjo është totalisht në kundër tendence me çfarë ziejnë 700 tenxheret politike dhe mediatike, por nuk besoj se SIGMA është një organizëm që ka ndonjë lidhje me qeverinë e Shqipërisë apo me Partinë Socialiste të Shqipërisë.
Kemi krijuar shoqërinë “AlbTrace”, e cila është një risi në jetën e vendit, falë një bashkëpunimi me Emiratet e Bashkuara, duke siguruar që Shqipëria, e cila për një kohë shumë të gjatë ka qenë e varur nga konçesione të vjetra të prodhojë pullat fiskale këtu në vend, të markojë karburantet këtu në vend dhe të ofroj një sërë produktesh të tjera nga shteti me një teknologji bashkëkohore që do të rrisin sigurinë, por patjetër do të rrisin edhe transparencën.
Kemi hapur një kapitull tjetër lidhur me nevojën për të ulur cash-in në ndërveprimet ekonomike të vendit dhe janë vendosur disa limite si fillim, por ajo që dua ta theksoj shumë fort është që deri në qershor të vitit të ardhshëm në çdo biznes që operon në sektorin e turizmit dhe në atë të transportit, do duhet të garantojë me patjetër format alternative të pagesave për qytetarët. Pra jo vetëm Cash dhe asgjë tjetër, por edhe mjetet për të bërë pagesa elektronike. Dhe brenda vitit të ardhshëm çdo biznes në Shqipëri duhet të garantojë formën alternative të pagesës në mënyrë që kushdo qoftë vendas apo turist apo vizitor të paguaj me kartë apo të paguaj me forma të tjera të pagesës elektronike.
Dy fjalë lidhur me arsimin. Më vjen shumë mirë që kemi bërë disa hapa të rëndësishëm këtë vit në arsim, duke filluar nga fuqizimi i mëtejshëm i sistemit të teknologjisë në dispozicion të nxënësve. Ka shkuar në 350 shkolla, numri i pikave të laboratorëve inteligjentë dhe do të punohet për të arritur objektivin e shpallur të bazuar edhe në financimin e vënë në dispozicion për të pasur 1000 laboratorë inteligjentë brenda vitit 2027, që do të sjellë një bazë shumë ndihmëse dhe shumë domethënëse për të gjithë fëmijët dhe për të gjithë nxënësit, që të përfshihen sa më shpejt në botën e re të teknologjisë.
Ndërkohë ka vazhduar ndërtimi dhe rindërtimi i infrastrukturës arsimore, ka filluar projekti i transportit me mjete të prodhuara këtu në vend dhe besojmë shumë që duke filluar nga sezoni i ardhshëm arsimor në vitin 2026 do të fusim në përdorim mjetet e para që do të shtrihen pastaj në të gjithë territorin për të garantuar transportin e mësuesve dhe nxënësve që deri tani është siguruar duke financuar nga buxheti i shtetit, 38 mijë nxënës dhe 12 mijë mësues për transportin e tyre në bazë të distancave.
Ka vazhduar programi kombëtar i zhvillimit profesional për mësuesit, psikologët, oficerët e sigurisë dhe në ndërkohë është nënshkruar marrëveshja për Smart City, një komponent i së cilës është rritja domethënëse e sigurisë në shkolla.
Projekti i rilindjes së liceut francez në Korçë, si një lice franko-shqiptar i shkencave dhe inovacionit, ka avancuar pozitivisht, është bërë gati struktura kurrikulare për programin, është përgatitur projektligji i posaçëm dhe është përfunduar edhe projekti i zbatimit të ndërtesës. Puna për ndërtimin e cilës do të fillojë në 2026-ën.
Në ndërkohë, siç e kemi premtuar, është dyfishuar numri i oficerëve të sigurisë në shkolla, është ulur numri i nxënësve për një psikolog dhe punonjës social që kanë arritur në 839. Është ndërtuar një mekanizëm i ri informimi në kohë reale përmes një platforme dixhitale në shkolla, që siguron komunikimin e drejtpërdrejtë mes mësuesve, prindërve dhe nxënësve. Është miratuar dhe ka filluar të jetësohet kodi i etikës për mësuesit në sistemin arsimor, ka nisur rishikimi i kurrikulave në të gjitha klasat e sistemit arsimor, ndërsa në vitin 2026 do të fillojë aplikimi i kurrikulave të reja për klasat 1, 6 dhe 10, duke u bazuar tek një qasje e re, që imponohet dhe nga koha dhe që ka të bëjë me shkencat, teknologjinë, inxhinierinë, matematikën, e kështu me radhë.
Në ndërkohë dhe në arsimin e lartë janë bërë investime që vazhdojnë. Projekte rindërtimi të godinës së Fakultetit së Inxhinierisë së Ndërtimit, të fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave dhe Muzeut të Gjeologjisë, të Fakultetit të Studimeve Profesionale të Universitetit Aleksandër Moisiu të Durrësit, Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike në Universitetin e Elbasanit. Ndërkohë që, ka përfunduar faza e parë për short listimin e studiove që do të marrin pjesë në konkursin e projektit të madh të kampusit të ri të universitetit Aleksandër Moisiu në Durrës ku kanë shprehur interes rreth 40 studio. Procesi i ndërkombëtarizimit ka vazhduar të thellohet. Diploma e përbashkët bachelor dhe master e universitetit teknik Compiègne në Francë me Universitetit Politeknik të Tiranës është tanimë realitet. Vijon transformimi i Universitetit Bujqësor të Tiranës në bashkëpunim të ngushtë me Universitetin e Boku të Vjenës me objektivin që të kemi një diplomë të njësuar dhe që faktikisht Universiteti Bujqësor i Tiranës të bëhet pikë referimi në rajon si një universitet ku mund të studiohet dhe të merret një diplomë e barasvlershme me atë të universitetit prestigjioz të Vjenës. Janë financuar një numër edhe më i madh projektesh kërkimore shkencore në bashkëpunim me diasporën akademike. Dhe janë 252 projekte dhe kjo është një shifër shumë pozitive që flet për një energjizim në proces, por shumë inkurajues i universiteteve që tanimë kanë hyrë në botën e re të lidhjes me programet e Komisionit Europian, qoftë në Horizon Europe, qoftë në programet bilaterale ku numrin më të madh të projekteve e ka siguruar Universiteti i Tiranës. Ka dhe një sërë aspektesh të tjera që lidhen me thellimin e digjitalizimit lidhur me arsimin e lartë.
Në ndërkohë që jemi në një fazë të re edhe përsa i përket thellimit të reformës në shërbimin tonë shëndetësor si edhe përmirësimin e mëtejshëm të menaxhimit të spitaleve tona publike. Prej marsit ka filluar në Spitalin Memorial zbatimi i autonomisë financiare që është një hap i madh përpara autonomia e spitaleve tona dhe në 12 spitale rajonale dhe terciare po zbatohet autonome menaxheriale.
Ndërkohë janë në proces për të filluar këtë transformim dhe 4 spitale të reja. Kjo do të thotë një ndryshim epokal për shërbimin tonë publik shëndetësor.
Në ndërkohë kemi hedhur një hap domethënës në funksion të rritjes së kapacitetit të trajtimit të pacientëve me sëmundje tumorale që janë bërë gjithmonë e më prezente në jetën e vendit dhe faktikisht është një tendencë botërore që ka një rritje shumë agresive të kancerit në përgjithësi dhe për këtë kemi vendosur një fond të posaçëm plus prej 15 milionë eurosh si fillim. Në ndërkohë që kemi filluar punën për dy gjëra. Së pari krijimin e institutit kombëtar të tumoreve në Shqipëri dhe nga ana tjetër rrjetëzimin e sistemit të shërbimit të kimioterapisë edhe në një sërë spitalesh të tjera për të ulur fluksin shumë të madh që ka spitali këtu në Tiranë dhe për të rritur ndjeshëm kapacitetin e shërbimit. Në ndërkohë janë një sërë programesh të reja falas që futen në proces që nga shërbimi i trombektomisë tek rikonstruksioni i gjirit si fillim 350 paciente, transplanti i kornesë së syrit dhe do të vijohet me paketat e reja të kardiologjisë, të kardio kirurgjisë, transplanti i veshkës e kështu me radhë.
Në ndërkohe dua të them që ka vazhduar rritja e pagave të punonjësve të shëndetësisë dhe është marr një vendim i ri për të filluar dhe njohjen e vjetërsisë në punë të mjekeve dhe infermiereve, gjë që do të rrisë patjetër dhe shpërblimet e tyre sipas viteve të vjetërsisë në punë
Në tërësi parashikohet që pagat për mjeket, flas për mesataren se ata kanë pastaj shkallë të ndryshme, të rritet me 135 euro të tjera në muaj.
Në ndërkohë kantieri i shëndetësisë është aktiv në të katra anët e territorit. Ka përfunduar dhe po kolaudohet ndërtimi i godinës së re të maternitetit Mbretëresha Geraldinë. Është rindërtuar spitali bashkiak i Kavajës. Është rindërtuar spitali rajonal i Lezhës, është rindërtuar i kardiologjisë në QSUT, është rindërtuar spitali i psikiatrisë së fëmijëve në QSUT, është rindërtuar spitali ditor i Peqinit, është rindërtuar shtëpia e të moshuarve në Libohovë. Ndërkohe që janë hapur dhe janë në proces godina multifunksionale parkimi dhe struktura akomoduese në QSUT që do të mbyllet besoj në shtatorin e ardhshëm dhe do të transformojë tërësisht të gjithë jetën e brendshme të Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza duke hequr të tëra makinat nga territori i qendrës spitalore i cili do bëhet një park i madh dhe i bukur, qe do të jetë një rritje e cilësisë së shërbimit për pacientët, ndërkohë që të gjitha automjetet përveç natyrisht automjeteve të punës apo autoambulancat, do të kenë vendin e tyre në këtë parkim të madh multifunksional të qendrës.
Ka filluar rindërtimi i spitalit të djegie-plastikës. Ndërtimi i godinës së laboratorëve të Institutit të Shëndetit Publik. Ndërtimi i qendrës backup në Vlorë, ndërtimi i disa godinave të reja në Elbasan. Ndërtimi i disa pavijoneve në spitalin rajonal të beratit. Rindërtimi i shërbimit të patologjisë në spitalin rajonal të Vlorës. Rindërtimi i dy materniteteve në Shkodër dhe në Fier. Rindërtimi i godinave qendrore të spitaleve të Lushnjës, Pogradecit dhe Gjirokastrës. Nuk po iu hyj në listën e pajisjeve që janë në një numër të madh, pajisjeve të reja, por dua të them që gjithë këto investime mbështesin sigurisht atë që mbetet kryesorja, përmirësimi domethënës i kushteve të punës të mjekeve dhe infermiereve dhe më vjen shumë mirë që më në fund po lexojmë që një rënie kuptimplotë të tendencës së ikjes së mjekëve dhe të zgjedhjes së parë vajtjen jashtë shtetit. Tendenca ka filluar të ktheje dhe kjo është shumë pozitive.
Dy fjalë për mbrojtjen. Dy fjalë për mbrojtjen sepse mbrojtja ka hyrë në një fazë krejt të re si rezultat i kontekstit të ri gjeo politik pa diskutim dhe ky vit ka qenë viti i fillimit të rilindjes së industrisë sonë ushtarake që siç e dini u çmontua totalisht në fillim të viteve ’90 sepse na u tha që s’keni nevojë për këto se na keni ne. Ndërkohe që sot është shumë e qartë që të gjitha vendet kanë nevojë të kenë bazën e tyre industriale dhe Shqipëria ka nisur ta bëjë këtë. Në ndërkohe që kemi parë me pozitivitet të madh edhe një tendence në rritje të qasjes së të rinjve ndaj Forcave tona të Armatosura ku objektivi është që personeli aktiv të rritet me 30% deri në fund të këtij mandati. Janë 721 rekrutë të rinjtë që i janë bashkuar FA vetëm këtë vit.
Ndërkohë kemi siç e dini ose siç mbase nuk e dini, por që edhe ky është një ndër ato mijëra lajme që nuk bëjnë lajm, ushtrinë më të mirë paguar në rajonin tonë, përfshirë edhe Serbinë. Sa për dijeni dhe do të vazhdojmë të rrisim mbështetjen me paga të ushtarakëve tanë sepse ambicia jonë është që ushtria jonë të arrijë në mesataren e ushtrive të NATO-s përsa i përket mbështetjes financiare dhe këtë duhet ta dinë të rinjtë që i afrohen ushtrisë për të bërë një karrierë ushtarake. Ky vit që hyn, na gjen me një sistem raketor Javelin që e kemi tanimë këtu në Shqipëri, falë bashkëpunimit me SHBA; na gjen me 3 anije patrulluese që i kemi dhuratë nga simotra jonë Italia; na gjen me radarë të vëzhgimit ajror falë bashkëpunimit me Francën dhe nuk po zgjatem se ka dhe te tjera gjëra, por ajo që mbetet ambicia kryesore, Shqipëria një vend prodhues kapacitetesh ushtarake që jo vetëm t’i përdorë këto kapacitete për nevojat e veta, por edhe të eksportojë kapacitete industriale ushtarake dhe prandaj ky vit është vit historik për ushtrinë tonë sepse janë hedhur themelet e industrisë së mbrojtjes ‘’Made in Albania’’.
Kemi krijuar një kompani shtetërore e cila ka nënshkruar 6 partneritete me kompani vendase dhe të huaja për prodhimin e armatimit, municioneve. Më në fund do të prodhojmë uniformat këtu në vendin tonë dhe do ta bëjmë përmes këtij sistemi vendin tonë, pikë referimi për të prodhuar uniformat dhe për të tjerët, gjë që nuk duhet të çuditet asnjë njeri sepse nuk e di për shembull a e keni dëgjuar, po ushtria suedeze qep uniforma, një pjesë të uniformave të veta në Shqipëri, por jo në një sistem si ky që kemi ngritur por në marrëveshje kontraktuale në një manifakturë private këtu në Shqipëri. Kështu që kapacitetet i kemi. Kjo do të jetë dhe një mundësi për ata që janë stërvitur gjatë në këto procese që t’i qasen këtij segmenti të industrisë sonë të re. Do të prodhojmë mjete të blinduara dhe mjete të emergjencës civile, tani që flasim në Shqipëri, po prodhohen një sërë mjetesh në bazë të kontratave me disa shtete të tjera, flasim për auto-ambulanca, flasim për mjete patrullimi policorë e kështu me radhë; do të prodhojmë dronët luftarakë dhe do të prodhojmë dhe sistemet anti-dronë dhe porositë e para janë kryer, ndërkohë që 6-mujorin e parë të 2026 do të shihni me siguri dhe produktet e para, ndërkohë që ne vazhdojmë punën për të realizuar kontrata të tjera për industrinë detare dhe industrinë ajrore.
Rritja e buxhetit të mbrojtjes është historike por kjo dihet se jemi edhe pjesë e NATO-s kështu që në këtë pikë nuk jemi të veçantë, kemi bërë atë që po bëjnë të gjithë. Nga ana tjetër kemi vazhduar të vëmë rregull në prona shtetërore. Është shumë interesant në këtë pikë sepse ‘’tenxheret ziejnë’’ për gjëra nga më të ndryshmet që s’kanë asnjë lidhje me realitetin dhe na akuzojnë për një kompani shtetërore që ne e kemi ngritur për shtetin dhe e kemi ngritur këtë kompani shtetërore për shtetin në mënyrë që në çdo lloj qasjeje nga të huajt në Shqipëri, shteti ynë të marrë pjesën e vet. Shteti pjesën e vetë, jo siç ndodhte më përpara, por ‘’tenxheret ziejnë’’.
Dua të shtoj që ndërkohë kemi një sërë investimesh në mbarë vendin; nga Burreli, Kukës, Kuçovë, Pashaliman, Porto Romano dhe vitin e ardhshëm do të përqendrohemi në ri ngritjen e shkollës së Aviacionit Shqiptar në Vlorë dhe në zgjerimin e kampusit të ri të FA. Por po ashtu edhe në zgjerimin e kompleksit muzeal të Forcave të Armatosura. Mbrojtja civile ka qenë këtë vit përsëri protagoniste dhe do të vazhdojë të jetë për shkak se siç e dini, zjarret janë bërë një problem i madh që shkon duke u thelluar për gjithë botën dhe ndërkohë, ne kemi vazhduar të punojmë për të rritur kapacitetet e mbrojtjes sonë civile në të gjitha drejtimet. Po ashtu, kemi vendosur edhe fondin për të blerë dy avionët e parë zjarrfikës për Republikën e Shqipërisë. Nuk po zgjatem më tutje, po qëndroj vetëm një moment tek siguria kibernetike.
Patëm, siç e dini një sulm shumë të egër nga bota e terrorit kibernetik që për fat të mirë nuk arriti dot ta shkatërronte infrastrukturën tonë digjitale. Sot jemi një nga vendet me kapacitetin më të lartë të mbrojtjes kibernetike, sa për dijeni dhe nuk e them unë këtë, por e thonë të gjitha institucionet përkatëse të sigurisë në Europë dhe kemi marrë vlerësime goxha domethënëse për këtë, sepse kemi investuar në mënyrë shumë inteligjente në mbrojtjen kibernetike dhe ndërkohë që flasim, si çdo vend tjetër edhe Shqipëria sulmohet e sulmohet, por asnjë sulm deri në momentin që flasim, nuk ka arritur të penetrojë murin mbrojtës që i është ngritur infrastrukturës tonë publike digjitale.
Këto janë pak a shumë ato që doja të prekja duke e mbyllur me turizmin, këtë shtjellim, pastaj sigurisht që ka dhe fusha të tjera për të cilat mund të flasim rrugës, që nga siguria në kuptimin e punëve të brendshme, që besoj edhe këtë vit ka shënuar nga pikëpamja e fakteve, jo e ‘’tenxhereve’’, kuptohet, një rritje pozitive; tek bujqësia dhe me radhë, por tek turizmi kemi një hop tjetër domethënës, krahasimisht me vitin 2024, ku shënohet një rritje që i afrohet 7% që është një rritje domethënëse përsa i përket numrit të vizitorëve të huaj flas, nuk flasim për pasaportat shqiptare.
Të ardhurat nga turizmi kanë qenë domethënëse. Në 9-mujorin e parë ato vlerësohen rreth 4.4 miliardë në euro; kemi pasur një rritje të konsiderueshme të hapësirës së plazheve publike me rreth 18% plus, krahasuar me një vit më parë, ose 1.1 milionë metër katrorë më shumë plazhe publike të shtuara. Nga 523 parcela ranore publike kemi shkuar në 1014 dhe në ndërkohë kemi vazhduar punën tani që flasim për sezonin e ardhshëm me disa risi të tjera pozitive në këtë drejtim.
Nuk po zgjatem me gjithë këto që kam të shkruara këtu, janë shumë. Tundimin e kam shumë të madh që t’i lexoj që të gjitha që t’i mbaj këtu një 6 orë, siç keni mbajtur ju Shqipërinë 12 muaj, me gjithë lajmet, me gjysmë të vërteta që janë pjesa më e madhe e produktit, po nuk jeni ju që i prodhoni natyrisht, ju thjesht i transmetoni. Por nuk po zgjatem dhe po ndalem këtu në mënyrë që t’ju jap juve mundësinë për të bërë pyetje dhe që edhe publiku të ketë mundësi të bëjë pyetjet e veta. Kështu që shpresoj që të kem qenë një surprizë pozitive për ju, se prisnit që t’ju mbaja shumë më gjatë me këto shifra dhe fakte. Këtu s’ka asnjë gjysmë të vërtetë, këtu janë të gjitha fakte.
Kështu që, si gjithmonë, do t’i japim fjalën veteranes së grupit tuaj, e cila do të bëjë pyetjen e parë. Nga një pyetje do ta thosha unë, se shikoni sa jeni ju dhe sa janë të tjerët. Nga një pyetje dhe ndiqni njëri-tjetrin dhe nëse pyetja një pyetje ezaurohet nga një koleg, bëni një pyetje tjetër.
***
– Zoti Rama a e konsideroni ju SPAK-un opozitën tuaj të vërtetë, opozitën tuaj reale dhe kur folët disa javë më parë për një reflektim serioz mbi kufijtë mes pushteteve, a kishit parasysh që gjatë vitit të ardhshëm, kur mbushen 10 vjet nga miratimi i reformës në drejtësi, mund të ketë një ndërhyrje në ligjet kryesore në arkitekturën e drejtësisë së re? Dhe duke folur për opozitën, nga janari do të fillojnë protestat e përditshme poshtë zyrës tuaj, demokratët do të kërkojnë dorëheqjen tuaj, zoti kryeministër do t’i merrni në konsideratë këto kërkesa? Faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: Tani më spekulove se bëre shumë pyetje brenda pyetjes. Tani meqë fjalën dhe kryefjalën dhe kallëzuesin dhe kundrinorin ju e keni SPAK, SPAK, SPAK dhe duke folur për vitin e Shqipërisë, pyetjen e parë ju e keni për SPAK-un unë do t’ju përgjigjem natyrisht, nuk do i shmangem asnjë pyetjeje, por duhet t’ju them këtë. SPAK-u nuk është opozita e qeverisë, SPAK-u është një institucion i ri, i krijuar falë vullnetit të kësaj force qeverisëse, i mbështetur nga kjo forcë qeverisëse, i garantuar nga kjo forcë qeverisëse në sensin që të tjerë janë betuar dhe stërbetuar që do ta shkrinin, por nuk e shkrijnë dot, sepse votat i kemi ne, në këtë sens i garantuar dhe është një institucion i cili bën punën e vet, si të gjitha institucionet e tjera. Kështu që nuk është opozitë e qeverisë, por depresioni i thellë në të cilin ndodhet opozita e qeverisë, që është opozita politike, bën që puna e SPAK-ut të jetë e vetmja pikë referimi e opozitës depresive për të goditur qeverinë. Dhe natyrisht të 700 tenxheret politike dhe mediatike, produktin e gjithë këtij procesi e marrin edhe e ziejnë dhe gatuajnë 700 lloj gjellërash të ndryshme, duke bërë diçka që nuk ndodh në Shqipëri për herë të parë, ka ndodhur edhe në vende të tjera sa të duash, duke shfrytëzuar gjysmë të vërteta për të prodhuar një tym të jashtëzakonshëm që djeg sytë e publikut, që shurdhon publikun me presionin e vet dhe që dizinformon publikun thellësisht, thellësisht. Prandaj thonë që gjysmë e vërteta është edhe gënjeshtra më e madhe, sepse që ne jemi këtu bashkë kjo është e vërtetë, apo jo? Dhe një lajm sipas të cilit, kur kamerat u fikën, unë bëra një sherr shumë të madh me ty bëhet pjesë e të vërtetës që ne ishim bashkë, apo jo? Dhe prandaj gjysmë e vërteta është gënjeshtra më e madhe, sepse ka një pjesë të vërtetë, por pjesa tjetër është një gënjeshtër. Dhe më lejoni t’ju them që është një neveri e madhe që ka një aktivitet kaq intensiv, gjysmë të vërtetash nga njerëz që nuk dinë të bëjnë punën e tyre, nuk dinë të bëjnë opozitën e qeverisë, nuk dinë ta mundin Partinë Socialiste. Kështu e shoh unë këtë gjë dhe askush nuk përpiqet të bëjë asnjë analizë lidhur me cila është e vërteta në të gjithë punën e SPAK-ut, pse pikërisht se e vërteta është krejt ndryshe nga kjo që thuhet, SPAK-u nuk është opozita e qeverisë dhe cilat janë anët pozitive dhe anët negative të punës së SPAK-ut, si të gjitha institucionet e tjera, përfshirë edhe qeverinë. Asnjë nuk e bën këtë analizë, gjë që sjell pastaj një çoroditje shumë të madhe të opinionit publik. Kjo është përgjigja ime, nuk kam përgjigje tjetër.
Për sa i përket pastaj protestave që bëhen poshtë penxheres këtu i kemi ndarë punët prej shumë vitesh, me sa kuptoj unë. Unë në zyrë dhe Partia Socialiste në qeveri dhe të tjerët poshtë penxheres time në rrugë. Kjo është zgjedhja e tyre, nuk kam unë asnjë problem me këtë. Siç e patë në liritë njerëzore Shqipëria është në një vend goxha dinjitoz në klasifikimin e përgjithshëm dhe kjo është pjesë e lirive, ça problemi kam unë me këtë.
– Zoti kryeministër, gjatë këtyre viteve ju keni vendosur një standard, kur keni thënë se Partia Socialiste nuk kthehet zyrë avokatore e atyre të cilëve kanë probleme me drejtësinë. Çfarë ju bëri të ndryshoni nga ky qëndrim kur vjen fjala për zëvendës kryeministren Belinda Balluku dhe tashmë që anëtarët socialistë në Këshillin e Mandateve kanë në dispozicion 16 mijë faqe të cilat i ka dërguar bashkë me relacionin SPAK-u. A e keni një bindje se janë të mjaftueshme këto prova për të realizuar kërkesën që ju ka vënë SPAK-u në tavolinë? Faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: Tani, më fal të përgjigjem me pyetje. Keni dëgjuar ndonjë fjalë të vetme avokatie për rastin konkret nga ana jonë? Pyetje e kam këtë, nuk besoj. As unë dhe askush tjetër nuk ka hyrë në përmbajtjen e rastit, por ky rast ndryshon nga rastet e tjera sepse ka ardhur tek ne, pra nuk është një rast në rrugën e pushtetit gjyqësor të cilin si shumë raste të tjera, pushteti gjyqësor në këtë rast Prokuroria e ndjek pa pasur nevojë të ndalojë në derën tonë. Apo jo? Dhe kur rasti vjen në derën tonë, flas të pushtetit legjislativ, atëherë pushteti legjislativ duhet të shprehet. Nuk është noter i Prokurorisë. Këshilli i Mandateve nuk është një zyrë noterie, është një kuazi gjykatë quhet dhe Parlamenti nuk noterizon kërkesat që vijnë. I merr, i sheh. Dhe nuk do doja në fakt ta kishe përmendur atë 16 mijë faqe me prova se ajo më provokon. Më ka provokuar që ditën e parë. Po te isha unë në Këshillin e Mandateve do tu thosha atyre që erdhën çohuni, ikni dhe kthehuni me një dosje për Parlamentin e Shqipërisë, për deputetët. Nuk mund të vini këtu me 16 mijë faqe që i quani prova. E dini ju çfarë janë ato 16 mijë faqe? Pyes për kuriozitet, ju e dini çfarë janë 16 mijë faqet që janë aty? Nuk janë absolutisht produkt i hetimit se s’ka si të jenë produkt i hetimit.
Janë 16 mijë faqe ku janë futur brenda kontrata, studime. Domethënë arkivi i Ministrisë futur brenda.
E kemi bërë paktin bashkë apo jo. Mirësjellja jote është garanci për ty që unë do i përgjigjem pyetjes tende pa asnjë hezitim. Mos më ndërhyj se nuk jemi në miting këtu.
16 mijë faqe janë një vandak me dokumenta zyrtar dhe kjo është afër mendsh. S’ka nevojë fare ta shohësh. USB-në e sjellë nga Prokuroria nuk e ka tërhequr asnjë deputet i PS dhe nuk e ka tërhequr as ministrja, avokati. Që të jemi shumë të qartë. Për të mos krijuar asnjë shteg që pastaj të tjerët të thonë “i kanë nxjerrë këta ato”.
Kështu që, nuk kemi të bëjmë këtu me një ndryshim qëndrimi. Këtu kemi të bëjmë me një qëndrim të duhur shumë korrekt nga ana jonë sepse rasti vjen në Parlament dhe përpara se të vijë në Parlament rasti erdhi, u fut në territorin e pushtetit ekzekutiv brutalisht, me një kërkesë skandaloze për pezullim, e pa ndodhur në historinë e botës. Tani mund ta them me plot gojën sepse e kemi kërkuar gjithandej. Nëse ka një të dytë, nuk ka. Nuk ka ndodhur as në Europë jo e jo, por nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës, që të mblidhen bashkë një prokuror dhe një gjykatës dhe të thonë pezullohet ky ministri se kështu kemi vendosur ne. Kështu që erdhi aty një rast dhe duhet mbajtur një qëndrim patjetër. Mbajtëm qëndrim institucional. Shkuam në Gjykatën kushtetuese dhe për këtë në Parlament duhet të mbaja patjetër qëndrim. Nuk diskutohet, por meqë u bë pyetja e dytë për këtë prapë dhe meqë pyetja e tretë jam i bindur do jetë prapë për këtë, flas për temën SPAK-u. Shqipëria ka kaq shumë gjëra të tjera që ndodhin dhe që bëhen në ndërkohë që po ju them disa gjëra, që nuk i gjen në asnjë nga tenxheret politike dhe mediatike dhe që njerëzit nuk i dëgjojnë. Po ju them që Shqipëria është vendi më skandaloz i gjithë Komunitetit të Këshillit të Europës. Nuk e them unë këtë, e thonë shifrat të cilat kanë alarmuar Komisionin për Parandalimin e Torturës së Këshillit të Europës. Dhe këtu nuk flasim për SPAK, flasim për gjithë sistemin tonë, për mënyrën si funksionon drejtësia jonë. Jemi në fund të listës me një diferencë nga të tjerët për paraburgimin, pra për burgosjen e njerëzve pa gjyq. Dhe numri i njerëzve që gjenden sot në burg në Shqipëri pa qenë akoma të dënuar të cilët në kuptimin e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut është më i madh se numri atyre që janë në burg të dënuar. Pra këta janë të pafajshëm sipas Kushtetutës dhe sipas Konventës së të Drejtave të Njeriut, por janë në burg.
E dini ju sa janë këta? Nuk e dini. Sepse tenxheret fjalën burg, fjalën vjedhje, fjalën hajdut e kanë si kripën, piperin edhe salcën në çdo lloj gjelle. Ne kemi 4492 qytetarë në burgjet shqiptare. A e besoni dot ju që nga këta vetëm 1895 janë të dënuar? Çfarë është kjo? Nuk po hyj tek tjetra. Jemi vendi më skandaloz i Këshillit të Europës për nivelin e dënimeve. Jemi vetëm me Rusinë mbrapa, por Rusia u përjashtua nga Këshilli i Europës, por nuk po hyj këtu. Po ju them që kemi 1895 të dënuar ndërkohë që kemi 4492 të burgosur. Pra në Shqipëri falë edhe jush tenxhereve politike, mediatike nuk ka të pafajshëm, por ka të dënuar para se të dënohen qysh në momentin që dyshohen. A kuptoni çfarë është kjo për këtë vend që e ka kaluar një herë këtë traumë? Juve fatmirësisht keni qenë shumë të vegjël ose s’kishit lindur atëherë, por e ka kaluar një herë këtë traumë ky vend. Dhe çfarë tregon kjo shifër? Kjo shifër tregon që në Shqipëri probabiliteti që ti të gjendesh në burg si i dyshuar është më i lartë sesa probabiliteti që ti të shkosh në burg si fajtor. Kjo është shifra dhe ky është vetëm njeri nga faktet edhe pse është më rrëqethësi.
Këshilli i Europës ka bërë më pas një dokument të tërë për paraburgimin. Për çdo njeri që beson tek dinjiteti i tjetrit, ai dokument është alarm. Sepse në fund të ditës sensi i drejtësisë është që më mirë 100 fajtorë jashtë sesa një pafajshëm brenda. Ky është sensi i drejtësisë demokratike. Nuk është që kap e fut njerëz brenda dhe shohim nesër a jeni apo jo fajtorë.
Ça ju mbetet aty njerëzve që kalojnë në këtë kalvar të llahtarshëm dhe nuk po flasim për këta që janë në kalvarin e “tenxhereve”. Flasim për ata me të cilët “tenxheret” nuk merren fare, njerëz të zakonshëm të këtij vendi. Kalojnë atë kalvar dhe në fund fare ose nxirren se iu ikin të gjitha afatet e paraburgimit dhe janë shumë nga këta, ose dalin të pafajshëm. Ça ngelet? Ça është kjo histori? Si qenka kjo që në një vend në mes të Evropës që do të bëhet nesër një vend i BE, individi të mos ketë të drejtën e një gjyqi? Ça është kjo?
Dhe çfarë thotë Këshilli i Evropës, nuk e them unë? Thotë që në Shqipëri vendosen masa sigurimi ekstreme pa arsyetim të mirëfilltë sepse duhen vendosur. Dhe përdoren rëndom-thotë- shprehjet “përbën rrezik për prishje provash, përben rrezik për ikje”. Këto janë muhabete kot. Çdo lloj mase duhet argumentuar specifikisht. Nuk është automatike, që meqë Muhamet Veliu është shefi i sektorit, atëherë ky mund të të intimidojë vartësit e vet se është “shef”. Jo! Duhet të thuash konkretisht për Muhamet Veliun, çfarë provash ke ti, çfarë dyshimesh ke ti për këtë.
Dhe nuk japin asnjë të dhënë, fare, zero. Hiç. Pastaj vijmë të graviteti i veprës dhe këtu do ta mbyll këtë përgjigje të gjatë për ty, se do pres natyrisht pyetjet e tjera. Por vijmë tek graviteti i veprës dhe dua t’ju jap prapë pak shifra që janë, këto janë vërteta. Mund të ketë ndonjë pasaktësi, por janë të vërteta, nuk janë gjysmë të vërteta, për t’ju treguar juve, atyre që janë të interesuar sesa e gënjeshtërt, sesa e shëmtuar, sesa e ligë është gjithë kjo tymnajë, sipas së cilës Shqipëria ka arritur kulmin e korrupsionit. Dhe po i referohem tani rasteve të institucioneve që merrem me korrupsionin. Korrupsioni në radhë të parë është një vepër më vete, pra është e definuar, jo çdokush që hetohet dhe akuzohet nga prokuroria speciale ka bërë korrupsion. Ka dhe vepra të tjera.
Shpërdorimi i detyrës për shembull, është një vepër, të cilës iu kthye dhe vetë BE së fundmi, sepse është një term ku futen, “thes i madh” i thonë këta këtu. Futen njerëzit kollaj fare, me kollajllëkun më të madh, sidomos kur jeton në një periudhë kur të gjitha llojet e “tenxhereve hidhen përpjetë me gjithë kapak’’ për burg, burg, burg, shpërdorimi i detyrës është në kollajllëkun më të madh dhe BE iu kthye tani me kërkesë të Gjermanisë, jo vetëm të Italisë se Italia e kërkonte prej kohësh. Dhe ka dalë një direktivë e re për ta riparë këtë nocion, për ta specifikuar këtë nocion. Pse? Sepse kushtetuta thotë “janë 3 pushtete të pavarur nga njëri-tjetri’’. Pra drejtësia është e pavarur nga ekzekutivi, por edhe ekzekutivi është i pavarur nga drejtësia. Dhe cila është pavarësia ime? Cila është pavarësia e një kryeministri, e një ministri apo e një funksionari të lartë? Është pavarësia për të marrë vendime. Tek marrja e vendimeve nuk vjen dot një prokuror të thotë “pse ti e vendose kështu dhe nuk e vendose ashtu” . Kjo është një katastrofë dhe kjo gjë ka ndodhur. Nëse vendimi im, është një vendim, i cili ka një prapavijë të qëllimshme, jo pa dashje, të qëllimshme për të përfituar në mënyrë të paligjshme apo për të sjellë një dëm në mënyrë të vetëdijshme, këtu unë nuk jam i pavarur. Këtu është drejtësia e pavarësisë që vjen tek unë. Këtu ndahen këto. Tani, qysh nga fillimi i këtij kapitulli të drejtësisë speciale, janë 37 raste. E dini ju sa raste nga këto 37 që përfshijnë natyrisht funksionarë të niveleve të ndryshme? E dini ju sa raste nga këto 37 i përkasin viteve të mandatit të parë e të mandatit të dytë të kësaj qeverie, të kësaj maxhorance?! Janë rreth 80%. Ndërkohë që vetëm një pjesë e vogël e tyre janë raste që lidhen më periudhën e mëpastajme. Tani, në rastet për të cilat po flasim, kemi nga të gjitha, kemi për shembull dënim për prerje pylli të një kryetari bashkie. Ai sot e ka mbaruar dënimin dhe unë mund të flas për këtë. Është një dënim skandaloz. Kryetari i bashkisë të Fushë-Arrësit ka hapur një rrugë për komunitetin, ku janë prerë disa pemë. Nuk e di numrin e tyre. Ka bërë burg për prerje pemësh. Jo se të presësh pemë, nuk është krim, por pa iu lodhur me detaje, rasti është turp.
Ka dhe raste të tjera që nuk kanë lidhje me korrupsionin fare, asgjëkundi dhe që hyjnë tek këto raste dhe nuk po dua t’i komentoj. Ka dhe raste të tjera që lidhen me pabarazinë në tendera. Pabarazia në tendera është vepër tjetër, nuk është korrupsion, është tjetër. Është vepër patjetër që parashikohet si një vepër penale, nuk diskutohet, por e përmbledhur, çfarë duhet të them? Dua të them këtë që, a është e mundur që “ky vendi më i korruptuar në botë” dhe ky vendi ku korrupsioni sipas “tenxhereve” ka arritur kulmin sepse ushqehet kjo tezë nga mëngjesi deri në darkë, me të gjitha gjysmë të vërtetat e mundshme?
Ça do të thotë mesazhe? Mund të ma thoni ça do të thotë mesazhe? Që kur mesazhet janë prova?
Dhe që kur mesazhet janë ushqim për mediat dhe që kur mbi bazë mesazhesh bëhen gjyqe si në kohën e gjuetive të shtrigave që ngrihej turra e druve se “ky i tha atij ashtu” dhe “ai i tha atij tjetrit ashtu” – që kur? Patjetër që mesazhet dhe çdo gjë tjetër që lidhet me “kush tha”, “çfarë tha” janë pjesë e një procesi, nuk diskutohet nuk e përjashtoj unë këtë, por parafytyroni vetëm kaq – Ça ndodh dhe sa përgjegjësi ka secili nga pjesëmarrësit në këto gjyqet e shtrigave, kur dikush të dalë i pafajshëm? Për ça i duhet më pafajësia atij njeriu kur i është shkatërruar totalisht jeta dhe familja? Për çfarë? Kush ia kthen atij njeriu mbrapsht jetën? Prandaj, drejtësia demokratike ka vendosur kufi, prandaj në drejtësinë demokratike nuk lejohen shumë nga ato gjëra që ndodhin këtu dhe unë nuk fajësoj mediat për këtë, por ata që i ushqejnë me këtë helm. Si mundet që ky vend të jetë ky dhe në të njëjtën kohë Sigma, e cila bën analiza faktuale, nuk merret me mesazhe, se në Shqipëri bëhen mijëra prokurime, mijëra. Në Shqipëri bëhen mijëra ndërveprime, miliona ndërveprime, në fund të ditës 37 raste për 12 vjet ndërveprime kur iu thashë hyjnë lloj-lloj rastesh janë një numër i arsyeshëm, krejt i arsyeshëm për të goditur fenomenet.
Ndërkohë që, deri tani kemi një numër të dënuarish shumë të ulët në raport me rastet, kemi procese shumë të zvarritura dhe kemi në ndërkohë edhe Strasburgun që ka evidentuar gjëra shumë të rënda kur dikush ka vajtur atje, mbasi ka kaluar këtë kalvar. Kështu që, jo çdo gjë që mendohet edhe nga dëshira e mirë për të luftuar me këto fenomene, për të luftuar korrupsionin shkon në atë drejtim.
Përkundrazi, kjo është e vërteta, s’ka të vërteta të tjera. Është e vërteta e drejtësisë demokratike, nuk mundet dot të bëhet Shqipëria, si në kohën e Pleniumit të katërt – “Kap edhe përplas njerëz nga një mur te tjetri”, çorodit dynjanë me llafe, “jo se thuhet kështu”, “jo thuhet ashtu”, “Do dalë ky”, – Ça do me thënë kjo?.
-Kryeministër, për shkak se SPAK-u është duke hetuar zyrtarë të lartë, si në Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë, ashtu dhe tek AKSHI, e gjithë opozita është bërë bashkë dhe iu kërkon dorëheqjen, qeveri teknike ose zgjidhje të parakohshme apo do të ketë një qeveri të re nga ana juaj? Cila nga këto do të ndodhë në janarin e 2026?
Kryeministri Edi Rama: Tani më fal një sekondë, se nuk u kuptuam. Kjo është pyetje që e bën opozita, apo është pyetje që e bëni ju për interesin e publikut. Se nuk besoj se publiku e shtron fare këtë pyetje, ndërkohë që ajo që po bëjmë sot është konferenca e fundvitit dhe ky vit është viti më i suksesshëm i Shqipërisë. Edhe këtë sukses nuk e solli koha. Këtë sukses e solli kjo qeveri, kjo forcë qeverisëse, kjo shumicë.
Shqipëria ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Shqipëria është vendi ku këtë vit që po mbyllim, u mblodh tërë Europa politike demokratike në sheshin Skënderbej. Erdhën në një vend të korruptuar mendoni ju? Jo! Jo! Por nuk morën opinionin e 700 tenxhereve politike dhe mediatike kur erdhën, kjo po, kjo është e vërtetë. Si mendoni ju Komisioni Europian e fal një vend që do të ishte jo ky që thonë tenxheret, po do të ishte 1/10 e këtij, kurrë, kurrë, asnjëherë. Dhe e kam thënë gjithmonë dhe përsërisë: – Nëse po ndodh sot, ky proces është meritë në radhë të parë e kësaj force politike. Juve i keni parë reagimet e tjerëve kur ju preket floku, se ça thonë. – Po s’keni dëgjuar ndonjëherë nga unë, e s’keni për të dëgjuar ndonjëherë, jo sharje dhe akuza, po as fjali që shkojnë në drejtim të goditjes së reputacionit dhe madje edhe të presionit të kërcënimit të këtyre organeve, s’keni dëgjuar ndonjëherë. Ky është një proces i pashmangshëm, i domosdoshëm, që ka gjithë problematikat e veta dhe kaq. Ça është ky muhabet? Do japësh dorëheqjen?
Ne morëm 83 mandate në qershor, apo e keni harruar? Hë pra çfarë dorëheqje? Dorëheqje për çfarë? Për cilën? Dorëheqje për AKSHI-n? AKSHI është një institucion krenarie për ne që të jemi shumë të qartë bashkë, krenarie, jo për të ulur kokën, po për të qenë krenar. Është një institucion për të qenë krenar, sepse kemi qenë këtu ne, keni qenë dhe ju s’keni qenë kaq të rritur, po s’keni qenë dhe të vegjël. Kur duhet të shkoni të mbani radha për çdo lloj letre, edhe për të marrë një certifikatë të gjendjes civile dhe kur ata që kishit jashtë duhet të vinin këtu, se s’kishin shans të merrnin një copë letër atje jashtë, se s’kishin nga e merrnin. 620 miliardë lekë, që janë 620 milionë euro ka kursyer AKSHI për shqiptarët, falë digjitalizimit, dhe këtë nuk e them unë ky është studimi ndërkombëtar, 7600 vite pritje në radha e di se janë 7600 vite pritje në radhë, janë 250 rrotullime rreth tokës.
Parafytyroni një radhë shqiptarësh që i shkon tokës 25 mijë herë kështu. Këto ka bërë AKSHI.
Janë 33 milionë euro kursime për shqiptarët jashtë vendit të llogaritura e përsëris, jo nga unë, është raport ndërkombëtar.
Janë 75 milionë fletë letre të kursyera ose 378 kamionë me letër. Falë atij AKSHI-t, 3.4 milionë shqiptarë janë përdorues të rregullt të platformës e-Albania. Dhe vetëm në 2025 janë 17 milionë shërbime të ofruara. 12 milionë dokumente elektronike të gjeneruara. Mesatarisht 1.45 milionë shërbime në muaj, njerëz që klikojnë, marrin shërbime dhe mbarojnë punë, pa takuar njeri. Dikur jepnin lekë për të marrë një certifikatë. Por dihet, e keqja harrohet e mira s’ka fund.
92 106 pagesa elektronike, 77 424 dokumente vetëm nga komanda zanore me Diellën.
Kështu që çfarë duhet të them unë? Jemi vendi që një nga arsyet pse po ecim aq shpejt me BE është AKSHI sepse kemi ndërtuar me Diellën, me inteligjencën artificiale, një sistem transferimi të legjislacionit europian në legjislacionin shqiptar me përkthim, me adoptim me të gjitha që bën në një kohë shumë të shkurtër atë që Kroacisë iu desh 7 vjet ta bënte dhe Kroacia shkëlqeu. Se e bënte me ushtri përkthyesish e me ushtri juristësh. S’kemi nevojë ne fare për këto ushtri. Kemi bërë rishikimin dhe po vazhdojmë të të gjithë legjislacionit shqiptar për të parë gjithë mbivendosjet që torturojnë njerëzit se çfarë të jep një ligj s’ta jep ligji tjetër. Çfarë të jep një vendim i qeverisë sot, s’ta jep një vendim tjetër i para 20 viteve. Çfarë të jep një ligj para 20 viteve, s’ta jep një para 50 vjetëve. Se ka dhe ligje para 50 vitesh që janë në fuqi, e dini ju këtë ? Kështu që, edhe këtë e bën AKSHI dhe kam plot të tjera për të thënë. Pse rriten të ardhurat pa rritur taksat? Sepse rritet ekonomia se po të mos rritej ekonomia nuk do rriteshin të ardhurat por dhe sepse rritet mirë administrimi. Por e dini ju çfarë ka të mirë-administrimi? Është AKSHI. Dhe kur them AKSHI, është një skuadër që merret me inteligjencën artificiale që janë gjeni. Dhe ne Tatime sot, shkoni shikoni sesi punohet kundër evazionit dhe për rritjen e transparencës së transaksioneve me inteligjencën artificiale dhe është vetëm fillimi dhe e fundit, skuadra e AKSHI-t nuk i publikon, por ka një sërë garash të fituara brenda NATO-s dhe brenda BE-së, që bëjnë gara me këto institucionet e infrastrukturës digjitale dhe që simulojnë sulmet kibernetike.
Kështu që nëse Banka Botërore, jo para 100 vitesh, para pak kohe e renditi Shqipërinë në vendin e 14 nga 197 vende të botës për maturitetin e qeverisjes digjitale duke kaluar nga vendi 68-të që ishim në 2022-in, ky është AKSHI. S’është Ministria e Bujqësisë. Nëse OECD-ja bashkë me SIGMA-n thonë Shqipëria është lider rajonal i padiskutueshëm në gjithë Ballkanin, ky është AKSHI.
Nëse Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim e konsideron me progres të fortë Shqipërinë në administratë dhe shërbime publike një rol të madh këtu ka AKSHI.
Kështu që, rrini, prisni se shumë shpejt, besoj janar- shkurt do të dalim me e-Albania 2.0 falë AKSHI-t dhe do ketë shumë gjëra të reja në atë sistem për shqiptarët. Prandaj shqiptarët votojnë Partinë Socialiste. E votojnë shqiptarët Partinë Socialiste nuk e votojnë as patronazhistët, as bandat, patronazhistët nuk diskutohen, ata janë Partia Socialiste sa janë. E votojnë shqiptarët, prandaj shqiptarët jashtë e votojnë masivisht PS sepse nuk gdhihen me buzën në tenxhere politike dhe mediatike dhe nuk flenë me zhurmën e tenxhereve në vesh. Natyrisht iu shkon dhe atyre tymi i tenxhereve, por ata e shohin nga më larg dhe e kuptojnë shumë mirë se çfarë loje bëhet këtu. Kështu që, jo janar, jo shkurt, në 2029 do llafosemi prapë. Të tjerat, secili bën punën e vet. Shiu ka punën e vet, ne kemi punën tonë thoshte Loro Boriçi dhe sa pika shiu ka këtu, secila pikë bën punën e vetë. Deri në 2029-ën me qeverinë e PS, me 83 mandate në Parlament.
– Zoti kryeministër, për tu rikthyer tek krenaria e qeverisjes suaj, integrimi europian. Pritet që në 6 muajt e parë të 2026-ës të nisë mbyllja e grup kapitujve dhe a do të jetë sfidë për institucionet tona çështja e pronës për shembull apo çështje të tjera që kanë të bëjnë me sigurinë ushqimore?
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit për pyetjen. Për sa ai përket çështjes së pronës, përfitoj nga rasti të them që ky vit ka qenë një vit realisht i suksesshëm në raport me objektivat në të gjitha drejtimet se ndryshe nuk do kishim hapur gjithë ato kapituj e nuk do kishim marrë gjithë ato vlerësime etj, etj. Dhe ka qenë një vit i suksesshëm edhe në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe prapë unë flas me fakte, me shifra, jo me gjysmë të vërteta as me opinione që mund të vijnë mbrapa, por këto janë faktet.
Më në fund është skanuar përfundimisht, 100 % dokumentacioni, rreth 54 milionë faqe. Është përmbyllur 80% digjitalizimi i kartelave të pronësisë, sepse ambicia cila është? Është që ashtu siç vepron e-Albania për të gjithë shërbimet e tjera, të vijë dita që shqiptarët të mos kenë më nevojë as të shkojnë, as ta shohin, as ta takojnë, as ta njohin kush është tek Kadastra, por me telefonin, me klikun te marrin informacionin për pronën. Por që të behet kjo duhet që gjithë ajo lesh e lija e madhe të sistemohet. Kështu që 80% e kartelave të pronësisë është digjitalizuar dhe mbyllet përfundimisht në 2026-ën procesi me 4 milionë kartela pasurie të digjitalizuara. Ndërkohë, do nisë dhe digjitalizimi i hartave kadastrale në fillim të 2026-ës. Kështu që në fund të 2026-ës do të kemi një Kadastër digjitale. Dhe do të kemi patjetër shërbime shumë më të shpejta, shumë më cilësore.
Këtë vit është dyfishuar numri i shërbimeve të automatizuara dhe ajo që është akoma më e rëndësishme, është që brenda qershorit të 2026, do të jetë mbuluar përfundimisht territori me regjistrim fillestar, një proces i llahtarshëm me 700 mijë komplikacione etj dhe kështu qytetarët do të kenë mundësi që më në fund të kenë siguri dhe qartësi mbi territorin e pronës. Kjo është puna jonë. Puna jonë nuk është ‘’të ziejmë tenxhere’’ çdo ditë me gjysmë të vërteta; hidh një të vërtetë e fut 10 të pavërteta, ul e ngri njerëz, zhyt e nxirr njerëz, shaj e bëj gjyqe e ulërit, e mblidhu poshtë penxheres. Kjo nuk është Shqipëria jonë fare, s’ka lidhje fare. Kjo është përgjigja ime. Mund të marrim një pyetje nga publiku?
(Pyetje nga qytetarët) – Kryeministër, Vlora herë e përmbytet e herë mbetet pa ujë. Ndërkohë në 3 vjet ka provuar 3 kryetarë bashkie. Si e mendoni këtë punë? Pyetja është nga Zyhdi Teqja.
Kryeministri Edi Rama: Profesori. Nëse është ai se këtu s’merret vesh se kush përdor emrat, po më në fund u zgjidh problemi në Vlorë. Ishte një defekt shumë i rëndë i ardhur si rezultat i një investimi të bërë në 2009-2010 me pajisje hidraulike jashtë standardeve, të cilat mbajtën e mbajtën dhe plasën. Kjo është e vërteta bruto, pa dashur të them qe problematika e ujësjellësit është thjesht kjo, por shyqyr, falë punës të jashtëzakonshme të punëtorëve atje dhe qëndrimit ditë-natë mbi kokë të kryetarit të bashkisë, prefektes dhe të drejtorit të përgjithshëm që shkoi në Vlorë, edhe falë faktit që mundëm të marrim këto pajisje në Turqi, defekti u riparuar. Po natyrisht që ujësjellësi në Vlorë dhe në gjithë Shqipërinë është një sektor që është në reformim e sipër që do të kërkojë akoma investime, do të kërkojë akoma punë dhe durim sepse është, domethënë e kemi gjetur nga pikëpamja e situatës qe kishte, më keq sesa vetë energjinë, por me ndryshimet qe kemi bërë, me sistemin e ri që kemi krijuar, besoj që do të shkojë duke u përmirësuar dhe besoj që brenda kësaj dekade, problemet tërësore të mëdha do jenë mbyllur. Besoj. Kam besim.
Pyetje nga qytetarët – Todi Hotaj pyet kur hapet aeroporti i Vlorës. Është një tjetër qytetar që pyet ‘’kur fillon ndërtimi i aeroportit në Gjirokastër’’ dhe vijon me pyetjen që ‘’cilat janë planet për sezonin turistik 2026’’?
Kryeministri Edi Rama: Përsa i përket aeroportit të Vlorë, për fat të keq, e keni ndjekur, ka pasur një konflikt brenda kompanisë mes aksionerëve, të cilët kanë arsye dhe dinamikat e tyre, por puna ka vazhduar dhe ne dëshirojmë shumë që të respektohet kontrata. Unë dëshiroja shumë që të respektohej fjala sipas së cilës aeroporti do të hapej këtë vit. Fjala nuk u respektua, tani të respektohet kontrata që është pranvera e vitit të ardhshëm. Aeroporti i Gjirokastrës është përgatitur procesi dhe besoj shumë shpejt do hapet gara.
– A i keni kërkuar zëvendës kryeministres suaj, Belinda Balluku, që të zhvillojë një takim me Ram Gecin, përfaqësues i një kompanie private në gusht të 2021. I referohem një episodi në fakt në dosjen e SPAK, ku thuhet; në komunikimet qe janë gjetur mes Ballukut dhe shtetasit Evis Berberi, në datën 24 gusht 2021, shtetasja Belinda Balluku i dërgon mesazhin shtetasit Evis Berberi, ku i thotë: ‘’Km më kërkoi të takoj Ram Gecin’’. Si shpjegohet që 3 muaj, gati 3 muaj pas këtij mesazhi, kompania e këtij shtetasi, ‘’Geci sh.p.k.’’ ka fituar tenderin për ndërtimin e rrugës Porto Romano – Durrës, loti i III-të, megjithëse kishte paraqitur një ofertë miliona euro më të lartë se të paktën 4 kompani të tjera në garë?
Kryeministri Edi Rama: Bëje dhe një tjetër se nuk rri ti. Bëje dhe një pyetje tjetër.
– Jo, se nuk dua të shfokusohem nga kjo temë.
Kryeministri Edi Rama: Po s’ka tjetër pastaj.
– Kam dhe një pyetje për tunelin e Llogorasë. Pse i keni takuar përfaqësuesit e kompanisë turke në Ankara, dy muaj para se ata të shpalleshin fitues të tenderit?
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit për të dyja pyetjet. Nuk po i kthehem prapë komentit të përgjithshëm që bëra lidhur me sa gabim është, po nuk është gabimi juaj në këtë rast, që të shkëputen fletë e të shkëputen të dhëna nga një dosje hetimore dhe të hidhen në publik dhe pastaj “të ziejnë’’. Nuk po i kthehem komentit të përgjithshëm, por po përgjigjem direkt. Ram Geci është një njeri për mua, i nderuar, i respektuar, një ndër ata që krijon punë dhe punësojnë njerëz; ushqejnë familje të tëra në Republikën e Shqipërisë dhe që unë t’i them ministrave ‘’tako këtë, tako atë’’, unë nuk e di për Ram Gecin në atë rast, por edhe bëj për Ram Gecin e për gjithë shokët e Ram Gecit sa herë është nevoja. Dera ime është e hapur. Kryeministrat, që ta dini ju, kolegët e mi, ju gjëmojnë nga prapa sipërmarrësve dhe ka disa prej tyre që harxhojnë pjesën më të madhe të kohës, pikërisht duke folur me ta, duke i thënë ça keni nevojë, duke i mbështetur etj. Kështu që, që unë të kem thënë “tako Ram Gecin’’, kjo s’ka asnjë çudi se për Ram Gecin mund të jem interesuar jo një herë, po nja 10 herë kur ka pasur nevojë të ketë kontakte për probleme të tijat. Kjo nuk diskutohet fare dhe s’e kam fare problem. Kam takuar përfaqësues e kompanisë turke? Unë kam takuar përfaqësues kompanish pa fund. I kam takuar që ç’ke me atë punë. I kam thënë që “hajdeni në Shqipëri”, patjetër. Kjo është detyra ime. Po nga kjo, tek pjesa që pas 3 muajsh fitoi tenderin dhe pastaj komenti “e fitoi me çmim, e fitoi pa çmim” , këto pastaj janë si ato të Shvejkut, “unë jam kaq vjeç , mora rrugën për Durrës, sa vjeç ishte gjyshja ime”. Këto pastaj, unë nuk hyj këtu. Dhe përsëri e them, nuk është edhe në këtë rast, ti e di që unë mezi pres të të kap ty në gabim, por nuk është prapë faji yt, por është mënyra se si argumentohet në këtë vend. Dëgjoni këtu. Prokurimet publike, Shqipëria me prokurimet publike është njëshi në rajon. Njëshi! Komisioni ynë i Prokurimeve Publike ka marrë vlerësime ndërkombëtare nga më të ndryshmet. Kryetari i Komisionit të Prokurimeve Publike është personalitet ndërkombëtar në fushën e prokurimeve publike. Iu ngrit akuzë. E dini ju që iu ngrit akuzë? Iu ngrit akuzë një javë përpara se të hynte në garë për t’u rizgjedhur. Ndërkohë që, po të shikosh shifrat, s’i kam këtu me vete, të punës së Komisionit dhe të shohësh dhe të Agjencisë së Prokurimeve Publike që drejton negociatorja tjetër, që janë dy institucionet të vlerësuara ndërkombëtarisht shumë, për gjithë transformimet qe kanë ndodhur. Nuk po them emra, po them që skuadra të prokurimeve publike të rajonit vijnë në Shqipëri për të parë këto dy agjenci.
Ju ngrit akuzë dhe u pengua fatkeqësisht të hynte në garë për t’u rizgjedhur. Një aset. Mbaruar shkollën me medalje ari. Tani unë nuk i hyj komenteve: Pse? Si? Qysh? Tek? Por dua të them këtë: që të gjykosh tenderat, nuk është kaq e thjeshtë, se po të ishte kaq e thjeshtë, nuk do të ishte nevoja as për ekspertë, nuk do të kishte nevojë as për komisione, këto gjykime mund t’i bënin deputetët. Mund të merrej një injorant nga parlamenti i Shqipërisë dhe ti thuhej: Zgjidhe ti këtë punë? “ishte çmimi”, “s’ishte çmimi”, “më shtrenjtë, më aty”. Këto janë kaq komplekse saqë unë as nuk hyj ndonjëherë që të kuptoj më shumë sepse çdo procedurë ka të veten.
Kështu që i foli Ram Gecit, i thashë: Po, po më po! Nuk e di unë sa mund të jenë ata që unë marr në telefon.
Kryeministri Edi Rama: Unë nuk kam ndaluar askënd që të takojë.. Jo është e pavërtetë kjo. E vërtetë është që takimet regjistrohen, domethënë shënohen që u takua, shënohet dhe tema, nuk është kështu. Dhe po iu them përsëri unë kam takuar dhe do të takoj kë të më dojë e bardha zemër dhe kë të më dojë e mira mëndje. Njeriu nuk mund të kurrë të fajësohet apo të dyshohet për kë takon, kurrë, kurrë, kurrë, kurrë.
Kryeministri Edi Rama: Kuptova ma the njëherë, ma the dy herë, mos iu kthe zakonit të vjetër sepse nuk kemi duke bërë debat bashkë, të shpjegova se po të ishte kaq i thjeshtë leximi i tenderave nuk do kishte nevojë as për njerëz të specializuar, s’do të kishte nevojë as për trajnime, s’do kish nevojë as për administratë, s’do kish nevojë për asgjë tjetër. Kështu që ju të lutem shumë, mos hymë në këtë. Nuk ke faj ti kur edhe prokuror apo OPGJ të caktuar i hyjnë këtyre maleve duke kaluar “pyje pa spate” kur i thonë fjalës, edhe bëjnë lidhje që nganjëherë janë fiks si ato të Shvejkut, por të kjo është një çështje ekspertizë. Ka Shqipëria ekspertë, merren ekspertët, shohin ekspertët. Unë nuk i them njeriu kurrë tako këtë dhe bëj një gjë të paligjshme, po tako këtë, se ka një problem me këtë agjenci, a ka një problem me këtë agjenci? Unë e bëj gjithë ditën e ditës. Ne kemi ngrit një platformë tërë të bashkëqeverisjes për tako këtë, tako atë, sepse njerëzit kanë nevojë për ndihmë. Patjetër, shyqyr Zotit, 95% të shërbime publike nuk i kemi më me njerëz, sepse i bëjnë nga e-Albania, po ka pjesë. që duhet të takohem, më sigurisht duhet të takohem. “Nuk marr dot letrën këtu”, “se marr dot letrën atje”, “më pengon ai”, më patjetër kjo është puna ime.
Kryeministri Edi Rama: Ja pra, kjo është tenxherja. Pra, po flasim për gjëra krejt të ndryshme bashkë, krejt të ndryshme, krejt – krejt të ndryshme. Më pyete a i ke thënë, a kujtohet që i ke thënë? Unë të thashë, nuk mbaj mënd ekzaktësisht këtë, po Ram Geci është një njeri që e ka telefonin tim në dispozicion 24 orë 24, siç e kanë të tërë ata që krijojnë punë dhe japin punë Republikën e Shqipërisë se unë nuk jam këtu një hu gardhi, po jam këtu pikërisht për të mbështetur, për të ndihmuar, për të nxitur të gjithë. Jo për t’iu dhënë tendera, as për t’iu dhënë gjëra që nuk ju takojnë, as për t’iu thënë: – “Jepi këtij” e “jepi atij”, por për t’i mbështetur. Kuptove? E kam takuar kompaninë turke, kam takuar shumë kompani turke, e kam takuar edhe atë kompani dhe i takoj të gjitha kompanitë dhe nuk dua të di fare se çfarë thotë njëri e çfarë thotë tjetri. Dakord?
Kryeministri Edi Rama: Këtu jemi në një territor që unë nuk kam dëshirë të hyj, sepse pastaj E përsëris, i bie që unë të futem në tenxhere. Unë në tenxhere nuk hyj, juve mund të më fusni në tenxhere, po jo në prezencën time. Kur unë nuk jam, ju e bëni këtë, më fusni në tenxhere, më përziheni me të gjithë llojet e ingredientëve. Më nxirrni të zi, më nxirrni të kuq, më nxirrni të djegur, më nxirrni të kalbur, më nxirrni si doni. Këtu, unë në tenxhere nuk hyj, përgjigjen ta dhashë, të falënderoj.
– Zoti Kryeministër, më 18 dhjetor 2023 Këshilli i Rregullores së Mandateve të Imunitetit e shqyrtoi kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetit Sali Berisha dhe qëndrimi i Partisë Socialiste, i kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste të asaj kohe, në mbështetje të kërkesës, ishte duke cituar raportin E Komisionit të Venecias të 2014, i cili fliste për standardin dhe heqjes së imuniteteve të parlamentarëve dhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste deklaroi duke i referuar komisionit të Venecias atij raporti, organi parlamentar që shqyrton kërkesën e imunitetit nuk duhet të bëjë një vlerësim ligjor të çështjes, vetëm shikon nëse ka përmbajtje politike, kërkesa. Pyetja ime është përse ka një standard tjetër. Pse është më tepër e barabartë para ligjit të zonja Balluku dhe nuk keni ndjekur të njëjtin standard.
Kryeministri Edi Rama: E para punës njëherë ti nuk di fare ça do ndjekim ne njëherë si fillim, këtë do ta dëgjosh kur të vijë dita. E dyta të shpjegova dhe ju shpjegova që parlamenti nuk është noter, dakord? Kështu që ç’a po më kërkon, ku do me dalë tashi se s’po të marr vesh. Në një rast kemi gjykuar ashtu dhe kemi thënë atë që kemi gjykuar këtë rast do të gjykojmë, do të themi atë që do të gjykojmë. Çfarë problemi ke ti? Ku e hallin, pse e djeg pyetjen kot është konferenca e fundvitit.
-Zoti kryeministër ju renditët disa problematika për mënyrën se si funksionon drejtësia në Shqipëri. A i paraprin kjo një përpjekje nga ana juaj për të ndërhyrë në ligjet e reformës në drejtësi në sezonin e ardhshëm parlamentar? Faleminderit.
Kryeministri Edi Rama: O zonjë unë do shpresoja shumë që ju, për shembull, personalisht, këto që i thashë unë për gjendjen katastrofike të burgjeve në Shqipëri, ku ka më shumë njerëz të padënuar sesa njerëz të dënuar ta merrje edhe të thelloheshe, edhe ti bëje publikut një reportazh dinjitoz me fakte. Tani, çfarë lidhje ka kjo me ligjet e reformës? Ça lidhje ka? Unë nuk mund të jem kryeministri i një vendi ku ka më shumë të paraburgosur sesa të dënuar dhe të rri pa folur, pse se juve mund t’iu shkojë mëndja, ose kujtdo qoftë mund t’i shkojë mëndja, që unë po e them këtë, se dua të dal atje. Unë dal atje pa i rënë gjatë fare, se nuk kam edhe shumë shumë vite, siç kam pas përpara, për të humbur me llafe e për ta kap veshin mbrapsht. Ligjet e reformës në drejtësi janë aty, reforma në drejtësi është aty, por që drejtësia në Shqipëri ka probleme të mëdha, kjo nuk diskutohet. Reforma 10 vjet ka, ndryshimet 10 vjet kanë, 10 vjet janë një hiç asgjë në historinë e një shteti dhe në historinë e një pushteti. E kam thënë dhe herë të tjera, pushteti ekzekutiv ka më shumë se 100 vjet, po pushteti ekzekutiv në Shqipëri nuk është i pakritikueshëm apo jo? Sot nuk është absolutisht për t’u futur në tenxheret tuaja, po juve e fusni se atë punë keni, po nuk është i pakritikueshëm.
Tani si mund të jenë të pakritikueshëm protagonistët e një pushteti që ka vetëm 10 vjet? Janë të kritikueshëm që ç’ke me atë punë dhe kritikat janë të gjitha konstruktive, ndërkohë që, çfarë i takon atyre, i takon atyre, nuk na takon ne. Çfarë na takon ne, nuk i takon atyre dhe nëse do ketë nevojë për të bërë, për paraburgimin një herë, sigurisht që ka nevojë për ndërhyrje.
Shihini ato që thotë Këshilli i Europës, që është për definicion institucioni më i madh ndërkombëtar për liritë dhe të drejtat e njeriut. Shihni çfarë thotë. E pranoni ju këtë? Ju duket bukur kjo ju që Shqipëria të jetë e fundit fare në listë dhe të ketë vetëm Rusinë mbrapa për brutalitet dhe për varësi.
U vra një kriminel i dënuar me burgim të përjetshëm në mos gabohem nga një tjetër i dënuar me burgim të përjetshëm në mos gabohem në burgun e Peqinit. Po si prokurori i merr gjithë policët e turnit dhe i fut në burg? Po çfarë është kjo, ku jemi këtu ne? Shkon i merr të gjithë policet e turnit i fut në burg, i paraburgos domethënë, i dënon ai të gjithë policët. Pa dashur të di fare se administrata e burgut funksionon me turnet e veta, me burimet e veta njerëzore, pa dashur të di fare se këta njerëz janë familjar, se janë prindër, pa dashur të dije fare se mes tyre mundet të ishte se nuk rezultatin gjëkundi dhe i fajshmi, por ka të pafajshëm, jo i mori i futi në burg të gjithë grup. Çfarë është kjo? Çfarë shteti i se drejtës është ky? Çfarë është kjo? E pranoni ju këtë? Mes jush ka pronar që janë evazor të mëdhenj fiskal. E pranoni ju që për llogari të pronarit t’ju vijnë t’ju kontrollojnë juve të gjitha banesat se mos keni të fshehur ndonjë gjë nëpër shtëpi që i takon pronarit apo që pronari ua ka dhënë ta fshihni, e pranoni ju këtë? Çfarë është kjo, çfarë janë këto? Këto janë probleme dhe këto probleme duhen diskutuar, duhen folur se ne e kaluam një herë, ua u thashë, traumën e parë e kaluam ne me dhunë kur unë isha në moshën tuaj. S’mund ta kalojmë prapë se mentalitetet e vjetra, sëmundjet e vjetra pak gjë duan dhe zgjohen kur vjen puna sesi veprojnë shtetet. Shtetet që nuk janë akoma të konsoliduar kështu që, por një gjë është e sigurt, ne nuk prekim thelbin në asnjë rast dhe për asnjë arsye. Dhe thelbi është që ne jemi këtu për ta garantuar këtë proces, procesin e luftës së pavarur nga pushteti ekzekutiv kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Shpresoj që lufta kundër korrupsionit të sofistikohet dhe të luftohet korrupsioni, jo prerja e pemëve, duke e kapur veshin mbrapsht, të futet ne statistikë. Pra duhet balancim, kjo është pak, por është e sigurtë.
-Zoti kryeministër, ju flisni shpesh për përgjegjësi personale, përgjegjësi individuale kur drejtësia afrohet apo goditet familjen tuaj politike apo zyrtarë të lartë publik. Megjithatë pavarësisht përgjegjësisë që është individuale dhe këtë e vërteton drejtësia, dua t’ju pyes në lidhje me luftën anti korrupsion që bëhet paralelisht nga ekzekutivi apo nga institucione të tjera të brendshme. A mendoni ju se ka funksionuar sistemi i luftës anti korrupsion, sistemi i brendshëm që keni ngritur ju përballë një realiteti që ne shohin kur gjithnjë e më shumë familja juaj goditet nga SPAK. Dhe për të qartësuar edhe pak më shumë dhe për të vazhduar pyetjen e koleges, do të kemi një rishikim të Kodit të procedurës Penale sa i takon çështjes së paraburgimeve që ju u ndalët gjatë dhe rishikim të veprës penale të shpërdorimit të detyrës ashtu siç po kërkon BE?
Kryeministri Edi Rama: Tani unë nuk e di si i bëhet por unë do ta përsëris edhe një herë tjetër meqë juve vazhduat atë muzikë. Shqipëria sot ka shumë më pak korrupsion se ç’ka pasur, fakt. Pse fakt? Marrim rastet e njerëzve që kanë paguar para për të marrë një shërbim. Janë ulur 95% minimalisht, pse? Sepse 95% e shërbimeve nuk kanë më njerëz.
Vijmë tek familja politike. Familja ime politike është shumë e madhe apo jo? Shumë e madhe por shumë. Familja ime politike prodhon 83 mandate. 37 raste kam numëruar unë në të gjithë këto vite që kanë shkuar dhe kanë marrë akuzë dhe nga këto 37 raste ka raste për vepra të ndryshme dhe vetëm disa raste për korrupsion. Dhe nga këto raste 80% e tyre i përkasin periudhës së mandatit të parë dhe të dytë. Pra, tenxheret janë më shumë. Temperatura e zierjes së gjellës me “Burg, burg, burg! SPAK, SPAK, SPAK”, është shumë më e lartë.
Gjysmë të vërtetat janë shumë më tepër. Loja e disave brenda SPAK-ut që çuditërisht akoma nuk kam dëgjuar të jetë hapur ndonjë hetim sepse është vepër penale të nxjerrësh të dhëna nga dosja hetimore. Është sot shumë aktive por të gjitha këto nuk duhet të thonë që realiteti flet për një Shqipëri më të korruptuar, realiteti flet për një Shqipëri që është në luftë me korrupsionin dhe një Shqipëri që modernizohet dhe që ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave pikërisht sepse po i bën të gjitha këto gjëra. Ky është realiteti. Se nuk po i referohem se çfarë mendoj unë. Po i referohem se çfarë rezultatesh vijnë si rezultat i asaj që mendojnë të tjerët që nuk janë në tenxhere, që nuk ziejnë në tenxhere dhe që nuk presin nga tenxheret rrëzimin e qeverisë. Më kupton?… E dimë shumë mirë se kush janë financuesit e tenxhereve më aktive apo jo? E dimë shumë mirë. Dhe ata natyrisht që kërkojnë rrëzimin e qeverisë, patjetër. Si mos ta kërkojnë? Kanë humbur privilegje të mëdha dhe do zmadhojnë çdo gjë, do sajojnë çdo gjë. Punë e tyre, kjo është koha që jetojmë, full stop. Meqë ra fjala, nuk di a e keni marr vesh, unë kam kërkuar marrëveshjen me Komisionin Europian që për gazetarët nuk do ketë më penalizim, nuk do ketë më ndjekje penale për shpifje. Do shpifni dhe nuk do ndiqeni penalisht ju. Ju nuk shpifni? Ju shpifni patjetër sepse po nuk shpifët, nuk ju duheni atyre që ju punësojnë. Të shpifësh nuk do të thotë të sajosh diçka, mjafton të thuash një gjysmë të vërtetë, kaq. Merre një gjysmë të vërtetë dhe thuaj që ky mesazhi thotë kështu, pas tre muajsh ka ndodhur kjo, domethënë ti ke ditur se çfarë ka ndodhur pas tre muajsh. Kjo është shpifja s’ka tjetër. Shpifja është fiks kjo, jep një gjysmë të vërtete, rrasi pastaj një histori nga mbrapa dhe pastaj për shkak të kësaj gjysme të vërtete historia duket e besueshme. Tendenca e njeriut është që të keqen ta marrë shumë më shpejt për të vërtetë. Dhe të mirën të mos e besoj. Pse? Kjo nuk është për në Shqipëri. Një studim për Tëitter-in tregoi që viraliteti i gënjeshtrave ishte 70 herë më i lartë sesa shpërndarja e të vërtetave. Të vërteta janë të mërzitshme, të vërtetat nuk bëjnë spektakël. Të thuash që Shqipëria është e para në rajon për transparencën dhe eficencën e të gjithë sistemit të prokurimeve publike sepse këtë e thotë SIGMA një institucion që nuk e ka vënë njëri në diskutim, është diçka shumë e mërzitshme dhe për këtë shkak është dhe e papërfillshme. Të thuash që Shqipëria është vendi më i korruptuar në botë se këtë doli e tha një hajvan në Uashington, kjo është shumë spektakolare dhe kjo është shumë e besueshme.
– Zoti kryeministër për të qëndruar sërish te drejtësia.
Kryeministri Edi Rama: Aty që qëndrojmë s’kemi tjetër, aty te tenxheret.
– Duke ju referuar fjalëve tuaja në shënimet e javës, ku keni prekur një rast të sjelljes së oficerëve të BKH-së me Gardën e Republikës dhe keni thënë që nuk linin armën e tyre te dera në hyrje të godinës së Këshillit të Ministrave dhe keni thënë që ka ardhur koha për një reflektim serioz, nuk mundet kurrsesi të lejojmë që kura të bëhet problem më i madh se sëmundja. Ndërkohë në një tjetër shënim të javës, të datës 21 keni thënë se kur njerëzit merren në pyetje, apo zyrtarët merren në pyetje në SPAK ata nuk regjistrohen me video dhe audio, duke ngritur një pikëpyetje shumë të madhe sipas jush. Thatë që, nuk do të ndryshojmë thelbin në Reformën e Drejtësisë, por duke iu referuar këtyre fjalëve çfarë do të ndryshoni te ligjet e Reformës në Drejtësi?
Kryeministri Edi Rama: Jo sipas meje, ja kjo është një tjetër shpifje sepse gjysma të vërteta është që unë thashë këtë gjë. Gënjeshtra është që e thashë thjesht unë. Në fakt unë citova Këshillin e Europës. Nuk e them unë, e thotë Këshilli, “është shumë problem”, – thotë, “që në Shqipëri nuk ka regjistrim të dëshmive me video dhe me audio”, e thotë Këshilli i Europës. Dhe kur mendoj se sa shumë lekë kemi dhënë për Reformën në Drejtësi. Për shembull se po vijmë te lekët, nuk ju bën përshtypje ju që mblidhen shoqatat e gjykatëse dhe duan t’i rrisin rrogën vetë me gjyq? Pse nuk ia rrisni dhe ju rrogën vetes me gjyq? Pse nuk ja rrisin prindërit tuaj vetes rrogën dhe pensionin me gjyq? Pse nuk çohen mësuesit t’ia rrisin vetes pagën me gjyq? Pse? Sepse askush nga këta nuk ka bindjen se ka në dorë dhe gurin dhe arrën dhe sepse të gjithë e dinë që rritja e pagave është ekskluzivitet i pushteteve të tjera, jo i pushtetit gjyqësor. Si ka mundësi që këta kërkojnë t’i rrisin pagat e vetes, ndërkohë që i kanë pagat disa herë më të larta se tonat. Nuk ju bën përshtypje kjo ju? Mua më bën shumë përshtypje dhe unë mendoj që pikërisht pse në vendet e tjera ka ndodhur që kura të bëhet më e rrezikshme se sëmundja ne s’duhet të presim, dhe unë s’mund të presë që kjo të ndodhë. Duhet ta parandalojmë. Çfarë do të thotë që kura të bëhet më e rëndë sesa sëmundja? Do të thotë që një vend të humbë 10 % të GDP vetëm nga kura. E duam këtë në Shqipëri? E duam ne, një Shqipëri që të gjithë sipërmarrësit të thonë “jo nuk po investojmë më ne se kush e di si na vjen puna”? Dhe na vijnë. E duam ne Shqipërinë që njerëzit të thonë “jo s’po blejmë më se kushedi si na vjen puna”? Nuk duam apo jo? Nuk jemi aty, por rreziku që të shkojmë aty është real. Pse? Sepse ka ndodhur në vendet e tjera. Po flasim për ekonominë, po flasim për rënien besimit te vendi dhe rënia e besimit te vendi si rezultat i rënies së sigurisë juridike dhe natyrisht që siguria juridike kërcënohet kur një vend ka më shumë të padënuar sesa të dënuar në burgje që do të thotë se ka një sistem drejtësie që të fut në burg dhe të thotë ‘rri njëherë aty dhe pastaj do shikojmë çfarë do dalë sepse ne kemi dyshime të arsyeshme”. Kjo është kura që bëhet më e rëndë se sëmundje. Kura që bëhet më e rëndë se sëmundja është që gjithë jo punë që kemi bërë për të ngritur administratën të kthehet në bumerang dhe të mos firmosë më askush thjesht se s’do të ketë telashe. Se kur bëhet 7X7=42 interpretimi i procedurave të tenderave atëherë gjithkush mund të jetë i kërcënuar. E përsëris, që të marrësh dhe të gjykosh një tender flas për procedurën, duhet të jesh ekspert. Unë nuk e bëj dot, e kam mësuar këtë shumë kohë më përpara dhe disa ankesa i kam marrë shumë seriozisht dhe më dukeshin dhe mua siç i duken Ambrozias sot.
Duhet të shikosh gjithë komponentët se ka shumë komponentë procesi nuk ka vetëm një, nuk është vetëm çmimi se po të ishte vetëm te çmimi nuk ka nevojë fare. Janë dy momente kur kërcënohet shteti. Nuk flasim për destabilizim, se destabilizim me 83 mandate nuk bën dot as dreqi vetë këtu sado që ta dëshirojnë një pjesë apo sado që një pjesë tjetër të mos e kujtojnë që mund të jenë duke kontribuuar për këtë. Flasim për dy aspekte, ekonomia dhe administrata. Duhet të rrisim pagat më shumë. Duhet të rrisim konsumin, duhet të rrisim investimet. Nuk mundet dot të gabojmë dot në këtë pikë. Këto janë tema të mëdha, nuk është çështja këtu, ky apo ai ose çfarë do bësh këtu, çfarë do bësh këtu. Dhe po, është e vërtetë. Thashë që na duhet një analizë dhe po e bëjmë.
Po e bëjmë shumë të thellë analizën në të gjitha anët, se si mund ta pranoj unë për shembull, që në moshën tuja, kur shihja një njeri që më dukej si i Sigurimit, më acaroheshin nervat dhe bëja provokime. Që sot në Shqipërinë që unë jam kryeministër, të trajtohen njerëz sikur janë përballë Sigurimit, me ato metodat e ndyra?! Me ato zgërdhitjet dhe me ato skërmitjet kërcënuese?! Si? Si?
Nuk mundet kjo. Po kjo nuk do të thotë fare që ‘’duhet të hedhim beben bashkë me ujin’’ si thonë italianët. Kur lahet bebja, hidhet uji i pistë, dhe nuk hidhet bebja. Dhe shyqyr Zotit, ‘’beben’’ e kemi shumë mirë dhe do ta ndihmojmë të rritet, drejtësinë e re domethënë. Dhe pastaj ka dhe një gjë tjetër, që nëse ka një problem të madh serioz sot, se sa herë flasim, juve menjëherë ju shkon mendja të SPAK, se juve keni dhe hallin e lajmeve, keni dhe hallin e ‘’tenxheres’’, keni dhe hallin e kokave të lakrës që do hidhni në tenxhere, ça do hidhni në tenxhere. Juve e keni hallin shumë konkret, por në fakt është shumë më e gjerë kjo, s’ka lidhje me SPAK-un. Sistemi që ne kemi ngritur, është një sistem që vetëqeveriset. Pra, këto problematika, për shembull, paraburgimi duhet të ishte temë kryesore e Këshillit të Lartë Gjyqësor, është ‘’qeveria’’ e gjykatave. Ajo është qeveria. Duhet te ishte temë e KLP-së. Ai raport i Këshillit të Evropës nuk duhet të ishte, duhet të ishte patjetër temë e jona, se nuk diskutohet, se ne bëjmë ligjet, por është temë e tyre. Keni dëgjuar ju të ngrihet ndonjë problem publik? Jo. E vetmja herë kur unë e shoh të dëgjohem publikisht, është kur reagojnë ndaj meje, ndërkohë që janë ca te tjerë që shajnë me shtëpie prokurorët e SPAK-ut, unë s’kam parë ndonjëherë ndonjë që të çohet e të thotë .. po nejse, s’ka problem, jam mësuar unë me këto.
Ça nuk të vret, vetëm të forcon. E kam të provuar vetë këtë. Më ka pas pëlqyer shumë kur e citoja nga Niçja, tani e kam me provë. Kjo është problematika që është e gjerë dhe tema është e madhe. Nuk është çështje cicmic-esh, nuk është çështje taktikash, nuk është çështje momenti. Mua personalisht e gjithë kjo zhurmë e madhe ‘’tenxheresh’’ që krijon një ide se ç’po ndodh, më duket një palavi e neveritshme, por as më ndikon dhe s’më impresionon fare, përsa i përket këtyre punëve reale dhe gjërave serioze që duhet të bëjmë, sepse flasim këtu dhe kemi folur , tani rreth 1 orë në mos gabohem, sepse s’po mas kohën duke qenë se iu dhashë kohë, flasim për kohën që morët për këto historitë ‘’burgu, burgu, burgu’’, “SPAK-u, SPAK-u’’, se s’po flasim për të tjerat dhe ndërkohë nuk u kujtua askush dhe natyrisht që nuk është ndonjë temë e rëndësishme se si do shkojnë punët e ku janë dhe se si do shkojnë punët e infrastrukturës në Shqipëri, kuptohet, se ça ju duhet ju kjo? Juve ju duhet vetëm rruga nga Treni..
Jo, jo, aty hekur nuk ka. Në tunelin e Llogorasë, ky është një fakt që kush e ka kapur, e ka kapur tamam dhe meqë jemi këtu tani për Vit të Ri, unë po ua them këtë se bashkë jemi, ‘’s’na dëgjon njeri, hekur në Tunelin e Llogorasë nuk ka. Aty është përdoru bar, është përdoru bar i thatë. E keni parasysh atë barin që përdoret në jug për ato tendat për hije dhe ngaqë u desh vjedhur shumë, aty u përdor bar. U bë në vend të hekurit, u vu bar i thatë edhe madje –madje ka dhe një krim tjetër aty që është bërë, që është marrë shumë zhavorr. Nuk po e gjej tani atë se ku e kam, por është marrë shumë zhavorr dhe bar-zhavorr-rërë dhe u bë një strukturë që ata turqit këtë punë, janë të poshtër shumë, pretendojnë që është më i fortë se hekuri, por këtë duhet ta studioni ju patjetër dhe do ta nxirrni. Jam i sigurtë që dhe kjo do të dalë. Pa merak. Po ndërkohë, deri sa të dalin këto, Tuneli i Llogorasë është aty dhe është shëndoshë e mirë dhe e përdorin të gjithë dhe lehtësohen të gjithë.
Ato pastaj janë çështje tjetër. Ato lidhen me gërmimin. Ato janë punë gërmimesh, nuk është punë tuneli, nuk është punë hekuri domethënë ku janë ato. Kështu që ato nuk e di, do gërmoni dhe ishallah i gjeni, do Zoti. Ndërkohë ne do vazhdojmë të bëjmë tunele, do vazhdojmë të bëjmë akset dhe këtë mandat, siç e kam thënë, do ecim shumë edhe me projektet e hekurudhave, kështu që këtu i kemi ndarë detyrat. Po juve, aty, ‘’tenxheret’’, fort. Ka ndonjë pyetje tjetër apo i mbaruam?
– Unë në fakt do doja te ndalesha pak edhe tek dy komisionet e posaçme parlamentare, ai i reformës territoriale dhe ai për reformën zgjedhore. Kur KQZ, komisioneri shtetëror Celibashi ka sugjeruar që brenda 6-mujorit të parë të 2026, të mund të kemi një produkt nëse do duhet që produkti i këtyre dy reformave të aplikohet, le të themi, apo të implementohet në zgjedhjet e ardhshme. Nga ana tjetër, PD ka nisur një bojkot duke nisur edhe nga votim i Avokatit të Popullit, me ..
Kryeministri Edi Rama: Pse, ka ndodhur dhe kjo? Këtë lajm nuk e kam pasur. Ka nisur një bojkot PD?
– Pra votimin e Avokatit të popullit me votat e Partisë Socialiste. PS, maxhoranca socialiste si do të veprojë në këtë rast? Do të veprojë e vetme me dy komisionet apo dy reformat, atë territoriale dhe atë zgjedhore apo do të synojë që të ketë një bashkëpunim apo dialog konstruktiv me opozitën, për të pasur një fryt në fund të fundit konsensual? Faleminderit.
Kryeministri Edi Rama: Tani, se më kujtove Avokatin e Popullit, se i bien shumë gjatë këta të ‘’tenxhereve’’ politike dhe mediatike, pse fiton PS? Por ndërkohë harrojnë që në fund të ditës zgjedhjet janë zgjedhje dhe ti ke një numër të caktuar ofertash dhe ti zgjedh ofertën që do. Tani, si mundet që imagjinohet të merret seriozisht një parti, në këtë rast Demokratikja, ndjesë pastë, që është zyrtarisht opozita, hyn në procesin për të zgjedhur Avokatin e Popullit, ne i kemi votat apo jo? Po të ishim ata që ‘’tenxheret’’ thonë se jemi, ne do të kishim zgjedhur Avokatin e Popullit vetë. Vinim Met Veliun që kemi tonin, siç thonë gojët e liga. Ne thamë, ne nuk do propozojmë fare, propozoi opozita. Do zgjedhim një nga ata që do propozojë opozita. Vjen lista me propozime, me firma, lloj-lloj krijesash cirku aty dhe mes gjithë atyre ‘’qorrave” shohim një me “një sy’’ dhe themi po mirë, një sy e ka, ka mbaruar shkollën jashtë, ka bërë shumë studime, mbase i vjen dhe syri tjetër po të shkëputet nga këta. Po sidoqoftë, në atë lukuni qorrash, ky është i vetmi dhe papritur merret vesh kjo, merret vesh ngaqë shohin Taulant Ballën. Po tani mos takoni Taulant Ballën se po iu panë me Taulant Ballën, mund t’iu thonë: S’jeni për tenxheren tonë edhe thonë: do të heqim ne firmën, si do ta tërhiqni firmën, ku ka bërë vaki kjo? Si është kjo? Pse ça është këtu, gallatë? Tani ma thoni ju mua, ku hyjmë ne në këtë bojkot, që i paskam bojkotuar, se nuk e kam këtë informacion, se nuk i ndjek me thënë të drejtën, ku hyjmë ne në këtë bojkot tani. Vijnë vetë, ikin vetë, ngrihen vetë, ulen vetë, shtrihen vet, hidhen vet, puna tyre, shumë e thjeshtë, ne kemi detyrën të udhëheqim dhe t’i bëjmë të tëra gjërat që duhen bërë. Gjithmonë e kemi pasur derën të hapur, gjithmonë e kam pasur vendin në tryezë, duan të hyjnë nga dera e hapur dhe të ulen në tryezë, bujrum gjithmonë, por ne peng nuk na merr dot askush dhe jo ata. Dhe ne punën që do bëjmë, do e bëjmë me ata ose pa ata. Kështu që edhe këto reforma mirë do jetë t’i bëjmë bashkë, – nuk duan t’i bëjnë me ne, do t’i bëjmë vetë. Si do bëjmë? S’do i bëjmë fare? Pse se ata kanë ca plane të tjera, ato teoritë e tyre: – “jo po duam qeveri kështu”, “jo po duam qeveri ashtu”. Duan qeveri kështu apo ashtu, të fitojnë zgjedhjet. Si fitojnë zgjedhjet, të bëjnë ca të duan tjetër përveç punës sonë, se punën tonë e bëjmë ne. U kuptuam, thjeshtë.
Edhe një xhiro me publikun të lutem dhe pastaj e mbyllim me këdo qoftë nga ju që i ka ngelur merak.
(Pyetja nga qytetarët)- E di që nuk do ti përgjigjes por po ta them, kur do t’i japësh zgjidhje trafikut në unazën e Elbasanit, është bërë gangrenë fundi i autostradës Tiranë-Elbasan dhe kryqëzimi i Cërrikut.
Kryeministri Edi Rama: Pse nuk do t’i përgjigjem kësaj pyetje se kuptova, unë i përgjigjem të gjitha pyetjeve. Mjafton që të më lënë të flasë. Po në Elbasan po punohet, edhe është në proces, edhe By-passi Elbasanit, që besoj është zgjidhja. Përveç gjithë pjesës tjetër, që janë të gjitha segmentet ku nga njëra anë po ecet me autostradat nga ana tjetër po punohet edhe për hekurudhat.
– Ka edhe një moment tjetër që shkruan se në Elbasan është shqetësimi se vjen dhe Kombinati i ri Metalurgjik.
Kryeministri Edi Rama: Nuk jam në dijeni të ndonjë Kombinati të ri Metalurgjik me thënë të drejtën, kështu që i duhet thënë të lidhet me Luçiano Pavarotin e Elbasanit. Ndërkohë përsa i përket transportit, meqë jemi te transporti, te tunelet, te rrugët, te mesazhet. Kam disa mesazhe të reja që dua t’i ndaj me ju. Mesazhi i kapitullit të 14-të të negociatave thotë politika e transportit: “Shqipëria ka demonstruar progres të qëndrueshëm në harmonizimin e politikave të transportit dhe legjislacionit në standardet europiane dhe arritjet kryesore lidhen me”, – sipas mesazhit; “përmirësimin e sigurisë rrugore, rregullimin e tregut të transportit dhe planifikimin strategjik të infrastrukturës”.
Në ndërkohë kapitulli i 15 ka këtë mesazh. “Arritjet gjatë vitit 2025 lidhen me përforcimin e angazhimit për tranzicionin energjetik dhe integrimin në tregun europian të energjisë. Shqipëria ka bërë progres në diversifikimin e burimeve energjetike, promovimin e energjive të rinovueshme dhe përmirësimin e efikasitetit energjitik”.
Dhe mesazhi i kapitullit 21. “Hapja e negociatave ka reflektuar arritjet konkrete në drejtim të ndërlidhjes infrastrukturore të Shqipërisë me rrjetet europiane të transportit dhe energjisë, progresin, planifikimin dhe zhvillimin të projekteve strategjike, veçanërisht atyre të lidhura me TEN”. TEN janë Rrjeti Rrugor Europian, Rrjeti Infrastrukturës Europiane. “Janë vlerësuar si një element kyç për integrimin funksional të vendit dhe tregun e përbashkët Europian” dhe në ndërkohë këtë vit që këto janë gjëra të vogla, nuk ka arsye pse të shqetësohen tenxheret me këto, po ka vazhduar ulja e humbjeve në rrjet dhe kemi hyrë në kuotat e normaliteteve europiane me 16.9% humbje që quhen teknike. Këtë vit ulëm çmimin e energjisë me 10.5% për konsumatorët familjarë. Këtë vit u rrit portofoli i diversifikimit të energjisë dhe faktikisht, jemi sot në kushtet kur kemi 700 megavat që prodhohen nga energjia diellore. Dhe nga ana tjetër këtë vit kemi hedhur bazën dhe për vendosjen e matësve inteligjentë, që do të thotë do të instalojmë rreth 350 mijë pajisje në zonat kryesore urbane dhe do të shkojmë drejt digjitalizimit të plotë të sektorit të shpërndarjes. Mos harrojmë se 700 megavat kapacitete të instaluara fotovoltaike dhe 400 megavat të instaluara nga vetë prodhuesit për ata që i përdorin për nevojat e tyre janë 1100 megavat plus në portofolin energjitik të Shqipërisë. Edhe po ashtu ka vazhduar projekti me panelet diellore për familjet dhe do të vazhdojë edhe më tutje.
Përsa i përket pastaj infrastrukturës rrugore, tuneli Llogarasë ka qenë një super sukses dhe ndërkohë që gërmimet do vazhdojnë dhe do dalë edhe “misteri i hekurit të zëvendësuar me kashtë” në tunelin e Llogarasë, ka lëvizur një masë e madhe njerëzish dhe impakti mbi sektorin e turizmit ka qenë shumë-shumë pozitiv.
Më në fund këtë vit u hap edhe tuneli i Murrizit, tuneli i “syrit të keq” dhe në ndërkohë, ajo që vlen shumë të të theksohet është puna e bërë për hekurudhat. Këtë vit u sigurua përfundimisht financimi për linjën Vorë – Hani Hotit. Janë 320 milionë euro që i janë dhënë Shqipërisë nga Ëestern Balkan Investment Fund, ka vazhduar konsolidimi i korridorit 8 hekurudhor, një projekt me rëndësi rajonale dhe europiane.
Segmenti Durrës- Rrogozhinë është mbështetur me 120 milion euro, ndërsa për segmentin Rrogozhinë – Pogradec deri në kufi me Maqedoninë e Veriut është për përfundim faza e projektimit të detajuar që është baza për financimin e ndërtimit. Dhe në të njëjtën kohë janë hedhur dhe themelet për projektet e reja strategjike. Linja hekurudhore e Porto Romano – Sukth – Rrogozhinë – Vlorë dhe lidhja me aeroportin e Vlorës si dhe linja Durrës – Prishtinë për të cilën po punojmë me qeverinë e Republikës së Kosovës dhe besoj shumë që do ta çojmë përpara së bashku këtë projekt strategjik për të dy anët e bjeshkëve. Këto ishin mesazhet që nuk kanë dalë akoma nga infrastruktura.
– Në fakt zoti kryeministër dua ta bej pyetjen duke u nisur nga fjalia juaj e fundit që kishte të bënte pikërisht me bashkëpunimin me Kosovën. Ju ditën e djeshme ndatë dhe një mesazh urimi për qytetarët dhe zotin Kurti i cili fitoi zgjedhjet. Ndaj dua t’ju pyes nëse vitin që vjen do të jeni ju iniciatori, qeveria juaj për rikthimin e mbledhjeve ndërqeveritare mes dy shteteve të cilat prej tre vitesh nuk po zhvillohen.
Kryeministri Edi Rama: Nuk e di. Do flasim, do vendosim, patjetër që mirë do ishte ta kishim një mbledhje mes dy qeverive. Në ndërkohë mos harroni kemi bërë mbledhjen mes parlamenteve. Këtë vit nuk e zhvilluam dot për shkak të zgjedhjeve. Zgjedhjet mbaruan, Albini u ri konfirmua si kryeministër dhe i kam bërë dhe urimet personalisht dhe patjetër që do vazhdojmë punën. Do vazhdojmë punën. Kemi gjëra që mund të bëjmë dhe sidomos hekurudha Durrës – Prishtinë është si të thuash xhevahiri i kurorës për të cilin jemi angazhuar që të dy dhe të dyja palët do bëjmë çmos që ta çojmë deri në financim, pastaj fillojmë ndërtimin.
– Shqipëria teksa shkon drejt BE, bizneset janë ato të cilat duhet të plotësojnë standardet, kushtet, gjithashtu kriteret por edhe certifikimet. Thënë kjo, nga ana e qeverisë shqiptare a ka një plan konkret për bizneset të cilat duhet të jenë pjesë e BE, të ketë një “check list” për përmbushjen e kritereve të tyre që të jenë konkurruese në një treg prej 450 milionë konsumatorësh?
Kryeministri Edi Rama: Ministria e Ekonomisë dhe Ministrja e Ekonomisë deri dje Ministre e Sipërmarrjes është angazhuar në mënyrë aktive me planin e sensibilizimit dhe të informimit te bizneseve lidhur me procesin dhe lidhur me çfarë duhet të presim sepse po nuk u përgatitën do ta kenë shumë të vështirë. Dhe në këtë mes, një rol të rëndësishëm luan dhe sekretariati i këshillit ekonomik kombëtar. Dhe sekretari i këtij sekretariati zoti Arben Shkodra që punon me këtë program, këtu ngjitur ne kemi dhomën e këshillimit një nga këto kubat e piramidës, ku bëhen takime intensive me biznesin.
– Zoti Rama ju folët për rritje ekonomike por ne e ndjejmë pak këtë në xhepat tanë dhe kryesisht e kam fjalën tek mundësia e ne të rinjve për të blerë një banesë në Tiranë. Aktualisht me çmimet që janë ne e kemi të pamundur të blejmë një shtëpi apo të shlyejmë një kredi pavarësisht ndihmës së bashkisë së Tiranës me kredi të buta. A do ketë qeveria shqiptare një iniciativë apo një ndihmesë për të rinjtë, çiftet, familjet e reja që duan të ndërtojnë dhe ta jetojnë jetën e tyre këtu në vendin e tyre?
Kryeministri Edi Rama: Së pari, ta fusim pak në kontekst këtë gjë sepse duket pastaj sikur edhe në këtë pikë jemi origjinal dhe të veçantë. Ne nuk jemi origjinal dhe të veçantë në asnjë nga këto problematika. Nëse jemi origjinal dhe të veçantë në fakt ne si vend jemi origjinal dhe të veçantë për faktin që këtë 10 vjeçar kemi bërë një kapërcim të jashtëzakonshëm në çdo aspekt dhe për këtë arsye kemi vendosur veten në një komplet pozicion tjetër ndërkombëtarisht dhe në rajon dhe fakti që sot na quajnë “front runners” në procesin e integrimit të rajonit, lidhet me këtë.
Ndërsa rritja ekonomike që ndihet, ndihet sepse pagat tuaja, ato të deklaruarat janë më të larta. Shto dhe të pa deklaruarat që një pjesë e juaja kanë dhe ato bëhen dhe më të larta. Po kjo është temë tjetër. Si kundër pastaj meqë dikush këtu foli për pagat e deputetëve, ata që dalin në buzë të tenxhereve çdo natë marrin paga që deputetët as në ëndërr nuk i shohin dot por i marrin në të zezë, kuptohet. Dhe duke qenë se i marrin në të zezë kanë dhe të drejtën të nxjerrin zi gjithë kohës nga goja dhe të kërkojnë çudira në pritje të revolucionit që po plaken duke e ëndërruar, por thënë të gjitha këto, çështja e kostos së banesave është një problem i madh në gjithë Europën, në gjithë Ballkanin. Shkoni në cilindo vend të Ballkanit, do ta hasni dhe nuk ekziston sot një i ri në Europë me një pagë normale që të ketë shansin të mendoje të blejë një banesë. Për këtë arsye, qeveritë kanë provuar shumë gjëra lidhur me atë që quhet banesë e përballueshme, jo sociale, se sociale është një kategori tjetër, por e përballueshme pra në rastin tuaj ju nuk jeni një kategori sociale në nevojë, por jeni një kategori sociale që nuk keni mundësinë që të keni akses në tregun e banesave thjesht duke iu referuar punës tuaj.
Dhe për këtë arsye edhe ne po bëjmë këtë reformë. Shumë shpejt do ta prezantojmë Agjencinë e ri të Planifikimit, Zhvillimit dhe Strehimit dhe po punojmë me disa formula që besoj do na japin mundësinë që të hapim një rrugë në fushën që ne nuk e kemi, të strehimit të përballueshëm për kategori të caktuara, për të rinj, për çifte të reja, natyrisht me disa kritere etj. Dhe po, do bëjmë çmos që ta bëjmë këtë gjë dhe besoj që në harkun e dy viteve do shikojmë rezultate konkrete dhe do shikojmë fillimin e aksesit të shtresës së mesme po themi të re në strehimin e përballueshëm.
Ky është qëllimi dhe kam besim që edhe këtu do t’ia dalim se faktikisht ne ia kemi dalë, ia dalim dhe do ia dalim në çdo që themi. Është vetëm çështje kohe, në kuptimin disa gjëra më shpejt, disa gjëra më vonë, disa gjëra më lehtë, disa gjëra më me vështirësi, disa gjëra duke u ngjitur me vrap, disa gjëra duke u rrezuar, duke u ngritur dhe duke rifilluar prapë e kështu me radhë, por që çdo gjë që kemi thënë e kemi bërë dhe do ta bëjmë.
– Ju thatë në fakt skuadra e suksesshme e AKSHI-t. Doja te pyesja nëse pjesë e kësaj skuadre të suksesshme është edhe Ergys Agasi për shkak se nuk kuptuam sesi po del në dosjet e SPAK si një person i cili kishte influencë dhe ndërmjetësim në ndarjen e tenderave?
Kryeministri Edi Rama: Kjo është pjesë e hetimeve por unë nuk kam asnjë dijeni për këtë dhe nuk mund të bëj asnjë koment për gjysmë të vërteta që dalin lartë e poshtë. Do bëhen hetime, procese, gjykime, është proces që do tregojë në fund, por di një gjë, që në krye të skuadrës së AKSH-it është një grua që ka respektin tim të padiskutueshëm Linda Karcanaj, e cila sot është në masë sigurie në një shtëpi me qira, ku jeton pasi ka jetuar deri pak vite më parë në shtëpinë e prindërve, në një apartament që ishte i kohës së komunizmit dhe që e njoh prej 20 vjetësh që punon pa orar dhe që ka udhëhequr gjithë këtë transformim që është epokal për Shqipërinë. Këtë di ta them me plotë gojën. Kështu që, në këtë pikë po, është transformuesja e reformimit digjital të Shqipërisë me një respekt absolut ndërkombtarisht në të gjitha institucionet. Për pjesën tjetër, që ju më pyesni unë po e përsëris, çfarë thoni ju sot bazuar në copëza të nxjerra rrugëve nga ata që duhet të ruajnë sekretin hetimor nuk është absolutisht e mjaftueshme për të dalë në përfundime mbi fajin apo pafajësinë e njerëzve. Të kujtdo qoftë. Janë gjysmë të vërtetat apo janë çerek të vërtetat sepse gjëja është shumë më e madhe sepse nxirret një copë këtu e nxirret një copë atje sepse kështu ndodh dhe në vendet e tjera. Ushqehet publiku me këto gjëra për të dënuar në sytë e opinionit njerëz që kanë të drejtën të prezumohen të pafajshëm deri në momentin që i dënon gjykata. Degjenerohen në publik, krijohet ideja që ka një gjë të madhe që këta njerëz janë kështu, që janë llum, që atje llum, dalin dhe këta kapakët e tenxhereve në dark që marrin paga marramendëse të padeklaruara dhe që pastaj flasin për pensionistët dhe ndërkohë që nuk ju paguajnë pensionistëve atë që u takon pensionistëve nga rroga e tyre dhe vazhdon historia.
Unë nuk marr pjesë në këtë histori, unë thjesht jam në dispozicionin tuaj si personazh që të më fusni ne tenxhere nga mëngjesi deri në dark. Mos harroni vetëm një gjë, mua çfarë nuk më vret vetëm më forcon, këtë kijeni parasysh. Po të doni të më dobësoni, mos tentoni të më vrisni. Flas të më vrisni metaforikisht se larg qoftë fizikisht se atë nuk e kemi në dorë. Flas për këtë që ne kemi në dorë.
– Zoti kryeministër, a jemi ne gati për të nisur me procesin e mbylljes së negociatave në gjashtë mujonin e parë të 2026?
Kryeministri Edi Rama: Po të shikojmë a jemi gati apo nuk jemi gati. Unë di që nuk e kam nxjerrë nga xhepi siç thonin tenxheret në kohën e fushatës. I mbani mend tenxheret që zienin apo jo që thonin kush je ti që e thua , po e di ti, po si e di ti? Këta që barkun e kanë në tru dhe trurin e kanë në bark. E vërteta është që Komisioni Europian, pra ata që kanë në dorë të ndjekin, të hapin dhe të mbyllin, na kanë vënë në tavolinë marrëveshjen dhe ne kemi bërë marrëveshje. Deri në fund të 2027 duhet t’i mbyllim. Natyrisht që ne do të bëjmë pjesën tonë, ata do të bëjnë pjesën e tyre, tenxheret do bëjnë pjesën e vetë dhe të gjithë do përgjigjen për secilën pjesë. Përgjigjen tenxheret e marrin në zgjedhje, kështu që do kemi zgjedhje prapë dhe do të shikojmë.
– Përsa i takon drejtimit të bashkisë së Tiranës, prej muajsh kryebashkiaku ndodhet në paraburgim. A do të ndërmerren hapa ligjorë nga ana juaj apo e Partisë Socialiste për të ndryshuar drejtimin e bashkisë së Tiranës, apo do të vijojë në këtë formë derisa të ketë një vendim të formës së prerë.?
Kryeministri Edi Rama: Rast tipik i asaj që folëm përpara dhe asaj që thashë përpara. I kyçur në qeli pa gjyq dhe ndërkohë që vazhdon kërkimi i provave. Unë akoma se kam marrë vesh se çfarë ka bërë konkretisht që të jemi të qartë. Nuk e kam kuptuar çfarë ka bërë. Korrupsion në kuptimin e fjalës korrupsion nuk kam parë, mbase nuk e kam parë unë. Unë di një gjë, që çdo qytetar i kësaj republike, i cili nuk është pjesë e organizatave kriminale, dhe kur flas për konceptin e organizatave kriminale nuk flas për këtë konceptin ri që ka dalë tani grup i strukturuar se grup i strukturuar do të thotë një grup njerëzish që ndajnë një qëllim të përbashkët, që punon natë e ditë për qëllimin e përbashkët dhe që bëjnë keq për një qëllim të përbashkët. Këta janë tjetër gjë dhe natyrisht që këta për rrezikshmërinë që kanë normalisht që ka shumë më tepër Arsye për të mendur që paraburgimi është gjëja e duhur. Pastaj, përjashto rastet e veprave të rënda, ku përfshihet dhe korrupsioni në flagrancë që përsëri është padiskutim fare e natyrshme që të përfundojë në paraburgim, të gjitha rastet e tjera të paraburgimit duhet të jenë shumë shumë të argumentuara. Unë argumente për paraburgim, përveçse ashtu si thotë Këshilli i Europës nuk kam parë. Gjëra të përgjithshme, rrezik për prishje provash, rrezik për intimidim. Siç ja bënin Hashim Thaçit. Rrezik për intimidim, rrezik për intimidim. E morën nga zyra e rrasën brenda pa i ngritur akuza. Pastaj i ngritën akuza, është akoma atje. Po të dalë i pafajshëm çfarë do të ndodhë? Kush ja kthen ato vite mbrapsht? Që në fund të ditës ka një akuzë për të cilën e mbështet populli i vetë, në kuptimin që e mbështet populli i vetë. Por kur akuzohesh për të gjitha të zezat dhe në fund del që s’të provojnë asgjë, kush ta kthen jetën mbrapsh? Kështu që rast tipik, kryetar bashkie. Teknika e marrjes së kryetarit të bashkisë së Tropojës mbyllet brenda atje, jo ke firmosur, jo s’ke firmosur. Çfarë është kjo? Po si ja heq ti qytetit kryetarin e baskisë dhe e rras brenda, jo ke firmos, jo s’ke firmos jo është firma jote, jo s’sështë firma jote. Si e bën ti këtë? Ai është zgjedhur nga populli atje, merre gjykoje. Ka të drejtën e gjyqit njeriu në një drejtësi demokratike dhe në fund me prova fute në burg nëse është për burg. Por nuk mund ta burgosësh ti se do ti dhe se ndihesh ti i fortë. Kjo nuk është normale. Nuk e bën asnjë vend.
Ne e kemi në mos gabohem numrin e të paraburgosurve 94 në 100 mijë vetë ose në 1 mijë vetë. Belgjika e ka 10. Çfarë mendoni ju se Belgjika ka më pak kriminalitet se Shqipëria? Belgjika ka më shumë kriminalitet se Shqipëria. Belgjika është epiqendra e shumë gjerave që lidhen me drogën e krimin. Belgjika është një vend me shumë probleme, por është vend demokratik është një vend ku ka drejtësi demokratike. Si merr e fut në burg pa gjyq? Më bën pyetjen çfarë bëhet? Duke qenë se është kryeqyteti, por dhe Tropoja nuk e ka luksin që ta ketë në arrest shtëpie kryetarin e bashkisë pavarësisht se është një vend i vogël, por kryeqyteti merr e fut në burg kryetarin e bashkisë në paraburgim pa gjyq e pa gjë. U bë viti dhe ka deri në zgjedhje edhe një vit e gjysmë apo jo. Ça do bëjmë? Rrimë, s’ka problem. Ça të them unë? Ç’ma kërkon mua? Unë e bëra një provë që t’ i jepnim Tiranës një kryetar bashkie. Nuk funksionoi sepse Gjykata Kushtetuese tha “kryetarin e bashkisë e ka Tirana”. Në rregull, e ka Tirana po ku e ka? Ta nxjerrin pra, të vazhdojë detyrën, ta çojnë atje të bëjë detyrën pastaj nëse gjendet i fajshëm të shkojë të bëjë dënimin. Ça bëhet këtu kështu? Kjo nuk shkon dhe këto janë probleme që duhen marrë seriozisht nga të gjithë, duhet t’i marrë seriozisht qeverisja qendrore, duhet t’i marrë seriozisht inspektori i lartë i drejtësisë, duhet t’i marrë seriozisht Këshilli, duhet t’i marrin seriozisht vetë protagonistët. Këtu janë njerëzit. Hetohen, gjykohen e pastaj ndahet shapi nga sheqeri por nuk mundet dot të ..
Si mundet? Çfarë? Ça janë këto kontrolle banesash për gjëra që kanë ndodhur para 5 vjetësh? Ça janë këto? Si mund të ndodhë kështu? Pastaj, kontrolli i banesave ka rregullat. Nuk mund të shkosh atje e të kapim ça të kapim, gjejmë ndonjë gjë, po të shohësh ligjin.
Dhe mua më shqetëson për atmosferën që krijohet, më shqetëson për tensionin që krijohet po natyrisht që për ‘’tenxheret’’ është gjë e madhe sepse Krishtlindjet, Viti i Ri, ç‘punë kanë “tenxheret” me këto?
“Tenxheret” kanë, uuu, “shkoi te shtëpia e këtij, shkoi te shtëpia e atij, doli shtëpia, u fut te shtëpia, u kap kjo”..
Një gjë e sëmurë komplet, sipas meje.
Kryeministri Edi Rama: Tani që ta mbyllim me sukses këtë konferencë, paratë e shqiptarëve janë ato që rrisin pagat, rritje e vazhdueshme e pagave; paratë e shqiptarëve janë ato që i kanë bërë pagat e ushtrisë shqiptare më të lartat në rajon dhe më të larta sesa ushtria e Serbisë; paratë e shqiptarëve janë 1.7 miliardë plus, ekstra që do t’i kalojë pensionistëve në këto 5 vite qe vijnë; paratë e shqiptarëve janë ato që kanë financuar projekte infrastrukture që kur vijnë të huajt, kur vijnë të huajt që i kanë bërë projekte me BE-në, thonë “si ka mundësi që ju i bëni këto projekte dhe nuk jeni në BE?”, në kuptimin që ça janë këto? Këto janë paratë e shqiptarëve. E kupton? Kështu që, a ka këtu probleme me korrupsionin dhe me keqadministrim? Po patjetër që ka, po ku nuk ka? Dhe ndërkohë çuditërisht ca ndodh me këto organizatat ndërkombëtare, ça ndodh me këto institucione ndërkombëtare. Çfarë ndodh me Komisionin Evropian që thotë që Shqipëria është lider në rajon për menaxhimin e financave publike? Ça është menaxhimi i financave publike? Është menaxhimi i parave të shqiptarëve. Pse thonë ata, si ka mundësi që këtë narko-shtet dhe këtë llum të madh në mes të Evropës, dhe këtë vend ku të gjithë vjedhin, si ka mundësi që gjithë këto institucione që shohin vrimën e gjilpërës nuk e shohin? Si ka mundësi? Apo i ka kapur narko-shteti dhe këto? Dëgjo, Shqipëria nuk është e imja, Shqipëria është edhe e imja, po është e imja sa ç ‘është dhe e juaja dhe sa ç ‘është e prindërve tuaj dhe sa ç ‘është e fëmijëve tuaj nesër, dhe jini një çikë më të kursyer me Shqipërinë, pak më të kursyer, se po flasim për Shqipërinë, e kupton? Jini pak më të kursyer me Shqipërinë dhe Shqipëria ka kaq liri njerëzore, saqë në konferencën e shtypit të kryeministrit të Shqipërisë ‘’zien një tenxhere’’ gjatë kohës edhe kryeministri vetëm buzëqesh.
Tani iu uroj ta keni të mbarë këtë fundviti.
Gazetarja – Keni një grup të rinjsh poshtë dritares suaj që rrinë 24 orë.
Kryeministri Edi Rama: Po shko dhe ti aty poshtë dritares.
-Do ia uroni edhe atyre Vitin e Ri, se kanë thënë që do ta kalojnë aty?
Kryeministri Edi Rama: Shko dhe ti poshtë dritares. Po atëherë çfarë problemi ke ti?
-Nuk jeni të shqetësuar nga revolta e tyre që do të qëndrojnë poshtë dritares suaj për shumë gjatë?
Kryeministri Edi Rama: Dëgjo këtu, unë shqetësohem nga çdokush dhe për çdokënd që ka një hall, por për askënd që hallin e vet ka pushtetin. Kushdo pushtet dhe lufton për pushtet të vërë tenda, të vërë kujën, të hidhet përpjetë, të jetë i ri, të jetë i vjetër, të jetë si të dojë, nuk është fare në hartën e shqetësimeve të mia, më kuptove? Kështu që.., se po të ishin ata vërtet në hall, unë jam i sigurtë që ti do shkoje te çadra e tyre, po ti e di që ata nuk kanë hall. Ose ti e di shumë mirë ça halli kanë ata. Kështu që është puna e tyre, duan të rrinë çadër për Vitin e Ri, të rrinë në çadër për Vtin e Ri. Vend i lirë ky apo jo?
Tani ta bëj edhe unë urimin apo ke edhe ndonjë ndërhyrje tjetër? Ma jep këtë të drejtë. Ah faleminderit shumë.
Me lejen që mora, ju uroj gëzuar, sinqerisht ju uroj gëzuar. Do të jetë një Vit i Ri historik, sepse do të jenë dy-tre ditë pa “tenxhere” rrugëve dhe do të jeni pranë tenxhereve të nënave dhe të familjeve tuaja, kështu që ta kaloni sa më gëzuar dhe të keni shëndet, se shëndeti ka shumë rëndësi në familje dhe vitin e ardhshëm ne punën tonë, ju punën tuaj, shiu punën e vet.
Shumë faleminderit!




















