Kryeministri Edi Rama ka ndarë disa foto nga qëndrimi i tij në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku u nderua me medaljen më të lartë të këtij shteti, nga presidenti Mohamed bin Zayed Al Nahyan.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama, krahas fotove, shkruan se pati një mikpritje të paharrueshme nga presidenti, ku dhe vendosën piketa të reja të bashkëpunimit kuptimplotë që po forcohet dita-ditës.
“Mirëmëngjes dhe me fotoalbumin e një mikpritjeje të paharrueshme në Emiratet e Bashkuara, ku vendosëm piketa të reja të bashkëpunimit kuptimplotë që po forcohet dita-ditës, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Kryeministri Edi Rama u nderua në Abu Dhabi me Urdhrin e Zayed, dekorata më e lartë civile e vendit.
Dekorata i është dhënë Ramës në vlerësim të përpjekjeve të tij për forcimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Kreu i qeverisë ishte i ftuar dhe në panelin e Samitit të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm, nga ku foli për ambicien e Shqipërisë për të eksportuar energji të Gjelbër në Evropë.
Rama u ndal edhe tek implementimi i Inteligjencës Artificiale edhe në prokurimet publike, në mënyrë që të shmanget sa më shumë dora e njeriut.

















