Erërat e forta të dimrit kanë shembur muret mbi çadrat e përkohshme në Rripin e Gazës, duke shkaktuar vdekjen e të paktën katër personave, mes tyre gra dhe fëmijë. Ngjarja tragjike vjen në një kohë kur kushtet e jetesës janë tejet të rrezikshme për popullsinë palestineze, më shumë se 2 vjet pas bombardimeve shkatërruese izraelite dhe mungesës së ndihmave të mjaftueshme humanitare.
Megjithëse një armëpushim është në fuqi që nga tetori, organizatat humanitare thonë se shumica e palestinezëve nuk kanë strehim të përshtatshëm për t’u mbrojtur nga stuhitë e shpeshta të dimrit.
Sipas zyrtarëve të spitalit Al-Shifa në Qytetin e Gazës, më i madhi në zonë, viktimat përfshijnë dy gra, një vajzë dhe një burrë. Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se një foshnjë 1-vjeçare humbi jetën gjatë natës si pasojë e të ftohtit të madh.
Muri rreth 8 metra i lartë në një zonë bregdetare të qytetit, vrau tre anëtarë të së njëjtës familje: Mohamed Hamouda, 72 vjeç, mbesën e tij 15-vjeçare dhe nusen e djalit. Të paktën pesë persona të tjerë mbetën të plagosur. Të afërmit nisën të martën heqjen e rrënojave dhe rivendosjen e çadrave të improvizuara për të mbijetuarit.
“Bota na ka lënë të shohim vdekjen në çdo formë të mundshme”, thotë Bassel Hamouda pas varrimit të familjarëve.
“Bombardimet mund të jenë ndalur përkohësisht, por në Gaza kemi përjetuar çdo shkak të imagjinueshëm vdekjeje.”
Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare bëri të ditur se po shpërndahen çadra, mbulesa plastike, batanije, rroba, si dhe ndihma ushqimore dhe higjienike në të gjithë Gazën. Megjithatë, organizatat humanitare theksojnë se materialet për strehim janë ende të pamjaftueshme.
Shumica e palestinezëve jetojnë në çadra të improvizuara, pasi shtëpitë e tyre janë shkatërruar gjatë luftës. Ministria e Shëndetësisë në Gaza, e drejtuar nga autoritetet lokale, thotë se mbi 440 persona janë vrarë nga sulmet izraelite që prej hyrjes në fuqi të armëpushimit. Të dhënat e saj për viktimat konsiderohen përgjithësisht të besueshme nga OKB-ja dhe ekspertë të pavarur.


















