Ministria e Mbrojtjes dhe kryebashkiakia e Durrësit ka lëshuar një njoftim zyrtar urgjent për evakuimin e menjëhershëm të banorëve në disa zona të qarkut Durrës, si pasojë e situatës së krijuar nga përmbytjet dhe rrezikut të drejtpërdrejtë për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

Sipas njoftimit, në zbatim të Ligjit nr. 45/2019 “Për Mbrojtjen Civile”, Planit Kombëtar të Emergjencave Civile dhe planeve vendore të emergjencave, evakuimi do të kryhet në territorin e: Bashkisë Durrës, Njësisë Administrative Sukth, Njësisë Administrative Katund i Ri.

Evakuimi do të realizohet në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), Prefektin e Qarkut dhe strukturat vendore të emergjencave civile. Ministria thekson se, sipas legjislacionit në fuqi, Kryetari i Bashkisë është autoriteti përgjegjës për urdhërimin e evakuimit në territorin administrativ përkatës.

Autoritetet bëjnë thirrje që çdo komunikim apo kërkesë për ndihmë të drejtohet te strukturat publike në terren.

Prioritet në procesin e evakuimit do t’u jepet:

fëmijëve, të moshuarve, personave me aftësi të kufizuara, familjeve që ndodhen në zona të izoluara.

Transporti për evakuimin do të sigurohet nga mjetet e Bashkisë, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH) si dhe Forcat e Armatosura.