Gjykata Kushtetuese ka dhënë një vendim me peshë në raportin mes hetimit penal dhe mbrojtjes së të drejtave themelore, duke vendosur kufij të qartë për sekuestrimin dhe përpunimin e të dhënave të nxjerra nga telefonat celularë në procedimet penale të drejtuara nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Në vendimin nr. 44, datë 29 korrik 2025, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë ka pranuar pjesërisht ankimin kushtetues të Onejda Ymerajt dhe ka konstatuar cenimin e fshehtësisë së korrespondencës dhe të drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale, për aq sa të dhënat e sekuestruara nga telefoni i saj celular nuk lidhen me objektin e hetimit penal.
Thelbi i konfliktit
Çështja lidhet me sekuestrimin e një telefoni celular nga oficerët e policisë gjyqësore, me iniciativë, në kuadër të një hetimi penal për korrupsion dhe pastrim parash. SPAK ka pretenduar se veprimi ishte i domosdoshëm dhe urgjent, për të shmangur rrezikun e humbjes ose fshirjes së të dhënave elektronike, duke e konsideruar telefonin si mjet prove.
Nga ana tjetër, kërkuesja ka argumentuar se ajo nuk ishte person nën hetim, se sekuestrimi u krye pa vendim gjykate dhe se ekspertimi teknik-elektronik i telefonit ka sjellë aksesim masiv e të pakufizuar në të dhëna personale dhe komunikime private, përfshirë edhe informacione sensitive që nuk kishin asnjë lidhje me hetimin.
Çfarë vendosi Gjykata Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se, në realitetin teknologjik të sotëm, telefoni celular nuk është thjesht një objekt fizik, por një “arkiv” i jetës personale dhe profesionale të individit, që përmban korrespondencë, të dhëna personale dhe informacione të palëve të treta. Për rrjedhojë, sekuestrimi i tij përbën njëkohësisht ndërhyrje serioze në privatësi.
Në këtë kuadër, Gjykata ka mbajtur një qëndrim të balancuar, sepse ka njohur legjitimitetin e interesit publik për hetimin e veprave të rënda penale, por ka theksuar se ndërhyrja duhet të jetë e ligjshme, e domosdoshme dhe proporcionale.
Gjykata ka konstatuar shkelje kushtetuese për pjesën e të dhënave dhe korrespondencës që nuk lidhen me objektin e hetimit penal dhe ka urdhëruar asgjësimin e kopjeve të tyre. Ndërkohë, ka lejuar vijimin e mbajtjes në sekuestro vetëm të atyre të dhënave që lidhen drejtpërdrejt me hetimin, duke i nënshtruar ato kontrollit gjyqësor dhe garancive procedurale.
Mesazh për hetimet penale
Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese i vendos një standard të ri praktikës hetimore: sekuestrimi i celularëve dhe ekspertimi i tyre nuk mund të shndërrohen në një “peshkim të gjerë” të jetës private të individit. Organet e ndjekjes penale duhet të dallojnë qartë mes provës së nevojshme dhe ndërhyrjes së tepruar në të drejtat themelore.
Vendimi është përfundimtar, hyn në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare dhe ngarkon SPAK-un që, brenda tre muajve, të zbatojë masat e urdhëruara duke respektuar garancitë kushtetuese të përcaktuara nga Gjykata.




















