E ardhmja e Christopher Nkunku vazhdon të jetë temë diskutimi në median italiane dhe atë turke. I ardhur te Milani vetëm në castet e fundit të merkatos, francezi e ka pasur të vështirë të imponohet duke e gjetur rrugën e rrjetës në kampionat vetëm përpara 5 ditësh përpara se të pësonte një tjetër dëmtim.

Por pavarësisht se Nkunku nuk i realizoi pritshmëritë, cilësitë e tij nuk janë harruar nga trajneri i Fenerbahçe, Domenico Tedesco i cili ka punuar me francezin kur ishin pjesë e Leipzigut. Ndërkaq nga Turqia dhe më konkretisht nga e përditshmja ‘Fanatik’ vjen oferta e Fenerbahçe për sulmuesin prej 25 milionë eurosh, një propozim që Milani e refuzoi me kuqezinjtë që kanë si objektiv të rikuperojnë të paktën 37 milionë eurot që u investuan në verë.

Por ky refuzim nuk i ka demoralizuar turqit që duket se janë gati të rrisin ofertën e tyre në 30 milionë euro vetëm të mbyllin këtë operacion. Por edhe kjo shifër nuk është e mjaftueshme për Milanin, një situatë që mund të ndruyshojë vetëm nëse vetë futbollisti do të kërkojë me ngulm largimin e tij. Në këtë moment, gjithçka të bën të mendosh se Nkunku dëshiron të qëndrojë në Milano. Francezi e ndjen se duhet të tregojë aftësitë e tij dhe dëshiron të luajë të gjitha kartat që ka në dispozicion për të justifikuar investimin e bërë nga Milani për të dhe për të ndjekur ëndrrën Botërori 2026 duke luajtur në një nga kampionatet më të rëndësishëm evropianë.